13.8 C
Skopje
E diel, 31 Maj, 2026
Home Blog Page 28

Rritet çmimi i naftës në Kosovë

0

Çmimi i naftës në Kosovë ka shënuar rritje krahasuar me çmimin e djeshëm të publikuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.  Ndërkaq çmimi i benzinës ka mbetur i njëjtë.

Në vendimin e publikuar të mërkurën, çmimet maksimale janë 1.89 euro për litër të naftës, ndërkaq 1.46 euro për litër të benzinës. Ndërkaq çmimi i gasit është 0.77 euro për litër.

Të martën çmimi i naftës ishte 1.88 euro për litër, 1.46 për benzinë dhe 0.74 euro për gas.

Pas arritje së armëpushimit dyjavor mes SHBA-së dhe Iranit, çmimet e naftës në tregun botëror kanë rënë ndjeshëm, me më shumë se 13.5% në 94 dollarë për fuçi për naftën bruto Brent, që është edhe pika referuese.

Kryetar i shoqatës së natareve të Kosovës, Fadil Berjani, ka thënë se armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit ka sjellë pak qetësi në  tregjet e naftës, por ka shtuar se ky mund të jetë reagim afatshkurtër. Tutje ka deklaruar se vetëm një marrëveshje e qëndrueshme dhe afatgjatë do të sillte stabilizim të vërtetë për tregjet e naftës, edhe në Kosovë

“Armëpushimi i fundit në mes të SHBA-ve dhe Iranit, dhe rihapja e Ngushticës së Hormuzit kanë sjellë pak qetësi në tregjet e naftës. Frika për ndërprerje të furnizimit është ulur dhe kjo u reflektua menjëherë në çmime, me indekse si USOIL dhe Brent që panë një stabilizim në orët e fundit. Megjithatë, kjo mund të jetë një reagim afatshkurtër. Nëse situata mbetet e qetë, çmimet mund të vazhdojnë të bien gradualisht. Vetëm një marrëveshje e qëndrueshme dhe afatgjatë do të sillte stabilizim të vërtetë për tregjet e naftës, edhe në Kosovë”, ka shkruar ai në Facebook.

Nafta pati nisur të shtrenjtohet në nivel bote qëkur më 28 shkurt Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit nisën luftën në Iran. Irani ka mbyllur Ngushticën e Hormuzit që shfrytëzohet si rrugë për 20 për qind të naftës në nivel botëror.

adv

Eurostat 2025: Maqedonia e Veriut me vetëm 42% të mesatares së BE-së për PBB për banor

0

Sipas të dhënave më të fundit të Eurostatit për vitin 2025, dallimet në standardin ekonomik mes vendeve evropiane mbeten të konsiderueshme, ku Maqedonia e Veriut bën pjesë në grupin e vendeve me Produkt të Brendshëm Bruto (PBB) për banor dukshëm më të ulët, transmeton Portalb.mk.

PBB-ja për banor, e shprehur në standard të fuqisë blerëse, tregon se Maqedonia e veriut arrin rreth 42 përqind të mesatares së Bashkimit Evropian. Kjo e vendos vendin pas shumicës së shteteve anëtare të BE-së, por në nivel të ngjashëm me vendet e tjera kandidate nga rajoni.

Në krye të listës në Bashkimin Evropian janë Luksemburgu dhe Irlanda, që e tejkalojnë ndjeshëm mesataren evropiane. Vlera të larta shënojnë edhe Holanda, Danimarka dhe Austria, ndërsa ndër më të ulëtat renditen Bullgaria dhe Greqia.

Te ekonomitë më të mëdha të BE-së, vetëm Gjermania ka PBB për banor mbi mesatare, Franca është pranë mesatares, ndërsa Italia dhe Spanja janë nën mesatare.

Vendet e Evropës Lindore zakonisht shënojnë vlera më të ulëta të PBB-së për banor, që lidhet me produktivitet më të ulët dhe nivele të ndryshme të punësimit.

Te vendet kandidate, dallimet janë edhe më të dukshme. Përveç Maqedonisë së Veriut, Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina kanë PBB për banor dukshëm më të ulët, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi janë më afër mesatares evropiane. Turqia veçohet me rreth 72 pë qind të mesatares së BE-së.

Mesatarja e PBB-së për frymë në BE për vitin 2025 ishte rreth 41.600 euro. Megjithatë, ekonomistët paralajmërojnë se kjo nuk është treguesi i vetëm i cilësisë së jetës. Si masë më e saktë përdoret gjithnjë e më shumë konsumi real individual, i cili pasqyron më mirë standardin e jetesës së përditshme të qytetarëve.

