13.8 C
Skopje
E martë, 2 Qershor, 2026
Home Blog Page 64

Nuk ka interesim për President nga familja Jashari!

0

Murat Jashari, djali i Rifat Jasharit ka deklaruar se nuk është i interesuar të bëhet president i Kosovës, edhe pse emri i tij u përfol këto ditë nga qarqe politike, pasi më 4 prill i përfundon mandati presidentes Vjosa Osmani.

Në një intervistë, ai ka theksuar se këtë pozitë do ta pranonte vetëm në gjendje të jashtëzakonshme, teksa ka shtuar se gjithmonë është i gatshëm, nëse është nevoja të sakrifikohet për vendin.

“Partitë po shprehin gatishmërinë e tyre, ato po shpresojnë në këtë çështje. Unë i falënderoj që na besojnë ose më besojnë për pozita të tilla. Por ua kam bërë të qartë se cilat janë arsyet pse unë nuk e bëj, sepse mbi supet e mia rëndon një barrë e madhe. Vetëm në gjendje të jashtëzakonshme, ruana Zot ndonjë luftë civile, ndonjë rrezik i madh kombëtar ku cenohet bërthama e kombit tonë dhe e vendit tonë, atëherë kush jam unë të mos sakrifikohem për këtë vend? Pra, unë jam gjithmonë i gatshëm, me gjithë fëmijët që m’i ka falë Zoti, të sakrifikohem për këtë vend. Ama jo ta keqpërdor emrin e familjes Jashari për pozita personale. Këto duhet t’i kuptojë opinioni i gjerë.

Mes të qenit në pozita publike dhe profesionit që kam, si dhe pjesës së familjes që jam, unë i zgjedh këto të fundit. Partitë politike, ose politika nëse e përkthejmë me gjuhën tonë të bukur shqipe, i bie menaxhim i punëve publike. Pra, ata që dalin në zgjedhje e kanë për obligim, sepse marrin besimin dhe taksat e qytetarëve. Në politikë jemi për t’i menaxhuar këto dy gjëra dhe ata duhet të gjejnë zgjidhje për këtë punë, sepse e kanë besimin dhe taksat e qytetarëve,”- tha Jashari.

adv

Njëzet e dy vjet nga vdekja e presidentit Boris Trajkovski

0

Para njëzet e dy viteve, më 26 shkurt në Rotimlje afër Mostarit në një aksident aeroplani humbën jetën ish presidenti Boris Trajkovski, anëtarët e kabinetit të tij dhe ekuipazhi i aeroplanit. Përvjetori i vdekjes së presidentit Boris Trajkovski do të shënohet sot në Shkup, në qytetin e tij të lindjes, Strumicë, dhe në Rotimlje.

Anëtarët e familjes, delegacione shtetërore dhe të tjera do të vendosin lule te varri i Trajkovskit në varrezat e qytetit – Butel në Shkup dhe në memorialet në Rotimlje dhe Strumicë.

Presidenti Boris Trajkovski vdiq në këtë ditë të vitit 2004 në një aksident aeroplani afër Mostarit. Në aksident, përveç Trajkovskit, kanë humbur jetën Dimka Ilkova-Boshkoviq, Risto Blazhevski dhe Anita Krishan Lozanovska nga Kabineti i Presidentit, Mile Krstevski nga Ministria e Punëve të Jashtme, Boris Velinov dhe Ace Bozhinovski, anëtarë të ekipit të sigurisë, si dhe pilotët Marko Markovski dhe Branko Ivanovski.

“Kinger”-i qeveritar me të cilin presidenti Trajkovski po udhëtonte në një Konferencë Ndërkombëtare të Investimeve në Bosnje dhe Hercegovinë u rrëzua më 26 shkurt të vitit 2004 në hyrje të Matiq Bërdos pranë fshatit Huskoviqi afër Mostarit. Aeroplani ishte planifikuar të ulej në aeroportin e Mostarit në orën tetë sipas kohës lokale. Mbetjet u gjetën 24 orë pas rrëzimit të aeroplanit.

Nga hetimi fillestar të kryer nga autoritetet kompetente maqedonase dhe boshnjake, rezultoi se shkaku i rrëzimit ishin gabimet e ekuipazhit të bëra gjatë procedurës së afrimit në aeroportin e Mostarit në kushte komplekse meteorologjike, mjegull të dendur dhe vranësira.

