5.8 C
Skopje
E enjte, 5 Dhjetor, 2024

Buxhet shumë i ulët për hulumtime shkencore

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka ndarë vetëm 268 milion denarë për financimin e hulumtimeve shkencore në vitin 2023, që është 42 për qind më pak mjete krahasuar me vitin 2014, edhe përkundër faktit që të gjitha Universitetet publike në Maqedoninë e Veriut janë vazhdimisht në fund të listave ndërkombëtare për matjen e cilësisë së universiteteve.

Se shkenca do jetë një ndër viktimat e krizës ekonomike, e vërtetojnë edhe shifrat e mjeteve të ndara për këtë qëllim në tre vitet e fundit.

Tabela me mjetet e ndara

  • 2021- 405 milion denarë
  • 2022 – 414 milion denarë
  • 2023- 268 milion denarë

Në vitin 2014 për këtë qëllim ishin ndarë 789 milion denarë, që është afër katërfish më shumë. Sipas Petar Barlakovski nga Forumi Rinor Arsimor, kjo do të ndikojë që niveli i arsimit të lartë në vend të ulet edhe më shumë.

“Në qoftë se deri tani ne jemi përballur me një arsim të lartë fragjil, gjegjësisht kualitet shumë të ulët të arsimit të lartë, edhe në nivel nacional edhe ndërkombëtarë, tashmë vetëm do shkojmë më poshtë, nuk mund të presim që të rritet rejtingu i universiteteve tona qoftë në listën e Shangait apo në cilëndo listë tjetër përderisa ne vazhdimisht i ulim mjetet për arsim dhe shkencë”, tha Petar Barlakovski, drejtor ekzekutiv në Forumin Rinor Arsimor.

Barlakovski shtoi se mjetet e ulëta të ndara për shkencë përbëjnë barrë për xhepin e profesorëve të interesuar për të punuar në këtë drejtim.

“Kjo do të ndikojë edhe në motivimin e shoqërisë akademike, jemi të vetëdijshëm që edhe me këtë buxhet që e kanë, shumë pak profesorë mund të ia mundësojnë vetes udhëtimet në konferenca ndërkombëtare, krijimi i punimeve shkencore dhe ngjashëm, gjegjësisht pjesa më e madhe e këtyre harxhimeve mbulohen nga mjetet personale të vetë profesorëve”, shtoi ai.

Një ndër komponentët që universitetet të ngjiten më lartë në listat ndërkombëtare për cilësi është pikërisht edhe publikimi i sa më shumë hulumtimeve dhe botimeve shkencore të profesorëve. Këtë vit, në listën e Shangait, asnjë nga universitetet e vendit nuk ishte në listën e Shangait, për 1000 universitetet më të mira.

Të ngjajshme

Të fundit