16.8 C
Skopje
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Targat në RKS i konvertuan 18 serbë

Kanë mbetur vetëm edhe 6 ditë deri në përmbylljen e afatit të dhënë nga Qeveria e Kosovës për konvertimin e targave ilegale të veturave në ato “RKS”.

Përkundër presionit të madh të grupeve kriminale të mbështetura nga autoritetet e Serbisë,  disa prej qytetarëve serbë kanë vendosur ta shfrytëzojnë mundësinë e ofruar nga ekzekutivi i vendit për konvertim të targave.

“Gjithsej deri më tani në të gjitha qendrat janë regjistruar 18 vetura nga qytetarët serbë me targat ‘RKS’”, ka theksuar Ardita Ademi Istrefi, udhëheqëse e Qendrës për regjistrim të automjeteve në “InfoPlus” në RTK.

Ajo ka bërë të ditur se nga ky numër 7 prej automjeteve të regjistruara janë nga regjioni i Mitrovicës.

Ndërkohë,  raportohet që rreth 3 mijë vetura me targa ilegale qarkullojnë në veri të vendit.

Ditë më parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian i kanë kërkuar institucioneve të vendit që ta shtyjnë afatin e konvertimit të targave edhe për 10 muaj, me qëllim të shmangies së tensionimit të situatës në veri.

Herën e parë ky afat ishte shtyrë në gusht për dy muaj, me kërkesën e bashkësisë ndërkombëtare, me arsyetimin e mosinformimit të duhur të qytetarëve serbë.

Megjithatë, kryeministri Kurti i pyetur sot nga gazetarët rreth kërkesës së re të BE-së ka deklaruar se nuk do të ketë shtyrje të re të këtij afati.

Të ngjajshme

Të fundit