Me kërkesë të autoriteteve maqedonase, pas mbledhjes së provave shtesë nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, në janar të vitit 2013 u hap një hetim i ri, i udhëhequr nga një ekip ndërkombëtar i udhëhequr nga Omer Kuliq. Dhe raporti i tyre përmendi gabimet e ekuipazhit dhe dështimet e sistemit si shkaqet kryesore të aksidentit.

Boris Trajkovski u lind në Strumicë më 25 qershor të vitit 1956. Ai ishte presidenti i dytë i Republikës së Maqedonisë nga 15 dhjetor i vitit 1999 deri më 26 shkurt të vitit 2004.

Trajkovski u diplomua në Fakultetin Juridik në vitin 1980, specializoi ligjin tregtar dhe të drejtën e marrëdhënieve të punës.

Nga 21 dhjetori i vitit 1998 ka mbajtur postin e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme në Qeverinë e udhëhequr nga Ljubço Georgievski. Trajkovski ishte edhe kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme të VMRO-DPMNE-së, këshilltar kryesor politik për politikë të jashtme të kryetarit të partisë, anëtar i Kryesisë së organizatës joqeveritare Lëvizja Panevropiane për Republikën e Maqedonisë dhe të konferencës ndërkombëtare “Zgjidhja e konflikteve” me seli në Atlanta, SHBA. Ai ishte kryetar i rinisë në Kishën e Bashkuar Metodiste në ish Jugosllavi për më shumë se 12 vjet.

Ai u zgjodh president i Republikës së Maqedonisë në vitin 1999. Shërbeu si kreu i shtetit deri më 26 shkurt të vitit 2004, kur vdiq në një aksident aeroplani në afërsi të Mostarit.

adv

Moti sot

0

Moti sot me diell dhe me vranësira të vogla deri në mesatare. Do të fryjë erë mesatare, herë pas here e përforcuar nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të jetë në intervalin prej -4 deri në 5 gradë, ndërsa ajo maksimale do të arrijë nga 9 deri në 16 gradë.

Në Shkup dhe rrethinë do të mbaj mot i ngjashëm, me diell dhe me vranësira të lehta deri në mesatare. Do të fryjë erë e lehtë nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 0, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri në 14 gradë Celsiusë.

adv

Arben Fetai mbetet pa asnjë deputet, Demiri dhe Musa rreshtohen krah Azir Aliut

0

Krahu i Arben Fetai në Aleanca për Shqiptarët ka mbetur pa asnjë përfaqësues në Kuvend, pas lëvizjeve të fundit brenda subjektit politik. Sonte, në një iftar të përbashkët me struktura partiake të afërta me ministrin Azir Aliu, deputeti i pavarur Ilir Demiri u rreshtua publikisht krah tij, shkruan Gazeta Flaka.

Burime brenda partisë bëjnë të ditur se edhe deputetja Mimoza Musa, e cila konsiderohej pjesë e ASH-së së pretenduar nga Fetai, ka vendosur të përkrahë opcionin e Aliut.

I pyetur nëse takimet e fundit dhe lëvizjet politike lidhen me krijimin e një partie të re, Aliu theksoi se qëndrimi i tij ka qenë i qartë që nga fillimi: prioritet mbetet bashkimi i Aleancës për Shqiptarët dhe jo thellimi i ndasive.

Ai nënvizoi se përçarjet nuk janë në dobi të qytetarëve dhe se angazhimi i tij dhe i grupit që përfaqëson ka qenë dhe mbetet forcimi i strukturave dhe ruajtja e unitetit brenda subjektit politik. Për përplasjet e brendshme, Aliu tha se ato janë procese të natyrshme dhe demokratike, të pranishme në çdo organizim, por me synimin përfundimtar forcimin e subjektit.

“Në fund të fundit, Ilir Demiri është pjesë e Aleancës për Shqiptarët. Së bashku kemi filluar dhe së bashku duhet të vazhdojmë,” theksoi Aliu.

