24.8 C
Skopje
E diel, 31 Maj, 2026
Home Blog Page 31

120 milionë denarë kredi ndezin debat mes BDI-së dhe VLEN-it

0

Bashkimi Demokratik për Integrim sot përmes një kumtesë kanë akuzuar Këshillin e Komunës së Çairit se ka miratuar një vendim për huamarrje afatgjate prej 120 milionë denarë, me afat kthimi prej 10 vitesh, me qëllim të vetëm shlyerjen e borxheve ekzistuese të komunës. Nga VLEN-i menjëherë u kanë reaguar duke theksuar se edhe vetë këshilltarët e BDI-së në Këshill e kanë miratuar këtë vendim, njofton Portalb.mk.

“Le ta themi qartë: kjo nuk është kredi për zhvillim. Kjo nuk është kredi për projekte. Kjo është kredi për të mbuluar dështimet. Kjo do të thotë që qytetarët e Çairit dhe gjeneratat e ardhshme do të paguajnë për vite me radhë për shpenzime që janë bërë tashmë, pa transparencë, pa llogaridhënie dhe pa dobi publike. Dhe këtu lind pyetja thelbësore: si u krijuan këto borxhe? Qytetarët e Çairit e dinë shumë mirë se ku shkuan paratë. Në kontrata të përkohshme masive që u ndërprenë menjëherë pas zgjedhjeve. Në financimin e takimeve partiake dhe mobilizimin e aktivistëve. Në restorante dhe shpenzime luksi të lidhura me funksionarë qeveritarë. Në projekte që nuk kishin lidhje me zhvillimin, por me ndikimin e votës. Pra, kemi një model të qartë: shpenzo për zgjedhje, fito pushtetin, merr kredi, dhe lëre borxhin qytetarëve. Ky vendim nuk është vetëm i papërgjegjshëm. Është i padrejtë. Sepse sot po merret një kredi 10-vjeçare që do të paguhet nga qytetarë që nuk kanë përfituar asgjë nga këto shpenzime, që nuk kanë qenë pjesë e këtyre vendimeve dhe që në shumë raste as nuk kanë votuar për këtë pushtet”, thonë nga partia opozitare.

Nga BDI-ja akuzojnë edhe për transrapencë për shkak se, siç thonë, nuk ka listë të detyrimeve që do të shlyhen, nuk ka analizë se si janë krijuar borxhet dhe nuk ka përgjegjësi për ata që i kanë krijuar.

“Vetëm një fakt mbetet: 120 milionë denarë borxh pa përgjigje për arsyen. Ne nuk jemi kundër huamarrjes si instrument. Por jemi kundër keqpërdorimit të saj për të mbuluar abuzimet. Çairi nuk mund të trajtohet si një arkë zgjedhore që zbrazet gjatë fushatës dhe mbushet me kredi pas saj. Prandaj kërkojmë publikimin e plotë të çdo detyrimi që do të shlyhet me këtë kredi, audit të pavarur për shpenzimet e periudhës para zgjedhjeve dhe përgjegjësi individuale për çdo keqpërdorim të mjeteve publike. Sepse kjo praktikë duhet të ndalet”, thonë nga BDI-ja.

Nga VLEN-i në reagim thonë se vetë këshilltarët e BDI-së në Këshillin Komunal të Çairit kanë dhënë mbështetje për miratim të vendimit për marrjes të kësaj kredie.

“Edhe vetë këshilltarët e BDI-së në Këshillin Komunal të Çairit e kanë miratuar pikën që i jep të drejtë komunës për të aplikuar për kredi, duke treguar qartë se kjo është një praktikë normale dhe ligjore. Marrja e kredive nga institucionet shtetërore nuk është asgjë e pazakontë; ajo është pjesë e funksionimit të rregullt, realizimit të projekteve konkrete, vazhdimësisë së shërbimeve dhe përmirësimit të standardit jetësor të qytetarëve”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

adv

VLEN: Çairi ndërtohet, opozita shpif! Realiteti në terren flet vetë

0

Këtë pranverë, Komuna e Çairit po zhvillon një ofanzivë të vërtetë ndërtimi infrastrukturor, duke treguar qartë se puna dhe angazhimi nuk janë thjesht fjalë. Aktualisht, 22 projekte infrastrukturore janë në fazë aktive realizimi, ndërsa mbi 10 projekte të tjera ndodhen në faza fillestare, duke prekur çdo vendbanim dhe çdo lagje të komunës. Qytetarët po ballafaqohen drejtpërdrejt me punën konkrete në terren, duke parë ndryshime reale dhe përparim.

