Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë refuzuar ta quajnë Rusinë agresore në deklaratën e G7-tës në përvjetorin e tretë të pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Kjo është shenjë e një thyerje tjetër në mes administratës së Donald Trumpit dhe vendeve të tjera evropiane që mbështesin Ukrainën, ka raportuar “BBC”.
Disa zyrtarë perëndimorë kanë deklaruar se përfaqësuesit e SHBA-së kanë refuzuar të quajnë Rusinë agresor apo terma të ngjashëm që janë përdorur nga aleatët e Ukrainës, që përfshinë edhe grupin e shtatë ekonomive më të avancuara.
“Amerikanët janë duke bllokuar këtë gjuhë, por ne jemi duke punuar akoma në të dhe ndoshta mund të kemi një marrëveshje”, ka deklaruar një zyrtar anonim.
CNN po ashtu ka raportuar se SHBA-ja po e mohon gjuhën që e fajëson Rusinë për luftën, dhe ka cituar një zyrtar duke thënë se është shumë shqetësuese të thuhet se është e paqartë se kush është përgjegjës për luftën.
Rusia iu bashkua G7-tës në vitet 1990-ta, por u përjashtua pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014-të.
Në fillim të shkurtit presidenti Trump ka deklaruar se Rusia duhet të pranohet përsëri, dhe se ka qenë gabim përjashtimi i saj.
Këto deklarata kanë tronditur disa anëtarë të G7-tës, me ministrin e jashtëm të Francës Jean-Nowl Barrot, që ka theksuar se kthimi i Rusisë në grup ishte “i pa imagjinueshëm”.