VLEN: Qëndrojmë fuqishëm krah SHBA në mbrojtje të stabilitetit global
Rritet çmimi i derivateve të naftës në Maqedoni
Komisioni Rregullator i Energjetikës, i Shërbimeve të Ujit dhe i Shërbimeve të Menaxhimit me Mbeturina Komunale i Republikës së Maqedonisë së Veriut (KRRE) solli vendimin, me të cilin bëhet rritja e çmimeve të shitjes me pakicë të derivateve të naftës mesatarisht 1,13 % në raport me vendimin e datës 27.2.2026.
Çmimet e shitjes me pakicë të benzinës EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98 rriten për 1,00 den/l. Çmimet e shitjes me pakicë të EURODIZELIT (D-E V) dhe të VAJIT EKSTRA TË LEHTË PËR AMVISËRI (EL-1) nuk ndryshojnë. Çmimi i shitjes me pakicë i Мazutit М-1 SU rritet për 1,022 den/kg dhe do të jetë 35,542 den/kg.
Nga data 3.3.2026, ora 00:01 çmimet maksimale të derivateve të naftës do të jenë:
- Benzinë motori EUROSUPER BS 95 – 74,50 (denarë/litër)
- Benzinë motori EUROSUPER BS 98 – 76,50 (denarë/litër)
- Naftë motori EURODIZEL BS (D-E V) – 71,00 (denarë/litër)
- Vaj për Djegie Ekstra i Lehtë 1 (EL-1) – 70,00 (denarë/litër)
- Mazut М-1 SU 35,542 (denarë/kilogram).
“Perandoria 95 miliardë dollarëshe”, çfarë fshihet pas pasurisë së Ali Khamenei?
Pasuria e liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei, ka qenë për vite me radhë një nga temat më të debatueshme në botë, për shkak të mungesës së transparencës dhe lidhjes së saj me struktura shtetërore.
Sipas një hetimi të gjerë të agjencisë ndërkombëtare Reuters, ai kontrollonte një perandori financiare përmes fondacionit “Setad”, e cila vlerësohej rreth 95 miliardë dollarë.
Hetimi tregonte se:
– rreth 52 miliardë dollarë përbëheshin nga prona dhe pasuri të paluajtshme,
– ndërsa rreth 43 miliardë dollarë ishin të investuara në kompani, aksione dhe biznese strategjike si banka, telekom, energji dhe industri.
Fondacioni “Setad” u krijua pas revolucionit islamik për të menaxhuar pronat e konfiskuara, por me kalimin e viteve u shndërrua në një konglomerat ekonomik gjigant.
Ndërkohë, disa vlerësime politike nga burime amerikane kanë pretenduar se pasuria nën kontrollin e tij mund të arrijë deri në 200 miliardë dollarë, megjithëse këto shifra nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Ekspertët theksojnë se bëhet fjalë kryesisht për pasuri nën kontroll politik, jo për para personale direkte si ato të miliarderëve privatë.
Në publik, Khamenei njihej për një stil jetese relativisht të thjeshtë, ndërsa fuqia e tij reale konsiderohej më shumë ekonomike dhe politike sesa personale financiare.
Siljanovska-Davkova: Nuk jemi të ekspozuar ndaj paqëndrueshmërisë nga Lindja e Mesme
“Situata është stabile dhe e sigurt bazuar në të dhënat e agjencive të inteligjencës dhe sigurisë kombëtare, si dhe të dhënat nga ministritë e punëve të jashtme, të brendshme dhe të mbrojtjes, së bashku me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë”, deklaroi presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova, për mediat pas përfundimit të seancës së Këshillit të Sigurisë në Vilën Presidenciale Vodno, e thirrur për shkak të përkeqësimit të situatës në Lindjen e Mesme.
“Ne nuk jemi tani të ekspozuar ndaj paqëndrueshmërisë, as nuk ka rrezik për sigurinë brenda vendit dhe në rajon. Ekziston një sistem i paralajmërimit të hershëm për shkak të koordinimit të të gjitha organeve kompetente, dhe ai është shumë i rëndësishëm dhe i lidhur me monitorimin e vazhdueshëm të situatës ushtarake. Kështu, institucionet monitorojnë situatën brenda kompetencave të tyre, analizojnë gjendjet, koordinohen, informojnë, dhe për këtë arsye mendoj se kjo vlerësim për stabilitetin dhe sigurinë është i rëndësishëm dhe relevant”, theksoi presidentja Silanovska-Davkova duke shtuar se bëhen rregullisht vlerësime të rreziqeve dhe se të gjithë të pranishmit në takimin që zgjati më shumë se dy orë në Vila Vodno, angazhuan vazhdimin e këtij procesi.
