10.8 C
Skopje
E shtunë, 30 Maj, 2026
Home Blog Page 10

Osmani në Bruksel: Po prishet Marrëveshja e Ohrit, BE duhet të reagojë urgjentisht

0

Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka shkuar në Bruksel për t’u takuar me zyrtar të Bashkimit Europian dhe për t’i informuar për ato që integristët i cilësojnë shqetësuese për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut – ndërprerja e rrugës drejt BE-së, përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe cenimin e parimeve themelore të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit.

“Për të ngritur dy çështjet kryesore nga Maqedonia e Veriut, që janë zhgënjyese për të ardhmen e vendit. Prishja e Marrëveshjes Paqësore të Ohrit dhe ndërprerja e rrugës europiane, dy tema këto që janë themeli i mirëqenies dhe të ardhmes së sigurt që qytetarëve dhe shpresoj se kjo do të ngre alarmin dhe fokusin e Bashkimit Europian për t’i ndërprerë këto dinamika”, tha Bujar Osmani.

Në një deklaratë për TV21, ish-ministri i jashtëm Osmani, tregoi se gjatë këtyre dy ditëve të qëndrimit të tij në kryeqytetin e BE-së do të flasë me përfaqësues të Komisionit Europian, përgjegjës për zgjerimin e unionit por edhe europdeputetë.

“Jam në Bruksel për takime të nivelit të lartë në Komisionin Europian, me drejtorin për zgjerim, me kabinetin e Marta Kos, shërbimin e politikës së jashtme të BE-së, si dhe një numër të eurodeputetëve nga grupe të ndryshme parlamentare në Parlamentin Europian”, deklaroi Osmani.

Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, pasi për të vazhduar para duhet të bëjë ndryshimet kushtetuese për futjen e bullgarëve në Kushtetutë.

Opozitarja Fronti Evropian ka nisur një iniciativë parlamentare për mbledhjen e nënshkrimeve për ndryshime kushtetuese me qëllim zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të vendit, duke bërë thirrje deputetëve që të mbështesin rrugën eurointegruese të vendit. Duke e komentuar këtë, kryeministri Hristijan Mickoski tha se BDI duhet të punojë për problemet që ka me kuadrin dhe programin në parti, ndërsa shtoi se çështjet shtetërore, i zgjidh qeveria.

adv

Vendkalimi në Bit-Pazar do të mbyllet pavarësisht kundërshtimeve

0

Në kalimin ilegal të Bit-Pazarit, do të vendosen kangjella dhe me këtë do të mbyllet përfundimisht ky vend kalim i rrezikshëm për qytetarët. Kreu i Qytetit të Shkupit Orce Gjorgievski tha se kjo do të bëhet pavarësisht kërkesave të disa qytetarëve për legalizimin e tij. Ndërkohë, qytetarë të anketuar nga Alsat shprehen të prerë se për këtë vendkalim duhet gjetur zgjidhje, pasi mbikalimi aty nuk është i përshtatshëm për kalim e sidomos për më të moshuarit.

”Jo, nuk duhet të mbyllet. Edhe në Karposh 4 është e ngjashme ku ka edhe urë por edhe vendkalim. Duhet të vendosen semaforë dhe kështu do të hiqet rrëmuja” – tha një qytetar.

”Nuk duhet të mbyllet sepse ura është shumë e lartë dhe të moshuarit nuk mund të ngjiten. Unë mendoj se këtu duhet të vendosen semaforë.”- tha një qytetar.

”Nëse pyetem unë, duhet të mbyllët. Alternativë? Ja, ura. – tha një qytetar.

”Zgjidhje vetëm vendosja e semaforëve, pasi këtu është shumë vend i frekuentuar” – tha një qytetar.

Sipas kryetarit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, në ditët në vijim do të largohen të gjitha objektet ilegale që ndodhen në zonën ku ndodhet vendkalimi ilegal e më pas do të vendosen edhe kangjella tek vendkalimi.

