Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar ndaj deklaratave kërcënuese të ish-shefit të BIA-s, Aleksandër Vulin ndaj Kosovës, duke i dënuar ato “me ashpërsinë më të madhe”.
Në një postim në faqen zyrtare në Facebook, OVL-UÇK thekson se ish-luftëtarët e UÇK-së nuk janë trembur as dje dhe nuk tremben as sot nga retorika kërcënuese, duke siguruar se liria e Kosovës, fituar me sakrificë, do të mbrohet me përkushtim të palëkundur.
Organizata shton se Kosova është shtëpia e tyre dhe se gjithmonë do të qëndrojnë në mbrojtje të saj.
Reagimi:
OVL UÇK dënon me ashpërsinë më të madhe çdo deklaratë kërcënuese ndaj Republikës së Kosovës. Ne jemi sot më të vendosur se kurrë për ta mbrojtur atdheun tonë, sovranitetin dhe dinjitetin e tij.
Ish-luftëtarët e UÇK-së nuk janë trembur dje dhe nuk tremben as sot nga retorika kërcënuese.
Liria e këtij vendi është fituar me sakrificë dhe do të mbrohet me përkushtim të palëkundur.
Ata që mendojnë se mund ta frikësojnë Kosovën gabojnë rëndë, dhe përgjigjja jonë ka qenë dhe mbetet e njëjtë si në vitet 1998–1999.
Kosova është shtëpia jonë, këtu jemi dhe këtu qëndrojmë, gjithmonë në mbrojtje të saj.
Burimi: botasot.info
