Rajoni i Ballkanit Perëndimor, ku bënë edhe pjesë edhe Maqedonia e Veriut, janë të orientuar drejt BE-së, pasi kjo bashkësi krijon dhe garanton siguri, paqe, dhe stabilitet ekonomik dhe politik për gjitha vendet anëtare të saj. Bashkimi Evropian është i hapur për të pranuar edhe shtete tjera, këtë nuk e thonë sipërfaqësisht por dëshmohet në praktikë duke ofruar BE-ja një gamë të ndihmave të natyrave të ndryshme. E ajo më e rëndësishmja është ndihma financiare përmes të cilave vendet ripërtërihen dhe mbulojnë disa nevoja që janë ekzistenciale për funksionim normal. BE ofron përkrahje prej rreth 100 milionë eurove në nivel vjetor, si ndihmë të jashtëzakonshme si përkrahje makrofinanciare dhe 80 milionë euro për pakon energjetike. Korniza e re financiare e IPA 3 filloi në 2021 ndërsa do të zgjasë deri në 2027, por për momentin ende po zbatohen projekte të IPA 2. Megjithatë, me vite të tëra po parashtrohet pyetja sa ka kapacitet vendi ynë për t’i shfrytëzuar këto mjete. Sepse, shpesh herë është folur çështja që pushteti lokal madje edhe ai qendror nuk kanë të punësuar profesional që mund të shfrytëzojnë maksimalisht fondet si pasojë e mungesës së projekteve që janë në dobi të qytetarëve, shkruan Zhurnal.
BE-ja ndihmon por sa arrihet të përfitohet nga këto ndihma?
Problemi kryesor do të kishte qenë nëse Maqedonia e Veriut nuk kishte pasur burime të fondeve të huaja të cilat do të shfrytëzoheshin për zhvillim dhe progres të brendshëm. Por, problem madhor për vendin është fakti se fondet ekzistojnë por nuk shfrytëzohen maksimalisht ose në të tërësi. Kjo pasi mungojnë projekte dhe të punësuar profesionistë që do të hartonin projekte dhe do të dinin të thithnin fondet në mënyrën më të mirë të mundshme, e gjithë kjo për t’i shërbyer qytetarëve.
“Në IPA 1 arritëm që të shfrytëzojmë rreth 75%, në IPA 2 kemi sfida gjatë zbatimit, ja për shembull një krahasim me programin IPARD, aty kishim përqindje shumë të dobët të shfrytëzimit të IPA 1. Rreth 18%, tani është kah fundi zbatimi i IPARD 2, tashmë kemi shfrytëzim më të mirë, mendoj se shteti ynë është kampion në procesin e shfrytëzimit të IPARD 2 krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Evgenija Kirkovski, SEP për TV21.
Sa i përket asaj se në cilët sektorë dhe projekte janë drejtuar mjetet e fondeve IPA sipas numrit të aplikimeve, Kirkovski tha se më shpesh bëhet fjalë për sektorët e drejtësisë, do të thotë në drejtësi dhe jurisprudencë, reformat në administratën publike, menaxhimin me financat publike, ekologjinë, ndërsa po punohet edhe për shumë projekte të tjera. Për shembull e tillë është përkrahja buxhetore për sektorin energjetik.
Ekologjia e rëndësishme për BE-në, për dallim prej vendit që nuk e ka fokusin e duhur në këtë sektor –
Ekologjia është sektor ku BE përkushton më shumë vëmendje. Kapitulli 27 i jurisprudencës evropiane patjetër do të jetë sfida e madhe për vendin tonë për shkak se kjo nuk do të thotë vetëm ndryshim të shumë ligjeve por përfshin edhe një numër të madh investimesh.
“Të ndërtohen qendra rajonale për përpunim të mbeturinave, të ndërtohen stacione për filtrimin e ujërave të zeza, të mbyllen deponitë ilegale, të ulet ndotja e ajrit, të vendosen tarifa të reja për ujë që do ta mundësojnë funksionimin e këtyre stacioneve për filtrim por edhe të qendrave rajonale. Të mbrohet biodiversiteti, natyra në shtet”, tha Evgenija Kirkovski, SEP.
Pjesë e madhe e ndihmës shkon edhe në sferën e bujqësisë, përmes programit IPARD. Nëse në të kaluarën nuk shfrytëzohej aq shumë kjo ndihmë, tani Maqedonia është në majin e vendeve të Ballkanit. Drejtori i Agjencisë për përkrahje financiare në bujqësi dhe zhvillim rural, Nikica Baçovski thotë se është kah fundi zbatimi i IPARD 2 ndërsa tashmë po përgatiten për IPARD 3.
“Buxheti i përgjithshëm që e kishim në dispozicion nga BE, ishte 60 milionë euro dhe i njëjti është shfrytëzuar tërësisht, u lidhën mbi 2.360 marrëveshje, që do të thotë se puna shkon mirë për shfrytëzimin e mjeteve të IPARD 2. Në periudhën e ardhshme në IPARD 3 do të kemi buxhet edhe më të madh, përkatësisht nga 60 milionë mjete evropiane shkojmë në 97 milionë euro”, theksoi Nikica Baçovski, drejtor i APFBZHR.
Ndihmat e BE-së për rajonin në tërësi janë të pakrahasueshme me ndihmat që vijnë nga shtetet tjera. Por, se sa fiton vendi ynë kjo varet prej projekteve të cilat hartohen e me të cilat aplikohet. Fondet ndahen nga BE-ja por nëse nuk shfrytëzohen të njëjtat kthehen nga kanë ardhur dhe u dërgohen shteteve tjera. Prandaj është jetike për vendin nëse do të ishin vendosur profesionistë të fushës në këto pozita dhe do të kishin hartuar sa më shumë projekte të dobishme për vendin dhe qytetarët, e të cilat do të kishin gëzuar edhe përkrahjen dhe mbështetjen financiare të BE-së. E posaçërisht të fondeve që janë të ndara pikërisht për këto çështje.
Kujtojmë që, Maqedonia e veriut gëzon statusin shtet kandidat për BE që nga viti 2005, dhe ende është në proces të anëtarësimit, por që negociatat nuk kanë filluar ende. Vitin që lamë pas negociatat janë hapur, por vendit i është kërkuar të bëjë ndryshimet kushtetuese përmes ët cilave raportet fqinjësore me Bullgarinë do të stabilizoheshin përjetësisht. Mbetet të shishet nëse deri në vjeshtë do të realizohen këto ndryshime ose jo, edhe pse gjasat janë minimale pasi kërkohet mbështetja opozitare e kjo mungon. Nëse nuk ndodhin ndryshime kushtetuese të kërkuara vendi kthehet në pikën zero dhe distancohet nga anëtarësimi në BE për një kohë të caktuar. /Zhurnal.mk
