14.8 C
Skopje
E premte, 29 Maj, 2026
Home Blog Page 5

Mexhiti: VLEN theu monopolin e BDI-së dhe bashkoi opozitën shqiptare

0

Njëri nga liderët e VLEN, Izet Mexhiti në intervistën në TVM1 ka thënë se për herë të parë në kampusin politik shqiptarë po ndodhë bashkimi dhe kjo ndodhi pasi opozita në zgjedhjet e fundit parlamentare theu monopolin e quajtur BDI.

Kjo, sipas tij solli konkurrencë dhe faktorizimin e votës shqiptare.

“Këtë e bëmë në zgjedhjet e fundit parlamentare që dolën me sukses, edhe më herët ka mundur të ndodhë që shqiptarët të votonin anti-BDI, por opozita ishte e ndarë. E dëshmuam edhe në zgjedhjet lokale, dolëm jashtë si VLEN me kandidatë të pavarur me Mendi Qyrën në Strugë. Pra ka sinkronizim, vendosëm se është më mirë të jemi një subjekt politik që në të ardhmen të mund të ketë një Njësi zgjedhore”, ka thënë Mexhiti.

Sipas tij, VLEN tani do të ketë forcë më të madhe absorbuese të anëtarët e pavarur nga BDI dhe ata neutral.

“Dhe rezultatet do të jenë më të mira”, ka thënë Mexhiti.

adv

​Parashikimi i motit

0

Mot me diell dhe pjesërisht i vranët do të mbajë sot në Maqedoni.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik, temperaturat minimale do të sillen mes 4 dhe 8 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale mes 20 dhe 25 gradë Celsius.

Era do të fryjë nga veriperëndimi, me shpejtësi 1 deri 6 metër për sekondë.

adv

Moti sot

0

Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë me i ndryshueshëm dhe me reshje të shiut.

Në vend do të fryjë një erë e lehtë nga drejtimi jugor.

Temperaturat minimale do të lëvizin nga 6 deri 12, ndërsa temperaturat maksimale do të lëvizin nga 20 deri 26 gradë celsius.

Në ditët në vazhdim do të pasojë mot me vranësira dhe reshje të shiut.

adv

Elmazi demanton shkrimet mediatike: “Spin klasik me qëllime politike”

0

Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi, ka reaguar ndaj disa shkrimeve të publikuara në media, ku përmendet emri i tij, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe spekulative, shkruan POPULLI.mk. 

Përmes një reagimi publik, Elmazi thekson se informacionet e publikuara “nuk pasqyrojnë kurrfarë realiteti”, por sipas tij, janë “konstruksion i qëllimshëm që synon të krijojë perceptim të gabuar në opinion”.

Ai shpreh shqetësim edhe për faktin se, sipas tij, mediat që kanë publikuar pretendimet nuk kanë kërkuar paraprakisht qëndrimin e tij.

“Bëhet fjalë për një spin klasik mediatik, me qëllime të ulëta”, deklaron Elmazi.

Sipas tij, këto sulme janë pjesë e një tendence për dëmtimin e emrit të tij dhe krijimin e konfuzionit në opinion, sidomos në prag të 9 majit, datë që ai e ndërlidh me Kongresin e Bashkimit.

“Sa më shumë afrohet kjo datë, aq më shumë vërehet nervozizëm te oponentët politikë, të cilët përpiqen të prodhojnë lajme të pavërteta dhe t’i përdorin ato për qëllime politike”, thuhet në reagimin e tij.

Në fund, Elmazi thekson se banorët e Sarajit e njohin punën dhe angazhimin e tij, duke shtuar se “ka kaluar koha kur sarajlitë janë turpëruar nga të zgjedhurit e tyre”.

Reagimin e përmbyll me sloganin: “VLEN NJË. VLEN PO VJEN…”.

© POPULLI.mk

adv

Ndarja nga VLEN, ministër i Mickoskit dhe afrimi me Ali Ahmetin! Kujt i shërben Fatmir Limani?