Me këto zhvillime, krahu i Fetait mbetet pa asnjë mandat parlamentar nga zgjedhjet e vitit 2024. Më herët, Mimoza Musa ishte pjesë e ASH-së së udhëhequr nga Arben Taravari, por pas ndarjes brenda partisë ajo kaloi te krahu i mbetur në VLEN dhe në qeveri. Ndërkohë, deputeti nga Struga, Salim Sulejmani, u tërhoq nga posti i deputetit, ndërsa vendin e tij, sipas listës zgjedhore, e zuri Dr. Valbona Adili Emini nga Lëvizja Besa.

Pas largimit të Musës, opsioni politik i Fetait mbetet pa asnjë deputet në Kuvend. Në bazë të realitetit të ri, Fetai mund të humbas edhe postin që mban aktualisht, zëvendëskryeministër në kabinetin e Mickoskit.

Ndërkohë, Fetai njoftoi se të enjten në mbrëmje do të mbahet një takim i jashtëzakonshëm me strukturat nga i gjithë vendi, ku pritet të merret vendim për shkrirjen e strukturave partiake. Nga tabori i tij theksojnë se, si ndër kontribuuesit dhe sakrifikuesit më të mëdhenj për krijimin dhe mbajtjen gjallë të VLEN-it, po hedhin hapin e radhës drejt themelimit të VLEN-it si subjekt politik.

Megjithatë, informacionet e fundit flasin se edhe në VLEN, Fetai nuk parashikohet në hierarkinë e partisë që mund të krijohet. Gazetari Rami Mislimi ka postuar se, me propozim të Albin Kurti, mund t’i jepet rrugë formimit të VLEN-it si parti unike, me këtë përbërje të kryesisë:

adv

“Pakënaqësitë e Fetait”, Sejdiu: Të gjithë duhet të pajtohemi me rezultatet tona në terren! Te Alternativa duhet të tejkalohen teket politike nuk kanë vota kanë shumë poste

0

Për pakënaqësitë e Arben Fetait në VLEN, Blerim Sejdiu në Click Plus tha se duhet të bëhet kompromis dhe mos të shprehen pakënaqësitë individuale, që siç tha, për faktin se mendon ndryshe nuk duhet të dëmtohet dhe bllokohet VLEN-i, shkruan TV21. Sejdiu tha se duhet parë secili gjendjen në terren dhe rezultatet.

“Të gjejë gjuhën e përbashkët, kompromisit dhe të pajtohemi ne me gjendjen siç e kemi situatën politike në terren dhe rezultatet tona. Në këtë drejtim mendoj se duhet të shkojë VLEN dhe të mendojë për tablon e madhe, atë që e don populli dhe jo të shprehim atë pakënaqësitë individuale dhe të bëjmë bllokime apo dëmtime të gjithë VLEN-it për arsye se unë mendoj ndryshe. Jo. Unë mendoj ndryshe dhe kam një kufizim se deri ku mund të shkojë ai mendim i imi dhe kur e shoh së bëjë dëmtim të VLEN-it duhet të ndaloj”, tha Sejdiu.

E për Alternativën, Sejdiu tha se do të gjejnë arsyen dhe rrugën për të tejkaluar teket politike dhe shtoi se “si herën e parë që gjetën rrugën për të qenë pjesë e VLEN-it, edhe kësaj herë do tejkalojnë veten dhe do të marrin vendimet më të mira”.

adv

Edhe një ASH tjetër përçahet ASH-ja e Arben Fetahut

0

Mes zërave për përçarje brenda Aleancës për Shqiptarët dhe zhvillimeve të fundit në kampin e udhëhequr nga Arben Fetahu, ka reaguar Azir Aliu. I pyetur nëse takimet e fundit dhe lëvizjet politike lidhen me krijimin e një partie të re, Aliu theksoi se qëndrimi i tij ka qenë i qartë që nga fillimi: prioritet mbetet bashkimi i Aleancës për Shqiptarët dhe jo thellimi i ndasive.

Ai nënvizoi se përçarjet nuk janë në dobi të qytetarëve dhe se angazhimi i tij dhe i grupit që përfaqëson ka qenë dhe mbetet forcimi i strukturave dhe ruajtja e unitetit brenda subjektit politik, njofton TS

Aliu u shpreh se muaji i shenjtë i Ramazanit është një periudhë që forcon lidhjet mes qytetarëve, bashkëpunëtorëve dhe strukturave partiake, duke theksuar se përveç takimeve të rregullta të punës, gjatë këtij muaji po organizohen edhe iftare të përbashkëta, të cilat shërbejnë për afrimin dhe diskutimin e sfidave të përbashkëta.