“Do të largohen të gjitha objektet ilegale që ndodhen atje dhe më vonë do të mbyllet dhe vendkalimi ilegal. Kishte kërkesa nga qytetarët e asaj pjese të qytetit që ta legalizojmë atë vendkalim por jemi kategorik që ai vend duhet të mbyllet, edhe për arsye të sigurisë së qytetarëve është më mirë ashtu të jetë por edhe për shoferët”- tha Orce Gjorgjievski, kryetar i Qytetit të Shkupit.

Ura që ndodhet afër vendkalimit ilegal në Bit-Pazar, për momentin është e mbyllur. Nuk dihet nëse pas mbylljes së kalimit ilegal do të largohet edhe ura apo do të vihet në funksion për kalimtarët. Deri tani të paktën tre viktima dhe shumë aksidente trafiku kanë ndodhur pikërisht në vendin ku ndodhet vendkalimin ilegal në Bit-Pazar. /Alsat.mk.

adv

Karburantet sërish më lirë, zbritje deri më 18 maj pas marrëveshjes me OKTA

0

Vazhdon zbritja e karburanteve deri më 18 maj, edhe atë 2 denarë për benzinat dhe 3 denarë për litër. Ky është epilogu pasi Qeveria arriti marrëveshje me OKTA, për të cilën, siç tha kryeministri Hristijan Mickoski, janë zhvilluar negociata të mundimshme dhe të vështira me qëllim zbutjen e presionit të çmimeve mbi qytetarët dhe bizneset. Ai gjithashtu tha se po verifikohet informacioni se disa firma që i shfrytëzojnë çmimet e privilegjuara bëjnë reeksport të karburanteve në shtete të tjera, gjë që e quajti sjellje spekulative.

“Është e rëndësishme që zbritjet vazhdojnë për të gjitha ato kompani që praktikisht marrin nga OKTA benzinë dhe naftë. Ajo që më befasoi dhe që po e verifikojmë nëse është e saktë është fakti se disa nga kompanitë që e përdorin këtë zbritje bëjnë reeksport të benzinës dhe naftës në shtetet fqinje. Unë apeloj, nëse kjo është e vërtetë, dhe po e verifikojmë nëse është e vërtetë, se nuk ka nevojë ta bëjnë këtë, sepse ne nuk i kemi mbyllur kufijtë për qytetarët e fqinjëve tanë”, tha Hristijan Mickoski.

Sa i përket masave, Mickoski tha se ato mbeten, përkatësisht ulja e TVSH-së dhe e akcizave.

“Në këtë moment mbetemi te masa e TVSH-së së ulur për benzinat 95 dhe 98 oktanë në 10%, mbetemi te masa e akcizave të ulura; mesatarja që është në Platts FOB Itali për benzinat do të nënkuptojë akciza të ulura për 2 denarë për litër, ndërsa për naftën do të nënkuptojë 4 denarë për litër, ajo që është mesatarja nga gjysma e dytë e prillit, kështu do të jetë dy javët e ardhshme, ndërsa sa i përket TVSH-së për naftën ajo do të mbetet në 18%”, deklaroi Mickoski.

Ekspertët porosisin që Qeveria të sjellë masa të targetuara për kategoritë e rrezikuara të qytetarëve për t’i mbrojtur nga goditja e inflacionit nga çmimet e ushqimeve, sepse siç theksojnë inflacioni do të rritet, ushqimi po shtrenjtohet dhe nuk dihet sa do të zgjasë kriza.

“Është e rëndësishme të bëjmë masa që nuk do të veprojnë në mënyrë inflacionare dhe që do të mbështesin shtresat më të varfra të popullsisë, ndërsa më së shumti, siç e shihni, edhe biznesi kërkon, veçanërisht ata që janë të lidhur me kosto të larta të transportit”, tha Taki Fiti.