Nga projektet më të mëdha që po realizohen aktualisht mund të përmendim Bulevardin Ferid Murad, Bulevardin Mit’hat Frashëri, ndërsa në faza fillestare është edhe zgjerimi i Bulevardit Cvetan Dimov, projekte këto që do të përmirësojnë dukshëm infrastrukturën dhe jetën e përditshme të qytetarëve. Të gjitha këto mjete Komuna e Çairit i përdor ekskluzivisht për nevojat e qytetarëve, për të përmirësuar standardin dhe cilësinë e jetës.

Në kontrast, humbësi më i madh i zgjedhjeve lokale, Bujar Osmani, nuk mund të përballet me rezultatin e tij dhe vazhdimisht mundohet të trillojë dhe shpif për të zbehur punën konkrete që po zhvillohet në Komunën e Çairit.

Edhe vetë këshilltarët e BDI-së në Këshillin Komunal të Çairit e kanë miratuar pikën që i jep të drejtë komunës për të aplikuar për kredi, duke treguar qartë se kjo është një praktikë normale dhe ligjore. Marrja e kredive nga institucionet shtetërore nuk është asgjë e pazakontë; ajo është pjesë e funksionimit të rregullt, realizimit të projekteve konkrete, vazhdimësisë së shërbimeve dhe përmirësimit të standardit jetësor të qytetarëve.

adv

RMV / Diaspora jashtë regjistrimit 2031, vendimi pas qëndrimit të Kushtetueses

0

Diaspora do të përjashtohet nga procesi i regjistrimit të popullsisë që pritet të realizohet në vitin 2031. Këtë e paralajmëroi numri një i Entit të Statistikave Dejan Stankov duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Ne si Ent Shtetëror për Statistika do ta marrim parasysh propozimin e Gjykatës Kushtetuese e cila është sjellë para një periudhe të caktuar. Në përputhje me metodologjinë statistikore dhe standardeve ndërkombëtare nuk ka nevojë që të ndajmë qytetarët, në kuptimin nuk ka nevojë të përfshijmë popullsinë jo rezidente sepse qëllimi i regjistrimit është përcaktimi i popullsisë rezidente, gjegjësisht popullsinë që jeton në shtet dhe kjo është definicioni themelor statistikor”, deklaroi Dejan Stankov – Drejtor i Entit të Statistikave.

Ministri i Transformit Digjital thotë se dikasteri i tij po bashkëpunon me të gjitha institucionet të cilat bartin të dhënat e qytetarëve. Para regjistrimit elektronik, do të bëhen testime të metodologjisë.

“E dini se si parti politike e kemi kritikuar regjistrimin e kaluar dhe kishim arsye se pse. Një pjesë e madhe e të dhënave nuk ishin mbledhur në mënyrën e duhur të metodologjisë. Regjistroheshin njerëz nga mërgata të cilët fare nuk janë rezident të shtetit nën rrethana të paqarta. Kujtojmë se kishte pako me pasaporta të cilët regjistroheshin sikur janë njerëz dhe këtë nuk guxojmë ta lejojmë në regjistrimin e ardhshëm dhe mirë është që kemi filluar më herët që secili të punojë në regjistrat e tij”, tha Stefan Andonovski – Ministër i Transformimit Digjital.

 Vitin e kaluar Gjykata Kushtetuese shfuqizoi dispozita të metodologjisë të cilat ndanin popullsinë e Maqedonisë në rezident dhe jo rezident. Sipas Kushtetueses, ky kategorizim ishte bërë pa bazë ligjore sepse ligji për regjistrim nuk parashihte një ndarje të tillë me akt nënligjor.  Në regjistrimin e fundit të popullsisë, shtetas të Maqedonisë së Veriut janë regjistruar 2 milion e 97 mijë e 319 persona prej të cilëve 1 milion e 836 mijë e 713 persona janë rezident. Ndërkohë si jorezidentë janë regjistruar 260 mijë 606 persona. Prej tyre rreth 180 mijë apo 66,4 për qind janë shqiptarë, ndërsa mbi 12 mijë apo 24,5 për qind janë maqedonasë. /Alsat/

adv

Mexhiti: Letra e Ahmetit për gjuhën shqipe, përpjekje për manipulim të opinionit

0

Njëri nga liderët e VLEN-it Izet Mexhiti, në një deklaratë për Alsat thekson që letra e hapur e Ali Ahmetit për çështjen e zbatimit të gjuhës shqipe është tentativë për të manipuluar opinionin dhe për të mbajtur gjallë shpresën në anëtarësi për rikthimin e tij në qeveri.

Sipas Mexhiti, po të ishte rregulluar çështja e gjuhës ashtu siç sot shprehet Ahmeti, nuk do të ishin këto probleme.

