
Sot, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi me 71 vota emërimin e Driton Sulejmanin si zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës ku ka hapur diskutime të shumta në opinion, jo vetëm për procesin politik, por edhe për cilësinë gjuhësore të paraqitjes së tij publike. Postimi i parë zyrtar i zv.ministrit në rrjetet sociale, i cili duhej të jepte një mesazh serioz dhe profesional, është mbushur me gabime të shumta drejtshkrimore, të cilat kanë ngritur pikëpyetje për standardet e përfaqësimit në institucionin që mban përgjegjësi për arsimin.
Gabime si “Maqedonis”, “shkencës”, “kryeministrit”, “faleminderim”, “kuvendi”, “peshën”, “përparra”, “shoqërisë” dhe shumë të tjera, kanë bërë që reagimet të jenë të menjëhershme. Në një dikaster ku pritet korrektësi, profesionalizëm dhe zotërim i gjuhës, këto gabime duken jo vetëm të pakujdesshme, por edhe shqetësuese.
Emërimi i një përfaqësuesi të arsimit që niset me një komunikim publik të pasaktë ka shtuar dyshimet për mënyrën se si përzgjidhen kuadrot dhe sa vlerësohet cilësia në arsim. Qytetarët me të drejtë pyesin: Si mund të kërkohet standard i lartë në shkolla, kur vetë zyrtarët e arsimit nuk e respektojnë gjuhën shqipe në komunikimet zyrtare?
Ndërkohë që detyra e re kërkon përgjegjësi të madhe dhe përkushtim maksimal, fillimi i zv.ministrit ka hapur një debat të ri mbi seriozitetin e institucionit dhe nevojën urgjente për profesionalizëm më të lartë në udhëheqjen e sektorit të arsimit dhe shkencës.