0

Fatmir Limani deklaroi sot publikisht se prej kohësh rrugët e tij janë ndarë me koalicionin VLEN, duke konfirmuar një distancim politik që, sipas tij, nuk është i ri, por vetëm tani po bëhet i qartë për opinionin, shkruan POPULLI.mk

Megjithatë, pavarësisht kësaj ndarjeje, Limani vazhdon të mbajë postin e ministrit në Qeverinë e udhëhequr nga Hristijan Mickoski. Kjo situatë krijon një paradoks politik. Një figurë që nuk është më pjesë e VLEN-it, por që mbetet pjesë e ekzekutivit të Mickoskit edhe pse VLEN e emëroi për ministër.

Në këtë kontekst, vlerësojmë se praktikisht Limani tashmë pozicionohet si ministër i Mickoskit, duke ngritur pikëpyetje mbi përkatësinë dhe orientimin e tij aktual politik.

Ndërkohë, zhvillimet e fundit kanë nxitur edhe interpretime të tjera në skenën politike. Pas ndarjes nga VLEN-i, është vërejtur një afrim i mundshëm i Limanit me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, çka ka shtuar dilemat për lëvizjet e tij të ardhshme.

Kjo situatë hap një pyetje thelbësore se kujt po i shërben aktualisht Fatmir Limani, Qeverisë së Mickoskit, një agjende tjetër politike, apo një strategjie personale në pritje të rikonfigurimit të skenës politike? / © POPULLI.mk

adv

Libri i Demush Bajrami që zbërthen pushtetin e komunikimit në kohën e algoritmeve

0

Komunikimi si pushtet dhe liri, që zbërthen epokën digjitaleë , është libri më i ri universitar i Prof. dr. Demush Bajramit, me titull: “Arkitektura e bindjes: Komunikimi politik nga Agora te demokracia digjitale”. Ky libër sjell një perspektivë bashkëkohore dhe të argumentuar mbi sfidat e demokracisë në epokën e “pas së vërtetës”, duke ofruar një analizë të balancuar mes rreziqeve dhe mundësive që sjell teknologjia.

Në një kohë kur komunikimi po riformëson vetë strukturën e pushtetit dhe të demokracisë, publikohet një libër i ri që analizon në mënyrë kritike komunikimin politik në epokën digjitale.

Duke u nisur nga ideja se komunikimi është “substanca e kulturës dhe shoqërisë”, libri me titull: “Arkitektura e bindjes: Komunikimi politik nga Agora te demokracia digjitale”, i Prof. dr. Demush Bajramit, trajton evolucionin historik të komunikimit politik, nga format tradicionale deri te dominimi i mediave digjitale dhe rrjeteve sociale. Një vëmendje e veçantë i kushtohet fenomeneve si “spin-doctoring”, manipulimit të informacionit dhe ndikimit të algoritmeve në formësimin e opinionit publik.

Recensuesit Prof. dr. Zamir Dika dhe Prof. dr. Bujar Hoxha, vlerësojnë se libri sjell një perspektivë bashkëkohore dhe të argumentuar mbi sfidat e demokracisë në epokën e “pas së vërtetës”, duke ofruar një analizë të balancuar mes rreziqeve dhe mundësive që sjell teknologjia.

Redaktori Dr. sc. Admir Qose, ka kontribuar në strukturimin akademik të veprës, ndërsa botuesi – Universiteti i Evropës Juglindore ka mundësuar publikimin e tij për një audiencë më të gjerë, duke përfshirë në rend të parë, studentët, studiuesit, gazetarët dhe vendimmarrësit politikë.

Libri paraqitet si një udhërrëfyes për të kuptuar se si Homo sapiens-i komunikon, mendon dhe vepron në një realitet të ndërmjetësuar nga algoritmet dhe platformat digjitale.

adv

Çmimet e karburantit godasin aviacionin, biletat drejt shtrenjtimit

0

ndustria globale e aviacionit po përballet me një nga sfidat më të mëdha të viteve të fundit, ndërsa rritja e fortë e çmimeve të karburantit të avionëve, e nxitur nga tensionet dhe përplasjet ushtarake mes SHBA-ve, Izraelit dhe Iranit, po detyron linjat ajrore të rishikojnë planet e tyre operacionale. Pasojat po ndihen drejtpërdrejt nga miliona pasagjerë në të gjithë botën, të cilët përballen me çmime më të larta biletash, më pak alternativa fluturimi dhe rrezik më të madh për anulime.