“Sigurisht, jemi në koordinim edhe me organet në rajon. NATO ende nuk ka mbajtur një seancë të posaçme, por Këshilli i Sigurisë ka mbajtur mbledhje. Sigurisht që informacionet rajonale do të ndahen. Seanca ishte e gjatë për shkak të thellësisë së analizave dhe të informacionit. Në situata të tilla gjithmonë mendojmë për ndikimin e mundshëm jo vetëm në siguri, por edhe në ekonomi, përdorimin e energjenteve, etj. Në këtë kontekst, autoritetet informuan se nuk ka probleme, interkonjektori midis Greqisë dhe nesh tashmë është funksional. Ligji parashikon të sigurohet rezerva e naftës për 40 deri në 90 ditë dhe kjo është plotësuar. Nga ajo që kam dëgjuar unë si presidente, mund të them se kam bindje të fortë, jo vetëm institucionale por edhe të dokumentuar me të dhëna, që nuk ka arsye për t’u shqetësuar tani. Sigurisht, do të vazhdojmë të ndjekim situatën dhe do të reagojmë në mënyrë adekuate”, deklaroi Siljanovska-Davkova.
Albin Kurti premton pagën e 13-të në fund të marsit, a do të realizohet?
Me një premtim të rëndësishëm për punëtorët e sektorit publik, Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se paga e 13-të do të shpërndahet në fund të marsit.
Por, a do të realizohet ky angazhim, apo do të mbetet vetëm një premtim elektoral?
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti theksoi se ky angazhim është pjesë e përmbushjes së zotimeve të tij gjatë fushatës. Buxheti për vitin 2026, i miratuar nga Kuvendi, parashikon rreth 4 miliardë euro, duke përfshirë edhe pagën e 13-të.
Miratimi i Buxhetit më 20 shkurt ka krijuar shpresë për punëtorët e sektorit publik, të cilët presin me padurim ekzekutimin e kësaj pagese. Presidentja Vjosa Osmani gjithashtu ka dekretuar Ligjin mbi ndarjet buxhetore, duke e bërë këtë proces më të sigurt.
Megjithatë, përfaqësuesit e sindikatave shprehen skeptikë. Ata kërkojnë që institucionet të zbatojnë premtimin e dhënë me transparencë dhe pa vonesa. Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK, thekson se deri tani nuk ka pasur asnjë takim me ministrin e ri për të diskutuar këtë çështje.
Jasharaj shprehet se punëtorët e arsimit janë në pritje të realizimit të premtimit për pagën e 13-të, duke kërkuar që të shohin nëse fjalët e Kurtit do të kthehen në vepra. Ai thekson se është e rëndësishme që pagat të ekzekutohen siç është premtuar.
Ali Gashi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Administratës, gjithashtu kërkon që paga e 13-të të ekzekutohet pa vonesa. Ai thekson se nuk ka pasur asnjë komunikim zyrtar nga Ministria e Financave, duke lënë hapësirë për dyshime.
Avdi Hoti, kryetar i Sindikatës së Policisë, thekson se pagesa e 13-të është një premtim elektoral dhe tani është e përfshirë në buxhetin e miratuar. Ai shpreson që në fund të marsit të realizohet ky angazhim, duke e konsideruar si një test për qeverinë.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka sqaruar se paga e 13-të do të jepet vetëm për ata që kanë punuar për 12 muaj. Kjo do të thotë se ata që kanë filluar punën së fundmi do të duhet të presin deri vitin e ardhshëm për të marrë këtë pagesë, duke shtuar një tjetër nivel kompleksiteti në këtë situatë.
Albin Kurti takon Lumir Abdixhiku për çështjen e Presidentit/es
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot do të takohet me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për çështjen e zgjedhjes së presidentit në vend.
Ende nuk dihet vendi dhe ora e mbajtjes së takimit. Takimet e fundit Kurti me liderë të partive politike janë mbajtur në ambientet e Kuvendit të Kosovës.
Kurti në Këshillin e Përgjithshëm të kësaj partie, tha se duke pas kohën e shkurtër për zgjedhjen e presidentit, ka filluar menjëherë angazhimin për tejkalimin e kësaj sfide, duke nis takimin me subjektet politike parlamentare.
Të shtunën, Kurti ka takuar kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza për herën e dytë sa i për këtë çështjes së presidentit. Po kështu të hënën ka për të takuar Albin Kurti edhe Lumir Abdixhikun.
RMV, Shqipëria, Kosova, e të tjerat drejt një tregu unik celular me BE-në
Komisioni Evropian parashikon që udhëtarët nga BE-ja duhet të përfitojnë gjithashtu nga tarifa më të favorshme të roaming-ut celular në Ballkanin Perëndimor. Për këtë qëllim, Komisioni propozon fillimin e negociatave me Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, siç është njoftuar nga autoriteti me seli në Bruksel. Plani tani kërkon miratimin e shteteve anëtare të BE-së.
Marrëveshjet vullnetare midis operatorëve të rrjeteve celulare tashmë lejojnë tarifa pjesërisht të ulura në Ballkanin Perëndimor. Nëse negociatat e planifikuara çojnë në një marrëveshje, udhëtarët mund të përdorin, për shembull, telefonat e tyre inteligjentë siç do të bënin në vendin e tyre. Ata më pas do të paguanin të njëjtën shumë për shërbimet jashtë vendit siç paguajnë në vendin e tyre. Që nga mesi i vitit 2017, njerëzit që jetojnë në BE nuk kanë pasur nevojë të paguajnë tarifa shtesë roaming për telefonat celularë kur udhëtojnë në vende të tjera të BE-së.
