14.8 C
Skopje
E shtunë, 30 Maj, 2026
Home Blog Page 6

Limani: S’jam ministër i VLEN-it

0

Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Fatmir Limani, e pranoi sot se tashmë një kohë nuk është ministër i VLEN-it.

“Moti kohë kemi përfunduar unë dhe VLEN-i”, tha Limani.

Raporti i Fatmir Limanit me VLEN-in ka eskaluar muajt e fundit, ndërsa është vërejtur një përafrim me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti.

Fatmir Limani mori pjesë në Tiranë bashkë me Ali Ahmetin në dy raste të ndryshme muajt e fundit.

VLEN tashmë ka paralajmëruar se Limani nuk do t’i përfaqësojë në ekzekutiv pas rikonstruimit të ardhshëm të Qeverisë.

adv

Përballja që po vjen.. Kush do të pensionohet politikisht, Ahmeti apo Mexhiti ?

0

Skena politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut pritet të hyjë në një fazë të re, pasi koalicioni VLEN është në prag të shndërrimit në parti politike. Ky zhvillim pritet të rikonfigurojë raportet e forcave dhe ta bëjë më të qartë vijën ndarëse në kampin shqiptar, ku gara kryesore po projektohet gjithnjë e më shumë mes BDI dhe VLEN-it, shkruan POPULLI.mk

Vlerësojmë se fragmentarizimi i deritanishëm mund të reduktohet, duke lënë më pak hapësirë për subjekte të tjera. Në këtë kontekst, përmenden sfidat serioze për ASH-të dhe figurat si Ziadin Sela dhe Arben Taravari, të cilët, nëse garojnë të ndarë, rrezikojnë të mbeten jashtë fokusit kryesor elektoral.

Aktualisht, VLEN është pjesë e qeverisë, çka i jep një avantazh institucional, por edhe një barrë përgjegjësie përballë qytetarëve. Pyetja kyçe mbetet se si do të performojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare? A do të arrijë ta kapitalizojë pushtetin aktual në vota, apo do të përballet me konsum politik si shumë subjekte të tjera para saj?

Në qendër të kësaj dinamike është lideri i saj, Izet Mexhiti, i cili me largimin nga BDI-ja i shkaktoi një goditje të ndjeshme kësaj force politike. Tani, si figurë kyçe e VLEN-it, sfida e tij është dyfishe, të konsolidojë strukturat e reja dhe të menaxhojë pritjet e elektoratit që kërkon ndryshim real.

Një tjetër dimension i rëndësishëm është përballja direkte me liderin historik të BDI-së, Ali Ahmeti. Mbetet për t’u parë nëse Mexhiti do të arrijë objektivin e shpallur politikisht për ta sfiduar seriozisht dhe eventualisht për ta “pensionuar” nga skena politike, apo nëse përvoja dhe struktura e konsoliduar e BDI-së do të vazhdojnë të dominojnë.

Ndërkohë, një nga testet më të mëdha për VLEN-in do të jetë ruajtja e kapitalit elektoral prej rreth 107 mijë votash nga zgjedhjet e kaluara. Ky numër konsiderohet si bazë solide, por jo e garantuar, në një terren politik që ndryshon shpejt dhe ku besnikëria e votuesit shpesh varet nga performanca konkrete dhe kohezioni i brendshëm.

Me afrimin e ciklit të ri zgjedhor, të gjitha këto dilema pritet të marrin përgjigje në terren. A do të shndërrohet VLEN në alternativën kryesore politike për shqiptarët, apo do të përballet me sfida që mund ta zbehin vrullin fillestar, kjo mbetet çështja që do të përcaktojë balancat e ardhshme politike në vend. / © POPULLI.mk

adv

Haxhiu: Diaspora ka qenë zëri i Kosovës, tani të votojë

0

Duke filluar nga dita e sotme do të fillojë regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës (6 maj – 17 maj 2026).

Lidhur me këtë ushtruesja e detyrës së presidentes së vendit, Albulena Haxhiu përmes një video-mesazhi u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet e 7 qershorit.

