Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka bërë presion për më shumë mbështetje për armë, gjatë një takimi të premten me liderët më të lartë ushtarakë të SHBA-së dhe më shumë se 50 vendeve të tjera partnere, që është mbajtur në Gjermani.
Thirrja e tij erdhi pak pasi Washingtoni njoftoi se do të ndante edhe 250 milionë dollarë të tjera ndihmë për sigurinë për Kievin, raporton AP.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin ka thënë se takimi i liderëve po zhvillohej gjatë një momenti dinamik në luftën e Ukrainës kundër Rusisë, ndërsa ajo po përballet me një kërcënim serioz nga forcat ruse pranë një qendre kyçe në Donbas.
Kjo është hera e parë që Zelensky po qëndron në bazën ajrore amerikane “Ramstein” në Gjermani, teksa e shfrytëzoi këtë rast për të theksuar se, sipas tij, ajo që nevojitet më shumë tani është që SHBA-ja dhe Perëndimi ta lejojnë atë të përdorë armët për të sulmuar thellë brenda Rusisë, diçka për të cilën SHBA-ja nuk e ka mbështetur nga shqetësimi se do të përshkallëzonte më tej luftën.
“Ne duhet ta kemi këtë aftësi me rreze të gjatë, jo vetëm në territorin e ndarë të Ukrainës, por edhe në territorin rus, në mënyrë që Rusia të jetë e motivuar për të kërkuar paqen”, u ka thënë Zelensky liderëve.
“Ne duhet të bëjmë qytetet ruse dhe madje edhe ushtarët rusë të mendojnë për atë që u nevojitet: paqen apo Putinin”, ka shtuar ai.
Deri më tani, sulmi i befasishëm brenda territorit të Kurskut të Rusisë, gjatë të cilit, sipas Zelenskyt ushtria e Ukrainës ka arritur të kap rreth 1,300 kilometra të territorit rus, dhe të vrasë e plagosë rreth 6,000 ushtarë rusë, nuk e ka tërhequr vëmendjen e presidentit, Vladimir Putin nga marrja e qytetit ukrainas të Pokrovsk, i cili ofron lidhje kritike hekurudhore dhe furnizimi për ushtrinë ukrainase.
Humbja e Pokrovsk mund të rrezikojë qytete të tjera të Ukrainës.