“Opinioni duhet ta dijë të vërtetën se ne nuk kemi Ligj të Gjuhës Shqipe, por kemi Ligjin e Gjuhëve ku përcaktohet me 20% se ku mundet dhe ku s’mundet. Po të ishte definuar sikur ka qenë ideja, e kanë marrë modelin e Kosovës kur kanë filluar bisedimet për ta rregulluar Ligjin e Gjuhës Shqipe, që serbishtja është gjuhë zyrtare e baravbartë me gjuhën shqipe në Kosovë, sot nuk do të kishte askush dilemë se ku përdoret e ku spërdoet gjuha shqipe. Pra burim i prodhimit të tensioneve dh eproblemeve janë paqartësitë apo zgjidhjet gjysmake të cilat i ka lënë zoti Ahmeti në qeverisjen e tij”, deklaroi Izet Mexhiti, VLEN.

Mexhiti më tej thekson që VLEN po e pret momentin politik për të avancuar statusin e gjuhës shqipe.

“Unë i siguroj qytetarët që ne po bëjmë përpjekjet maksimale. Ky ligj që është i gjuhëve, 20%-shi ne jemi garanci që i qëndrojmë mbrapa dhe asnjë fije mos t’i mungojë. Përkundrazi e presim momentin e volitshëm politik që gjuha shqipe ta merr statusin e merituar si gjuhë zyrtare, e plotë në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, theksoi – Izet Mexhiti, VLEN.

Paraprakisht, Ahmeti nëpërmjet një letre të hapur theksoi që përdorimi i shqipes nuk është privilegj, por e drejtë e fituar dhe e garantuar me Kushtetutë, kurse çdo përpjekje për ta relativizuar, reduktuar apo dobësuar statusin e gjuhës shqipe dhe të drejtën e përdorimit të saj është një përballje e drejtpërdrejtë me rendin kushtetues dhe nuk do të kalojë pa përgjigje./Alsat.mk.

adv

Kuvajti nën su’lm, dronët godasin zemrën e prodhimit të naftës

0

Një rafineri nafte në Kuvajt është goditur nga dronë gjatë së premtes, bëjnë të ditur autoritetet vendase përmes agjencisë shtetërore të lajmeve.

Kompania shtetërore e naftës, Kuwait Petroleum Corporation, njoftoi se rafineria Mina al-Ahmadi është shënjestruar nga sulmi ajror. Sipas të dhënave paraprake, nga goditja janë shkaktuar zjarre në disa njësi operative të kompleksit industrial.

Agjencia KUNA raportoi se ekipet e emergjencës kanë ndërhyrë menjëherë dhe po punojnë për të vënë nën kontroll flakët, ndërsa vijon vlerësimi i dëmeve.

Deri më tani nuk ka informacion të detajuar për viktima apo përmasat e plota të dëmit, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi origjinën e sulmit.

adv

Moti për ditën e sotme

0

Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë me vranësira dhe reshje të shiut, ndërsa në vendet malore do të ketë kushte për reshje të borës.

Në vend do të fryjë një erë e lehtë nga drejtimi veriperëndimor.

Temperaturat minimale do të lëvizin nga 2 deri 8, ndërsa temperaturat maksimale do të lëvizin nga 10 deri 16 gradë celsius.

Edhe nesër moti pritet të jetë me vranësira dhe reshje të shiut, ndërsa nga dita e diel moti pritet të jetë me diell.

adv

Nikolloski kritikon BDI-në për mungesë investimesh rrugore

0

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, deklaroi se Qeveria po investon mes 1.6 dhe 1.8 miliardë euro në ndërtimin e autostradave në kuadër të Korridorit 8.

Në një intervistë për “Top Tema”, Nikolloski akuzoi Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) se gjatë mandateve të tij nuk ka ndërtuar asnjë kilometër autostradë, duke theksuar se qeveria aktuale është e fokusuar në realizimin e projekteve infrastrukturore.

Ai bëri të ditur se një nga pikat kyçe të lidhjes me Shqipërinë mbetet pika kufitare e Qafë Thanë, ku aktualisht po zhvillohen punime për zgjerimin dhe modernizimin e infrastrukturës.
“Aktualisht po punojmë për zgjerimin dhe përmirësimin e pikës kufitare. Së bashku me Bankën Botërore, presim që faza e parë të përfundojë brenda rreth një muaji, pas së cilës do të pasojë tenderi për fazën e dytë,” deklaroi Nikolloski.

Projekti i Korridorit 8 konsiderohet një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore në vend, me synim përmirësimin e lidhjes rajonale dhe zhvillimin ekonomik.

adv

Ademi: Bilall Kasami në kundërthënie, “autogol politik” ndaj vetes

0

Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimi Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Lëvizja Besa, Bilall Kasami, duke e akuzuar këtë të fundit për kundërthënie dhe “autogol politik”.

Ademi thekson se Kasami nga njëra anë kritikon liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, për “20 vite në pushtet”, ndërsa nga ana tjetër deklaron se të drejtat e shqiptarëve nuk do të preken.