“Sot jemi këtu me ftesë të degës në Vrapçisht për një iftar të përbashkët dhe për të bashkëbiseduar rreth sfidave politike, kulturore dhe infrastrukturore që kemi përpara,” deklaroi Aliu, njofton TS.

I pyetur nëse këto takime lidhen me krijimin e një partie të re politike, ai theksoi se qëndrimi i tij ka qenë i qartë që nga fillimi: bashkimi i Aleancës për Shqiptarët është prioritet. Sipas tij, përçarjet nuk janë në dobi të qytetarëve dhe për këtë arsye ai dhe grupi që përfaqëson kanë punuar vazhdimisht për bashkimin e strukturave partiake.

Duke folur për përplasjet e brendshme, Aliu i cilësoi ato si procese të natyrshme dhe demokratike, të pranishme në çdo organizim, por nënvizoi se qëllimi përfundimtar mbetet forcimi dhe uniteti i subjektit.

Ai rikujtoi gjithashtu se ideja fillestare e koalicionit VLEN ka qenë që në të ardhmen të shndërrohet në një parti të vetme politike. Në këtë drejtim, përmendi se Lëvizja BESA ka ndërmarrë hapa konkretë për krijimin e strukturave të përbashkëta dhe kompatibile me këtë synim.

Në fund, Aliu theksoi se Ilir Demiri është pjesë e Aleancës për Shqiptarët dhe se ideja mbetet që të gjithë anëtarët të jenë të bashkuar, ashtu siç kanë nisur rrugëtimin politik së bashku që nga viti 2017.

“Së bashku kemi filluar dhe së bashku duhet të vazhdojmë,” theksoi sonte Azir Aliu./TS

adv

Mosmarrëveshjet brenda ASH-së së Fetait kanë çuar në distancimin e deputetes Mimoza Musa, Azir Aliu, dhe zyrtarëve të tjerë

0

Distancime nga zv.kryeministri për Qeverisje të mirë, Arben Fetai. Mosmarrëveshjet brenda ASH-së së Fetait kanë çuar në distancimin e deputetes Mimoza Musa, ministrit të Shëndetësisë Azir Aliu, dhe zyrtarëve të tjerë, të cilët kanë vendosur që rrugëtimin e tyre ta vazhdojnë brenda koalicionit VLEN që së shpejti do të shndërrohet në parti politike duke i kthyer shpinën në këtë mënyrë Fetait. Mësohet se zyrtarët janë të pakënaqur me qëndrimet e Fetait rreth shkrirjes së VLEN-it në parti. Në një iftar zyrtarët të cilët kundërshtojnë qëndrimet e Fetait u bënë bashkë, duke theksuar se në këtë moment është i rëndësishëm procesi i shndërrimit të VLEN-it në parti. I pranishëm ishte edhe deputeti Ilir Demiri, i cili kohë më parë u shkëput nga Ziadin Sela, për të vepruar si i pavarur në Kuvend. Sipas ministrit të Shëndetësisë Azir Aliu, Demiri është në shtëpinë e vet dhe aty e ku e ka vendin. Aliu tha se qëllimi është dërgimi i mesazhit për unitet dhe bashkëpunim brenda strukturave të partisë gjatë muajit të Ramazanit. Në këtë iftar i vetmi nga zyrtarët e lartë që nuk ishte i pranishëm ishte Arben Fetai. /Alsat.mk