Ajo ka thënë se bashkatdhetarët kanë qenë zëri i Kosovës kudo në botë, duke u kërkuar që të vazhdojnë me kontributin e tyre për t’u bërë pjesë e vendimmarrjes.

“Të dashur bashkatdhetarë, sot po iu drejtohem juve që për dekada e keni mbajtur Kosovën afër, në punë, në shtëpi, në gjuhë, në kujtesë dhe në dinjitet. Afati i regjistrimit për të votuar jashtë vendit nis sot dhe vazhdon deri më 17 maj regjistrohuni për të votuar. Ju keni qenë pranë Kosovës edhe kur kufijtë, dhuna dhe largësia janë munduar t’iu mbajnë larg. Keni punuar dhe keni sakrifikuar për ta ndihmuar atdheun tonë”, thuhet në video-mesazhin e saj në Facebook.

adv

VLEN: Koha e Gruevskit është ëndërr për BDI-në, por realiteti ka ndryshuar

0

VLEN përmes një komunikate thekson sot se BDI paska filluar përsëri me filmin e vjetër.

“Populli thotë, ku të dhemb dhëmbi, aty shkon gjuha. BDI-së i dhemb Izet Mexhiti, sepse bashkë me popullin i çoi në opozitë.

Le ta mbajnë mend mirë: Izet Mexhiti nuk është produkt zyrash dhe përkëdheljeve të Ali Ahmetit. Ai ka mandat nga shqiptarët, si kryetar komune dhe deputet. Me votë, me terren, me njerëz. Jo si Bujar Osmani, Blerim Bexheti, Fatmir Besimi dhe klika e BDI-së, që politikën e kanë kuptuar vetëm si ngjitje për karrige, tender dhe rehati personale. Dallimi është i madh. Izeti ka qenë në mëhallë me qytetarin, ndërsa ata në zyra ekzekutivi dhe pazare pushteti.

Sot karrigexhinjtë më të mëdhenj janë te BDI, aty ku një grusht njerëzish rreth Ali Ahmetit kanë privatizuar partinë, e shtyjnë aktivistin e devotshëm përpara si mish për top, vetëm që vetë të kthehen në pushtet, në kolltuk, në tender dhe në rehati.

Bujar Osmani mbi 3.700 ditë ministër, Blerim Bexheti mbi 5.500 ditë në poste dhe ende flasin për “mbrojtje të shqiptarëve”. BDI-ja shqiptarin e ka parë vetëm si numër për votë, ndërsa postet si trashëgimi familjare.

Kjo demagogji nuk pi më ujë. Populli i ka lexuar. Ata ende ëndërrojnë kohën e Gruevskit, Budapesti u duket si adresë shpëtimi, derisa Mijallkovin e kujtojnë si partner të artë të sundimit.

Qe dy vite i gënjejnë aktivistët se “do të kthehemi në pushtet”, ndërsa përgjigjen për këtë mashtrim politik e morën jo më larg se në zgjedhjet lokale, ku VLEN i demoloi duke fituar 10 komuna.
VLEN një, VLEN po vjen”,thuhet në komunikatën e VLEN.(INA)

adv

Tra’gjike: Vajza sul’mohet nga qentë endacakë në Gostivar, përfundoi në spital me lëndime të rënda

0

Në Gostivar mëngjesin e sotëm, 19-vjeçari A.O. përfundoi me lëndime të rënda pasi u sulmua nga qen endacakë.

Sipas informacionit nga Ministria e Brendshme, incidenti ndodhi rreth orës 08:50 në rrugën “101”. Vajza po ecte në rrugë kur një grup qensh e sulmuan. Në përpjekje për t’u shpëtuar kafshëve agresive, ajo u rrëzua dhe pësoi lëndime të rënda.

Ajo u transferua menjëherë në Qendrën Mjekësore të Gostivarit, ku mjekët i diagnostikuan lëndime të rënda. Policia bëri këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe nisi një procedurë për sqarimin e rastit.