Të dhënat tregojnë se shumica e popullsisë në Evropë jeton në vende me standard ekonomik nën mesatare, çka thekson edhe më tej nevojën për konvergjencë ekonomike.

adv

Elmazi: Nisin punimet për rikonstruksionin e rrugës në hyrje të Krushopekut

0

Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi, ka njoftuar për fillimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugës në hyrje të vendbanimit Krushopek, një projekt i rëndësishëm që synon përmirësimin e infrastrukturës lokale dhe kushteve të jetesës për banorët, informon POPULLI.mk

Në kuadër të nisjes së këtij projekti, kryetari Elmazi, së bashku me zëvendësministren e Transportit Kaltrina Zekolli Shaqiri, drejtorin e Ndërmarrjes Publike për Parqe dhe Gjelbërime Muamer Seferi, si dhe këshilltarë komunalë dhe banorë lokalë, realizuan një inspektim në terren për të parë nga afër fillimin e punimeve.

Sipas projektit, rruga do të ketë gjatësi prej 440 metrash dhe do të ndërtohet me dy korsi nga 3 metra secila. Gjithashtu, parashihet ndërtimi i trotuareve në të dy anët, hapësira për parking, sistem i kanalizimit atmosferik dhe ndriçim publik modern.

Vlera e përgjithshme e investimit arrin në 440 mijë euro dhe financohet nga Ministria e Transportit.

Kryetari Elmazi theksoi se Komuna e Sarajit do të vazhdojë me përkushtim në realizimin e projekteve që synojnë zhvillimin dhe modernizimin e çdo vendbanimi në territorin e saj.

© POPULLI.mk

adv

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Romëve në Maqedoninë e Veriut

0

Në Maqedoninë e Veriut sot shënohet 8 Prilli, e njohur ndryshe si Dita Ndërkombëtare e Romëve. Kjo ditë është një kremtim i historisë, traditave dhe kulturës rome, ashtu si edhe thirrje për përfshirje sociale, gjithashtu synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi sfidat me të cilat përballen komunitetet Rome në të gjithë botën.

Kjo ditë është deklaruar zyrtarisht në vitin 1990 në Poloni gjatë Kongresit të katërt të Unionit Ndërkombëtar Rom, në nderim të takimit të parë ndërkombëtar të përfaqësuesve romë i mbajtur në prill të vitit 1971.

Romët kanë zhvilluar traditat e tyre në muzikë, poezi, kërcim dhe pikturë. Muzika tradicionale rome është ndoshta pjesa më e njohur e kulturës rome. Muzika e tyre ka influencuar kompozitorët e muzikës klasike të tillë si Franz Liszt dhe Johannes Brahams. Violina, kitara she klarineta janë instrumentet e preferuara të muzikantëve romë.

Kërcimi tradicional është një tjetër element i rëndësishëm i kulturës rome, ka ruajtur elemente nga India, ashtu siç edhe ka përfshirë elemente nga kultura e vendeve në të cilat romët kanë jetuar. Kërcimi Flamengo përfaqëson shembullin më të dukshëm të kontributit të romëve në stilin e përgjithshëm të kërcimeve.

Gjuha rome është ruajtur mirë dhe flitet në të gjithë botën në dialekte të ndryshme. Vitet e fundit shumë studiues kanë punuar për ta standardizuar gjuhën rome duke prodhuar abetare dhe fjalorë.

Analizat gjuhësore kanë treguar se ajo është shumë e ngjashme me gjuhët e folura në Indinë qendrore dhe veriore, dhe kjo lidhje gjuhësore besohet se dëshmon origjinën gjeografike të romëve.

Romët kanë shkëlqyer edhe në punimet artizanale si në punimin e metalit, qëndisjen dhe gdhendjen e bizhuterive. Shportat e kashtës të punuara me dorë janë një tjetër produkt tipik i romëve. Veshjet tradicionale përdoren akoma gjerësisht në disa komunitete rome, ku gratë veshin fund të gjatë të lidhur në të majtë të belit, një bluzë dekolte, një jelek bolero, një përparëse dhe vathë me ngjyra.

Flamuri rom është flamuri ndërkombëtar i romëve. Ai është krijuar nga Unioni i Përgjithshëm i Romëve në Rumani në vitin 1933 dhe u miratua nga përfaqësuesit ndërkombëtar romë në vitin 1971. Ngjyra blu simbolizon qiellin, ndërsa jeshilja përfaqëson tokën dhe të korrat. Flamuri mban gjithashtu një rrotë të kuqe (chakra) në kujtim të origjinës indiane të romëve, e cila simbolizon zjarrin, lëvizjen dhe progresin.

adv

VLEN: Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat bëhet LIGJ

0

Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat nuk është dhuratë, por e drejtë kushtetuese e garantuar që nga viti 2001. Edhe pse ligji për këtë çështje është dashur të miratohet që në vitin 2003, ai për vite me radhë është lënë pezull nga ata që e kanë përdorur këtë të drejtë vetëm për propagandë, mbushje xhepash dhe pa guximin për ta zgjidhur.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 9 tetorit 2024, me të cilin ra vegla e balancuesit, u bë e qartë se kjo çështje nuk mund të mbahej më me arnime dhe zgjidhje gjysmake. Duhej ligj. Dhe sot, më në fund, falë VLEN-it kemi ligj.