adv

BDI: Fillkovi e barazon gjuhën shqipe me zero, VLEN hesht

0

Bashkimi Demokratik për Integrim në një postim në Facebook shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë ndaj deklaratave dhe veprimeve të Ministrit të Drejtësisë, z. Igor Fillkov, i cili me qasjen e tij të fundit po e barazon gjuhën shqipe me zero në institucionet e shtetit.
Përpjekja për ta përjashtuar shqipen nga provimi i jurisprudencës, për ta minuar përdorimin e saj dhe për ta trajtuar si çështje të mbyllur, nuk është vetëm shkelje e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, por është goditje e drejtpërdrejtë ndaj Marrëveshjes së Ohrit dhe rendit kushtetues të vendit.
Gjuha shqipe është kategori kushtetuese, është kategori ligjore, e drejtë e fituar me sakrificë dhe themel i barazisë mbi të cilën qëndron shteti multietnik. Çdo tentativë për ta zbehur apo për ta përjashtuar atë përbën kthim prapa.
Po aq shqetësuese është heshtja e koalicionit VLEN, i cili në vend se të mbrojë të drejtat e qytetarëve shqiptarë, zgjedh të bëjë spektatorin përballë një tendence të rrezikshme për zhbërjen e standardeve të arritura.
BDI rikujton se barazia gjuhësore nuk negociohet dhe nuk relativizohet. Ajo zbatohet. Çdo veprim ndryshe do të hasë në kundërshtimin tonë të vendosur institucional dhe politik.
Gjuha shqipe nuk do të kthehet në zero. Ajo është pjesë e identitetit, e Kushtetutës dhe e realitetit të pakthyeshëm të këtij shteti.

adv

Mexhiti: Investime konkrete për infrastrukturë moderne në Çair

0

Asfalt i ri, trotuare të standardizuara dhe ndriçim publik, këto janë përfitimet konkrete që po realizohen në rrugën “Metodija Mitevski”, në kuadër të projekteve infrastrukturore të Komunës së Çairit, informon POPULLI.mk

Pas rregullimit dhe standardizimit paraprak të trotuareve, është përmbyllur me sukses edhe asfaltimi i rrugës, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës urbane dhe rritjes së sigurisë për këmbësorët dhe vozitësit.

Punimet nuk ndalen këtu. Si fazë përfundimtare e projektit, do të vendoset ndriçimi publik modern, i cili do ta bëjë këtë hapësirë më të sigurt, më funksionale dhe më të përshtatshme për lëvizje gjatë gjithë ditës dhe natës.

Nga Komuna e Çairit bëhet e ditur se me të njëjtin intensitet do të vazhdohet edhe me asfaltimin e rrugëve të tjera, të përfshira në projektet zhvillimore për këtë komunë.

“Në Çair po bëhet punë. Këto janë investime reale dhe standarde që qytetarët i meritojnë”, është mesazhi i kryetarit të komunës, Izet Mexhiti, duke theksuar se përmirësimi i kushteve të jetesës mbetet prioritet kryesor i qeverisjes lokale.

adv

Në seancën e Kuvendit ndryshimet ligjore për pagat e zyrtarëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve

0

Kuvendi sot duhet ta mbajë seancën e 89-të.

Në rend dite të seancës janë propozimi për ndryshime të kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Rregullator për Banim, propozim vendimet për publikimin e shpalljes publike për emërimin e anëtarit dhe kryetarit të Komisionit Rregullator për Energjetikë, Shërbime të Ujit dhe Shërbime për Menaxhim me Mbetjet Komunale, propozim vendimi për publikimin e shpalljes publike për emërimin e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informatat Publike, si dhe propozim vendimet për publikimin e shpalljes publike për zgjedhjen e anëtarit të Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi dhe për zgjedhjen e anëtarit të Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit.

Në kuadër të kësaj seance deputetët duhet të debatojnë për Propozim-ligjin për ndryshime të Ligjit pët shëndetin veterinar, Propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për identifkimin dhe regjistrimin e kafshëve, Propozim-ligjin për ndryshime të Ligjit për deputetët, si dhe Propozim-ligjin e ligjit për ndryshime të Ligjit për paga dhe kompensime tjera të personave të zgjedhur dhe të emëruar, të gjitha me procedurë të shkurtuar.

Në rend dite të seancës janë edhe Propozim-ligji për ndryshime të Ligjit për pagat e prokurorëve publik, Propozim-ligji për ndryshime të Ligjit për pagat e gjyqtarëve, Propozim ligji për ndryshime të Ligjit për pagat e anëtarëve të Këshillit të prokurorëve publik dhe Propozim-ligji për ndryshime të Ligjit për pagat e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, të gjitha me procedurë të shkurtuar.

adv