Incidenti rihapi debatin rreth problemit të qenve endacakë në qytetet e RMV-së. Qytetarët reagojnë se nuk ndihen të sigurt për shkak të qenve endacakë që gjenden në çdo vendbanim.

adv

Moti sot

0

Pjesërisht me vranësira dhe periudha me diell. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare, dhe herë pas here e fortë jugore përgjatë lumit Vardar. Temperatura minimale do të jetë në intervalin prej 3 deri në 10 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 21 deri në 27 gradë.

Në Shkup, vranësira të ndryshueshme me periudha me diell. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga jugu. Temperatura minimale do të bjerë në 7, ndërsa maksimale do të arrijë 26 gradë.

Moti në ditët në vijim

Nga pasditja e sotme, do të pasojë një periudhë me mot të ndryshueshëm me vranësira dhe periudha me diell, ndërsa në vend të tyre do të ketë reshje të herëpashershme shiu. Lokalisht do të jetë i paqëndrueshëm me shira të rrëmbyeshëm, bubullima dhe erëra të forta. Reshjet e herëpashershme do të jenë më të bollshme, veçanërisht të premten. Temperaturat minimale kudo do të jenë mbi zero.

adv

Arsenal në finale të UCL, mposht minimalisht Atl.Madridin

0

Arsenal është skuadra e parë finaliste e këtij sezoni në UEFA Champions League, pasi ka mposhtur Atletico Madrid me rezultatin minimal 1-0 në ndeshjen e kthimit të zhvilluar në “Emirates”.

Pas barazimit 1-1 në sfidën e parë në “Metropolitano”, londinezët siguruan kualifikimin falë një paraqitjeje të kujdesshme dhe një goli vendimtar në fund të pjesës së parë.

Fraksioni i parë i lojës ishte relativisht i qetë, me pak raste të pastra. Një moment i diskutueshëm erdhi në minutën e 35-të, kur Leandro Trossard u përfshi në një kontakt në zonë me Antoine Griezmann, por arbitri vendosi të vazhdojë lojën, duke mos akorduar penallti.

Goli që vendosi sfidën erdhi në minutën e 44-të: pas një aksioni të gjatë, tentativa e Trossard u ndal nga portieri Jan Oblak, por në zonë u gjend i lirë Bukayo Saka, i cili nuk gaboi dhe dërgoi topin në rrjetë.

Në pjesën e dytë, ritmi ra ndjeshëm dhe rastet ishin më të pakta. Në minutën e 51-të, Giuliano Simeone pretendoi për penallti pas një rrëzimi në zonë, por edhe këtë herë gjyqtari nuk ndërhyri.

Arsenal ishte pranë golit të dytë në minutën e 66-të, por goditja e Viktor Gyökeres u ndal nga traversa.

Pavarësisht përpjekjeve të Diego Simeone për të ndryshuar rrjedhën e lojës me zëvendësime, rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund.

Me këtë fitore, Arsenal siguron finalen e dytë në historinë e klubit në Champions League, duke qenë tashmë vetëm një hap larg trofeut më të rëndësishëm europian për klube.

adv

Hoxha në Forumin Ndërkombëtar për Ujërat: Nevojiten zgjidhje të përbashkëta për sfidat klimatike

0

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, sot mori pjesë në tryezën ministrore të Forumit të 5-të Ndërkombëtar për Ujërat, që po mbahet në Stamboll, Republika e Turqisë.

Në fjalimin e tij, ai theksoi rëndësinë e menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve ujore, në kontekstin e situatës aktuale gjeopolitike dhe krizës gjithnjë e më të theksuar klimatike.

Hoxha informoi se Maqedonia e Veriut po ndjek në mënyrë aktive standardet evropiane në menaxhimin e ujërave, përfshirë edhe zbatimin e Direktivës Kornizë për Ujërat të Bashkimit Evropian.

Ministri Hoxha theksoi nevojën për bashkëpunim rajonal, duke vënë në dukje se asnjë shtet nuk mund t’u përgjigjet i vetëm këtyre sfidave.