Në vijim deklarata e plotë e Ademit:

Bilall Zeza edhe një herë i dha autogol vetes. Nga njëra anë thotë se Ali Ahmeti ka pasur 20 vite kohë për t’i rregulluar punët, ndërsa nga ana tjetër thotë se nuk do të preken të drejtat e shqiptarëve.

Po cilat të drejta, Bilall?

Nëse nuk janë arritur gjatë atyre 20 viteve, atëherë çfarë po mbron sot? E nëse janë arritur, atëherë po pranon vetë se pikërisht në kohën që kritikon janë fituar ato të drejta.

Logjikë që bie ndesh me vetveten.

Le t’i thotë dikush se nuk mund të mbrosh diçka nëse nuk ekziston. Nëse flet për mbrojtje, atëherë pranon se ato të drejta janë fituar, dhe po, janë fituar në periudhën që ti e sulmon.

Në cilën kohë? Pikërisht në kohën që ai e quan “20 vite kohë të Ali Ahmetit”.

Bilalli duket se mendon që politika është t’i thurësh poezi Josip Broz Titos. Por edhe aty nuk ka dalë më i miri; vendin e katërt e kishte marrë si nxënës i devotshëm, pas Titos.

adv

Albin Kurti: Vullneti i popullit nuk zhbëhet me dekrete

0

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se pas rikthimit të funksionimit të Kuvendit, rruga përpara e deputetëve nuk duhen të jenë pengesat apo inatet, por miratimi i marrëveshjeve që janë në dobi të qytetarëve.

Gjatë fjalimit në Kuvend të enjten, Kurti ka thënë se Gjykata Kushtetuese e qartësoi përgjegjësinë e secilit institucion dhe kufijtë deri ku mund të veprojnë.

“Vullneti i popullit nuk anulohet me dekrete të presidentit dhe rrjedhimisht as nuk shpërndahet”, ka thënë Kurti, duke theksuar se pas qartësimit të këtij realiteti, nuk kemi boshllëk institucional, por detyra të qarta për të avancuar agjendën legjislative.

adv

Haradinaj përplaset me Kurtin në Kuvend: “Po ushqen zagarë për t’i fyer shqiptarët!”

0

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj e ka quajtur mashtrues kryeministrin Albin Kurti, duke shtuar se “po ushqen zagarë për t’i fyer shqiptarët”.

Këto deklarime nga foltorja e kuvendit, ai i bëri pas deklarimit të Kurtit. Ai ka adresuar akuza të rënda ndaj mediave në Kosovë, ku tha se raportimet “financime me thasë parash janë kërcënim i drejtpërdrejt për integritetin e debatit publik”.

Haradinaj me mikrofon të ndalur është përplasur me anëtarë të kabinetit qeveritar e deputetë të shumicës parlamentare.

“Sot erdh mashtruesi para nesh me një mashtrim ideal. Dhe po ju tregojë se na mashtroi… Ju lutem, mashtrimi nuk është fyerje, ndodhi një mashtrim, në këtë foltore e po dua ta demaskojë këtë mashtrim mënyrës më të keqe të mundshme. E para, kolega që foli para meje këtu është qe sa vjet në pushtet, mban përgjegjësi për çmimet, mban përgjegjësi për vjedhjet që po na ndodhin në energji, për faturat që po na vijnë, ky edhe qeveria e tij dhe ju mbani përgjegjësi edhe nuk mund t’i ikni kësaj përgjegjësia në asnjë variant. As nuk mund të fshehni pas këtij ligji tavan, as asgjë, oligarkë tuaj kryeministër janë duke shitur dhe blerë energji dhe po ju shtohen kompanitë përditë e më shumë njerëzve të afërm të juaj. Duhet të ketë një korrektësi në këtë rast”, tha ai.

Haradinaj ka vazhduar duke thënë se Kurti “po shpenzon më së shumti pare duke ushqyer zagarë për t’i fyer shqiptarët”. Pas këtyre fjalëve, atij i është ndalur mikrofoni.

Me mikrofon të ndalur ai ka vazhduar përplasjen me anëtarë të kabinetit qeveritar, ku dëgjohet duke thënë se në “foltore nuk lejohet mashtrimi”.

“E dyta thotë ‘po financohen mediat me thasë’, dëgjoni çka po thotë ky, dëgjone mirë çfarë po thotë ‘po financohen mediat me thasë’. Ky shpenzon më së shumti pare duke ushqyer zagarë me i fy shqiptarët, me i fy shqiptarët…faqe të zagarëve, që vazhdon ta bëjë edhe sot dhe ata që po e mbrojnë janë qasi zagarë “, shtoi Haradinaj.

Derisa ai ka vazhduar fjalimin me mikrofon të mbyllur, Haxhiu tha se Haradinaj ka thyer rregulloren duke fyer.

adv