Ky ligj vendos rregull aty ku për vite ka sunduar paqartësia, krijon mekanizma për zbatim dhe parasheh trup koordinativ në krye me një zëvendëskryeministër shqiptar, si garanci se e drejta e shqiptarëve për përfaqësim të drejtë dhe adekuat nuk do të anashkalohet më. Fakti që ligji është përpunuar edhe pas vërejtjeve të Komisionit të Venecias e bën edhe më të fortë këtë zgjidhje.

Tani radha është e Kuvendit. Ky është momenti kur secili duhet të tregojë nëse është në anën e historisë. Nuk ka më vend për patriotizëm të rrejshëm. VLEN nuk bën zhurmë për të drejtat e shqiptarëve, por i kthen ato në ligj.

Shqiptarët nuk janë vegël, por janë LIGJ.

adv

Osmani: Në dhjetor dhe janar Kurti më mbështeste për presidente, më pas gjithçka ndryshoi

0

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka qenë e ftuar mbrëmë në “Pressing” të T7, pasi mbaroi mandatin si e para e vendit.

Ajo ka thënë se Albin Kurti në dhjetor dhe janar i kishte thënë se e ka përkrahjen e Vetëvendosjes për të garuar edhe për një mandat.

Më pas, thotë Osmani se gjithçka ndryshoi dhe Kurti nuk e mbështeti më.

“Dikur dhjetor dhe janar Kurti më ka thënë se e kam mbështetjen e tij, dhe më pas gjithçka ka ndryshuar. Në asnjë moment nuk ka pasur hezitim kandidaturën time”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se Albin Kurti e kishte vlerësuar për përfaqësimin e Kosovës jashtë vendit.

Kështu, ajo ka shtuar se për të ishte befasi qëndrimi i Kurtit që e do një President që nuk merret me politikë të jashtme.

“Noteri ka kogja shumë kompetenca, pa nënshkrimin e noterit asgjë nuk mund të jetë e vlefshme.

Unë kam marrë vetëm vlerësime të larta për përfaqësimin jashtë vendit, për mua ka qenë befasuese qëndrimi i tij i fundit që e do një President që nuk merret me politikë të jashtme”, ka thënë ajo.

adv

SHBA dhe Irani drejt ar’mëpushimit dyjavor, kusht rihapja e Ngushticës së Hormuzit

0

SHBA dhe Irani kanë rënë dakord për një armëpushim dyjavor me kusht që të rihapet Ngushtica e Hormuzit. Irani ka konfirmuar se “për një periudhë dyjavore, kalimi i sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit do të jetë i mundur”.

Pakistani, i cili ka vepruar si ndërmjetës, i ka ftuar të dyja palët për bisedime në Islamabad të premten, për “zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve”.

Irani ka një plan me 9 pika për armëpushimin, të cilat janë:
– Ndërprerje e plotë e luftës në Irak, Liban dhe Jemen.
– Ndërprerje e plotë dhe e përhershme e luftës kundër Iranit, pa kufi kohor.
– Përfundimi i të gjitha konflikteve në rajon në tërësinë e tyre.
– Rihapja e Ngushticës së Hormuzit.
– Vendosja e një protokolli dhe kushteve për të garantuar lirinë dhe sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
– Pagesa e plotë e kompensimit për kostot e rindërtimit për Iranin
– Angazhim i plotë për heqjen e sanksioneve ndaj Iranit.
– Lirimi i fondeve iraniane dhe aseteve të ngrira të mbajtura nga Shtetet e Bashkuara.
– Irani angazhohet plotësisht të mos kërkojë zotërimin e armëve bërthamore.

Armëpushimi i menjëhershëm hyn në fuqi në të gjitha frontet sapo të miratohen kushtet e mësipërme.

adv

A mund ta “eliminojnë” SHBA-ja dhe Izraeli Iranin brenda natës, siç pretendon Trump?

0

Pretendimi i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se i gjithë Irani mund të “eliminohet” brenda natës nuk përputhet me aftësitë aktuale ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit, sipas një analisti ushtarak.

Peter Layton, një bashkëpunëtor në Institutin Griffith Asia dhe një ish-oficer në Forcat Ajrore Mbretërore Australiane, llogariti se çfarë mund të arrinin forcat amerikane dhe izraelite në 24 orë kundër qindra centraleve elektrike iraniane dhe potencialisht qindra mijëra urave, raporton CNN.