Sipas të dhënave nga firmat analitike të aviacionit, për periudhën nga 1 qershori deri më 30 shtator janë reduktuar rreth 9.3 milionë vende në fluturimet globale. Kjo ulje e kapacitetit ka krijuar një presion shtesë mbi çmimet, duke i shtyrë ato edhe më lart, për shkak të kërkesës së lartë dhe ofertës më të kufizuar. Në tregje të mëdha si SHBA-të, Europa, Kina, Japonia dhe Australia, kompanitë ajrore kanë reduktuar frekuencën e fluturimeve dhe kanë rritur tarifat. /Alsat.mk

adv

Arsenali e prenë biletën për Budapest, është finalisti i parë i Championsit sivjet

0

Arsenali është finalisti i parë i Ligës së Kampionëve, për sezonin 2025/26.

Skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta e ka prerë biletën për në Budapest, pas fitores 1-0 ndaj Atletico Madridit në “Emirates”, duke siguruar finalen pas rezultatit të përgjithshëm prej 2-1.

Golin e fitores për Arsenalin e shënoi kapiteni Bukayo Saka, shkruan “Gazeta Express”.

Ylli anglez e gjeti golin në minutën e 45-të, pasi u gjend më së miri në zonë, pasi goditja e Leandro Trossardit u ndalë nga Jan Oblaki dhe ra në këmbët e Sakas.

Ky ishte rasti i vetëm i pjesës së parë, pasi gjatë tërë 45-minutëshit të parë pati vetëm disa gjysmë-raste, teksa posedimi ishte i Arsenalit.

Mirëpo, pjesa e dytë nisi më furishëm për Atleticon, i cili pati disa raste të mira shënimi.

Më i miri ndër to ishte ai i Giuliano Simeones, i cili dështoi të shënoi në portën bosh, pasi u ndalë nga Gabriel i Arsenalit, me një ndërhyrje nga mbrapa.

Arsenali më tutje rrezikoi me Viktor Gyokeresin një herë, mirëpo që goditja e tij shkoi pak mbi portën e Oblakut.

Deri në fund, gola nuk pati, dhe kështu Arsenali e siguroi finalen e parë të Ligës së Kampionëve që nga viti 2006.

Në finalen e Budapestit, e cila luhet më 30 maj, Arsenali do ta presë fituesin e ndeshjes Bayern Munich – PSG.

Ndeshja e parë e luajtur në Paris përfundoi 5-4 në të mirë të PSG-së, me ndeshjen e nesërme që luhet në “Allianz Arena” në Mynih.

adv

BE-ja vendos një kufi për blerjet me para në dorë, duke e kufizuar atë në 10,000 euro

0

Zbatimi i vendimit të Bashkimit Evropian (BE) që kufizon pagesat në para të gatshme në një shumë deri në 10,000 euro do të fillojë në korrik 2027. Ky vendim u miratua në vitin 2024 si pjesë e një pakete masash për të luftuar pastrimin e parave dhe është pjesë e Rregullores 2024/1624.

Limiti prej 10,000 eurosh zbatohet për pagesat për mallra dhe shërbime kur të paktën njëra palë në transaksion është një person juridik, d.m.th., një firmë ose kompani.

Thënë thjesht, qytetarët e BE-së nuk do të jenë në gjendje të paguajnë, për shembull, për një makinë 50,000 euro me para në dorë nëse e blejnë atë në një sallon ekspozite.

Megjithatë, kjo dispozitë nuk zbatohet për transaksionet midis individëve. Kjo do të thotë që blerja, për shembull, e një makine të përdorur nga një shtetas tjetër do të jetë ende e mundur për shuma që tejkalojnë 10,000 euro, varësisht nga rregullat e vendit specifik.

Rregullorja ua lë shteteve anëtare mundësinë për të futur kufij më të ulët. Kufij të tillë ekzistojnë tashmë në disa vende, siç është Italia.