“Na duhen zgjidhje të përbashkëta, të bazuara në të dhëna, shkëmbim përvojash dhe veprim të koordinuar. Kjo nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri”, theksoi Hoxha.

adv

Bitcoin po tregtohet me rreth 67,000 dollarë sot – tregu po monitoron nga afër pasigurinë globale

0

Kriptovaluta bitcoin po tregtohet me luhatshmëri të moderuar sot, duke qëndruar rreth nivelit 67,000 dollarë , pas një rënieje që ka parë gjatë ditëve të fundit. Sipas të dhënave më të fundit nga tregjet e kriptovalutave, një bitcoin po tregtohet rreth 67,700 dollarë, me një vëllim tregtimi ditor prej gati 20 miliardë dollarësh.

Analistët thonë se tregu i kriptomonedhave është aktualisht në një fazë konsolidimi, me investitorët që monitorojnë nga afër zhvillimet globale ekonomike dhe gjeopolitike. Sipas raporteve të tregut, rritja e çmimeve të naftës dhe pasiguria në tregjet financiare po ndikojnë në ndjesinë e investitorëve, duke krijuar paqëndrueshmëri shtesë në asetet me risk si kriptomonedhat.

Megjithatë, disa analistë theksojnë se bitcoin tregon njëfarë qëndrueshmërie krahasuar me tregjet tradicionale. Pavarësisht lëvizjeve të forta në tregjet e energjisë dhe rënies së disa indekseve të aksioneve, kriptomonedha mbetet relativisht e qëndrueshme, gjë që forcon perceptimin midis disa investitorëve se mund të shërbejë si një mjet alternativ për ruajtjen e vlerës. Pjesëmarrësit e tregut në periudhën e ardhshme do të monitorojnë veçanërisht të dhënat makroekonomike, vendimet e bankave qendrore dhe lëvizjet në tregjet financiare globale. Janë këta faktorë, sipas ekspertëve, që do të përcaktojnë drejtimin e bitcoin në javët e ardhshme.

Nëse kërkesa rritet dhe çmimi tejkalon përsëri 70,000 dollarë, mund të hapet një trend i ri në rritje. Përndryshe, pasiguria e vazhdueshme globale mund ta mbajë tregun në një periudhë tregtare të paqëndrueshme.

adv

Italia dhe Portugalia të gatshme të pezullojnë EES-në

0

Portugalia dhe Italia janë destinacionet e ardhshme popullore turistike që pritet të pezullojnë përkohësisht kontrollet e reja të diskutueshme kufitare të BE-së për të shmangur kaosin gjatë pushimeve të ardhshme shkollore. Ekspertët e udhëtimit besojnë se kjo do t’i kursejë turistët britanikë nga vështirësitë e shkaktuara nga zbatimi kaotik i sistemit të ri, shkruan Daily Mail.

​Greqia tashmë ka pezulluar përkohësisht rregullat e reja të Sistemit të Hyrjes/Daljes për turistët britanikë deri në shtator, pasi zbatimi i tyre shkaktoi turma të mëdha dhe vonesa. Megjithatë, edhe pse aktualisht nuk ka një vendim zyrtar për pezullimin e plotë të tij, pritet që Greqia të zbatojë rregullime praktike të përkohshme gjatë muajve të verës edhe për Serbinë, me qëllim që të zvogëlohen kolonat në kufij.

​Konsullja e Përgjithshme e Serbisë në Selanik, Jelena Vujiç Obradoviç, deklaroi se, megjithëse nuk ekziston një dokument zyrtar për pezullim, ekzistojnë siguri dhe marrëveshje joformale për lehtësimin e zbatimit gjatë periudhës së trafikut më të madh turistik. Sipas deklaratave të saj, në periudhën nga 1 qershori deri më 30 gusht, pritet që sistemi të zbatohet në mënyrë fleksibile për shtetasit serbë, veçanërisht në orët me fluksin më të madh të udhëtarëve.

​Gjithashtu, Oda Turistike pranë Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë i ka dërguar kërkesë Ministrisë së Turizmit të Greqisë për shtyrjen e përkohshme të zbatimit të sistemit për shtetasit e Maqedonisë në periudhën nga 1 qershori deri më 1 shtator 2026.

adv