Bashkimi Evropian parimisht ka predispozitën t’i pranojë të gjashtë vendet në BE. Megjithatë, nga të gjitha këto shtetet ende pritet të provojnë konkretisht zbatimin e reformave. Sipas analizës së fundit nga Komisioni Evropian, Mali i Zi është më përpara në procesin e pranimit në BE – negociatat me Podgoricën mund të përfundojnë deri në fund të vitit.
Temperaturat për ditën e sotme
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë kryesisht me vranësira. Nëpër disa lugina do të ketë kushte për paraqitje të mjegullës dhe do të fryjë dhe erë e dobët nga drejtimi jugor.
Temperature minimale do të jetë në interval prej -4 deri në 2, ndërsa ajo maksimale do të arrij prej 12 deri në 17 gradë.
Edhe në Shkup dhe rrethinë moto do të jetë me vranësira dhe I qetë. Në disa pjesë të luginës në mëngjes do të ketë kushte për mjegull. Temperatura minimale do të ulet në 0, ndërsa ajo maksimale do të arrij në 16 gradë Celsiusë.
Ajatollah Ali Khamenei ishte në krye të shtetit për 37 vjet
Ajatollah Ali Khamenei ishte në krye të shtetit për 37 vjet
Irani konfirmoi sonte se Ali Khamenei, udhëheqësi suprem i Iranit, është vrarë.
Khamenei kishte qenë në krye të shtetit që nga viti 1989, kur mori detyrën pas vdekjes së Ruhollah Khomeini. Për gati 37 vjet, ai mbajti detyrën më të lartë fetare dhe politike në Republikën Islamike, me autoritet të drejtpërdrejtë mbi qeverinë, forcat e armatosura dhe gjyqësorin. Si ajatollah, ai mbajti gjithashtu autoritetin më të lartë fetar midis klerit shiit.
Lajmi për vdekjen e tij u njoftua përmes kanaleve zyrtare dhe një mesazh me përmbajtje fetare u shfaq në llogarinë e tij në Twitter:
“Në emrin e lartë të Haidarit (Imam Aliut), paqja qoftë mbi të. Pa të nuk ka qiell as tokë. Pa të nuk ka dashuri si Zeinabja.”
Ndërkohë, festimet po zhvillohen në të gjithë Teheranin.
Trump e përshkroi Khamenein si të keqen përfundimtare dhe një njeri të lig. “Ai vrau shumë njerëz. Shumë, shumë njerëz. Ai shkatërroi shumë jetë. Ai shkatërroi shumë familje dhe shkatërroi vendin”, tha Trump.
Sipas informacioneve jozyrtare, u vranë edhe anëtarë të familjes së tij të ngushtë.
11 shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë kërkuar evakuim nga Izraeli
Në përfaqësinë diplomatiko-konsullore në Tel Aviv, njëmbëdhjetë shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë kërkuar zyrtarisht evakuim nga Izraeli.
Sipas informacioneve të fundit, hapësira ajrore mbetet e mbyllur të paktën deri të hënën.
Pas rihapjes së saj do të shqyrtohen mundësitë dhe modelet për organizimin e një evakuimi eventual, në përputhje me rrethanat dhe gjendjen e sigurisë.
Ministria e Jashtme njoftoi se në këtë fazë, rekomandimi për shtetasit e vendit është që të ndjekin me kujdes njoftimet zyrtare të autoriteteve izraelite, të veprojnë në përputhje me protokollet e sigurisë dhe të qëndrojnë në strehimore kur kjo urdhërohet.
“Sa i përket përfaqësive diplomatiko-konsullore në Doha dhe Abu Dabi, deri në këtë moment asnjë shtetas i Maqedonisë së Veriut nuk ka kërkuar evakuim”, informoi MPJ.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, përmes rrjetit social X shprehu mbështetje të qartë për koordinimin aleat në përballjen me kërcënimet destabilizuese në Lindjen e Mesme, duke theksuar rëndësinë e një qasjeje të përbashkët në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.
“Qëndrojmë me aleatët tanë amerikanë në përballjen me kërcënimet që minojnë stabilitetin e Lindjes së Mesme. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë të qartë se diplomacia është gjithmonë opsioni i parë, por se parandalimi mbetet i domosdoshëm kur ekzistojnë rreziqe të besueshme”, theksoi ministri Mucunski.
Po ashtu, ministri njoftoi se përfaqësitë diplomatiko-konsullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut në rajon janë në komunikim dhe angazhim aktiv për të mbështetur dhe asistuar shtetasit e Maqedonisë së Veriut, duke garantuar sigurinë e tyre dhe mbrojtje të plotë konsullore.
Ndryshe, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë nisur të shtunën sulme në disa qytete të Iranit.