Publiku shpesh ka spekuluar se BE-ja po përpiqet të eliminojë paratë e gatshme në këtë mënyrë, por ekspertët ekonomikë theksojnë se me këtë masë, BE-ja nuk po e ndalon përdorimin e parave të gatshme, por përkundrazi po e kufizon atë në shuma më të mëdha. Qytetarët dhe kompanitë do të jenë ende në gjendje të përdorin para të gatshme për transaksione më të vogla.

Qëllimi kryesor i këtij vendimi është luftimi i pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe zvogëlimi i transaksioneve të mëdha anonime.

Sipas Euronews, duke futur kufizimin, BE dëshiron të ridrejtojë më shumë transaksione në kanale të gjurmueshme, gjë që do të zvogëlojë mundësinë e abuzimit. Komisioni Evropian beson se në këtë mënyrë rregullat do të harmonizohen dhe “shpatullat” e përdorura nga grupet kriminale do të mbyllen.

Pastrimi i parave është një problem global. Vlerësimet e Kombeve të Bashkuara tregojnë se midis dy dhe pesë përqind të PBB-së globale, ose deri në 1.87 trilion euro, pastrohet çdo vit.

Raporti i vitit 2023 zbuloi se pothuajse 70 përqind e rrjeteve kriminale në BE përdorin pastrimin e parave për të financuar aktivitetet e tyre dhe për të fshehur asetet, ku shumica e tyre përdorin para të gatshme.

Komisioni Evropian thekson se shumat e mëdha të parave të gatshme janë “të vështira, nëse jo të pamundura, për t’u lidhur me një krim specifik”.

Paketa e masave do të hyjë në fuqi në korrik 2027. Brenda kuadrit të saj, do të krijohet një autoritet i ri evropian kundër pastrimit të parave, me seli në Frankfurt, i cili më pas do të marrë kompetenca të plota.

adv

Tramp paralajmëroi pezullim të operacionit për shoqërimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit

0

Presidenti amerikan, Donald Tramp, ka njoftuar se operacioni për shoqërimin e anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit do të pezullohet për një periudhë të shkurtër kohore, pasi është arritur përparim i madh drejt një marrëveshjeje të plotë dhe përfundimtare me përfaqësuesit e Iranit. Në një postim në Truth Social, Tramp tha se vendimi u mor me kërkesë të Pakistanit, i cili po ndërmjetëson bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit, për të parë nëse marrëveshja mund të finalizohet dhe nënshkruhet. Njoftimi i Trampit erdhi pas një konference për shtyp të sekretarit amerikan të Shtetit, Marko Rubio, i cili deklaroi se fushata ushtarake amerikane kundër Iranit, e quajtur “Tërbimi Epik” ka përfunduar, por nuk shkoi deri aty sa të thoshte se konflikti ka mbaruar ose që nuk mund të rifillojë.

“Operacioni “Tërbimi Epik” ka përfunduar. Ne i arritëm objektivat. Nuk dëshirojmë që të ndodhë një situatë tjetër. Do të preferonim rrugën e paqes. Ajo që do të preferonte presidenti është një marrëveshje. Ai do të preferonte të ulej, të hartonte një memorandum mirëkuptimi për negociata të ardhshme që prekin të gjitha temat kyçe që duhet të trajtohen, një hapje të plotë të ngushticave në mënyrë që bota të mund të kthehet në normalitet. Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë diçka për faktin se ne jemi i vetmi vend në Tokë që mund të bëjë diçka për të hapur një korridor brenda Ngushticës së Hormuzit,” tha Marko Rubio, Sekretar Amerikan i Shtetit.

Ndërkohë ministri i Jashtëm iranian, Abas Araghchi, ka deklaruar se Irani do të pranojë vetëm një marrëveshje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse në negociatat me SHBA-në për përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme.  Ai nuk i është përgjigjur drejtpërdrejt vendimit të Trumpit për një pauzë në operacionin amerikan për shoqërimin e anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit. Ngushtica është praktikisht e mbyllur që nga fillimi i konfliktit më 28 shkurt, duke bllokuar rreth 20% të furnizimit botëror me naftë dhe duke shkaktuar një krizë globale energjetike. /Alsat.mk

adv