Mision hipotetik

Layton, i intriguar nga pretendimi i Trump, bëri një vlerësim të një misioni të tillë hipotetik, duke theksuar se ishte thjesht teorik. Analiza e tij tregon se gjashtë bombardues të fshehtë amerikanë B-2 mund të mbanin gjithsej 96 bomba me precizion të lartë JDAM që peshonin 900 kilogramë secila në një mision të vetëm.

Duke supozuar se këta bombardues mund të kryejnë maksimumi dy misione në ditë, këto aeroplanë do të mund të hidhnin 192 bomba në territorin iranian, duke supozuar se të gjitha bombat godasin objektivat e tyre. Nëse kësaj i shtohen edhe skuadronet e përbashkëta SHBA-Izrael prej 40 avionësh luftarakë F-15, të cilët mund të mbajnë secili nga gjashtë bomba të tilla, numri i bombave që ata mund të mbajnë është rreth 240. Kjo, sipas analistit ushtarak, jep një total prej 332 bombash që mund të përdoren në mënyrë eksponenciale brenda një dite në një numër më të madh objektivash në Iran.

Vlerësimi i dëmit të mundshëm

Siç pohon media amerikane në analizën e saj, edhe nëse çdo bombë godet objektivin e saj, kjo mund të mos jetë e mjaftueshme për të arritur qëllimin, paralajmëroi Layton.

“Ata do të shkaktonin disa dëme, dhe e theksoj disa për secilin objektiv, por nuk ka gjasa që ata të shkatërrojnë ura të mesme ose të mëdha, megjithatë kjo varet nga shumë faktorë”, shtoi ai.

“Termocentralet janë përgjithësisht objektiva të mëdhenj, kështu që do të duhej një planifikim shumë i kujdesshëm që një goditje e vetme të shkaktonte dëme të konsiderueshme. Ato janë gjithashtu ‘elastike’ sepse kanë shumë beton të përforcuar në strukturën e tyre kryesore”, thekson Layton, duke shtuar se do të kishte ende dëme të mundshme.

Sigurisht, Shtetet e Bashkuara mund të përfshijnë në aksion edhe bombarduesit B-1, secili prej të cilëve mund të mbajë deri në 24 bomba JDAM, dhe përveç kësaj t’u bashkohen bombarduesve B-52 me një ngarkesë prej rreth 20 bombash secili. Megjithatë, pavarësisht këtyre numrave, aftësia e Shteteve të Bashkuara për të “eliminuar” të gjithë Iranin brenda një nate është në rastin më të mirë e dyshimtë, deklaron media.

adv

Moti sot i ndryshueshëm dhe i freskët

0

Moti sot në vend i ndryshueshëm me vranësira dhe më i freskët, me periudha me diell. Paradite do të ketë kushte për reshje të dobëta lokale shiu. Do të fryjë erë mesatare deri e përforcuar, ndërsa në disa vende përgjatë luginës së Vardarit dhe në pjesët lindore herë pas here erë e fortë veriore.Në Shkup, mot i ndryshueshëm me vranësira dhe më i freskët, me periudha me diell. Në orët e mëngjesit, në disa pjesë të luginës do të ketë kushte për reshje të përkohshme shiu. Do të fryjë erë mesatare deri e përforcuar nga drejtimi verior./Alsat.mk.

adv

Saner Xhemaili ftohet nga Dinamo Zagreb, talenti kumanovar para një prove të rëndësishme

0

Talenti i ri nga Kumanova, Saner Xhemaili, ka marrë një ftesë për testime nga akademia e GNK Dinamo Zagreb, një nga qendrat më të njohura të zhvillimit të futbollistëve në rajon.

Xhemaili, i cili aktivizohet te akademia “Siti Park” në Shkup, ka tërhequr vëmendjen me paraqitjet e tij të qëndrueshme dhe pjekurinë në lojë, pavarësisht moshës së re. Ai luan si mbrojtës qendre dhe mesfushor defensiv, duke u dalluar për leximin e lojës dhe sigurinë në duele.

Ftesa nga Dinamo Zagreb vjen pas ndjekjes së vazhdueshme nga stafi i klubit kroat, i cili tashmë dëshiron ta vlerësojë nga afër në një fazë testimi. Kjo përbën një hap të rëndësishëm në zhvillimin e tij dhe një mundësi konkrete për të hyrë në një ambient profesional me standarde të larta.

Sportmania e ka promovuar më herët Xhemailin si një nga talentet premtues nga Kumanova, ndërsa kjo ftesë konfirmon potencialin e tij dhe e vendos atë përpara një momenti të rëndësishëm dhe sfidues në karrierë.

Nëse vazhdon me të njëjtin ritëm zhvillimi, ai pritet të mbetet një emër për t’u ndjekur në të ardhmen, me këtë hap që mund të shërbejë si pikënisje drejt një rruge më të madhe në futbollin ndërkombëtar.

adv