Ndërkohë, çmimi i naftës së papërpunuar në bursat botërore përsëri shënoi rritje të madhe, si reagim ndaj tërheqjes së Emiratet e Bashkuara Arabe nga OPEC Plus, por edhe nga frika se konflikti mes Shtetet e Bashkuara dhe Irani mund të përshkallëzohet sërish.

adv

VLEN me investime historike, 74 milionë euro për Spitalin e Tetovës

0

Ja edhe një investim kapital historik i VLENit:

Po investohen 74 milionë euro për Spitalin Klinik në Tetovë.

Ja edhe disa investime të tjera kapitale, madje “fatkeqësisht” historike.
Pse historike? Sepse për 22 vjet nuk është investuar pothuajse asgjë, asnjë investim publik, përveç në biznese familjare dhe klanore.

Më 7 mars të këtij viti u vendos gurthemeli i kampusit të ri të Universitetit “Nënë Tereza” (UNT) në Shkup, një investim strategjik prej 42 milionë eurosh që shënon një epokë të re për arsimin e lartë.

Rreth 1.7 miliard euro po investohen në Korridorin 8, një trase që kalon kryesisht në zonat me popullatë shqiptare.

Këtë muaj, pra, në maj nisin punimet e ndërtimit të aksit Shkup – Bllacë, një investim prej rreth 240 milionë euro.

Po ashtu, rreth 300 milionë euro u janë shpërndarë komunave me shumicë shqiptare për investime kapitale, duke i gjallëruar ato, sepse ishin lënë tërësisht në harresë.

E gjithë kjo as për dy vjet qeverisje të VLENit.

Me cilin nga 5 mandatet e qeverisjes së BDI-së mund të krahasohen me vetëm 2 vjet të VLEN-it?

Na thonë shpesh:
“Lini çfarë ka bërë BDI-ja, tregoni çfarë keni bërë ju.”

Dhe kur tregojmë çfarë kemi bërë dhe çfarë po bëjmë, i anashkalojnë faktet sikur nuk është thënë asgjë.

Pse bërtasin dhe bëjnë gjithë këtë zhurmë në opozitë?
Sepse, nga njëra anë, mendojnë se me këtë rrapëllimë do t’i mbulojnë dështimet e tyre politike dhe kombëtare; ndërsa nga ana tjetër, përpiqen të mbrohen nga akuzat për korrupsion dhe të justifikojnë pasurimin e paligjshëm që kanë përvetësuar.

adv

Sali Berisha kërkon avancim të të drejtave të shqiptarëve në RMV

0

Kryetari i partisë opozitare në Shqipëri, Sali Berisha i Partisë Demokratike (PD) ka kërkuar në një takim me Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski për “përparim” në të drejtat e shqiptarëve në vend, sipas një komunikate nga PD.

Berisha dhe Mucunski kanë patur një takim në kuadër të forumit të partive të qendrés të mbajtur në Zagreb.

Sipas komunikatës ai ka thënë se kjo është e rëndësishme për të patur stabilitet të Maqedonisë së Veriut dhe një shtet demokratik.

“Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha vuri në dukje rëndësinë e respektimit, mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të komunitetit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar këtë çështje si element kyç për stabilitetin e brendshëm dhe funksionimin e një shteti demokratik e gjithëpërfshirës,” tha zyra e Berishës në komunikatë.

“Garantimi i barazisë reale, i përfaqësimit të drejtë dhe i zbatimit të plotë të marrëveshjeve ekzistuese u nënvizua si kusht thelbësor për bashkëjetesë të qëndrueshme dhe besim ndërkombetar mes komuniteteve,” thuhet në komunikatë më tutje.

Mucunski deri më tash nuk ka patur ndonjë komunikatë për takimin me Berishën.

adv

Dhomat e Specializuara të Kosovës caktojnë datat për gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

0

Nga 11 deri më 15 maj do të mbahen seancat ndaj Thaçit dhe të tjerëve kundër administrimit të drejtësisë.

Kështu kanë njoftuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, teksa seancat lidhen me akuzat për vepra kundër administrimit të drejtësisë.

Zëdhënësja e Speciales, Angela Griep, në informimin javor të Dhomave të Specializuara të Kosovës, më 30 prill ka bërë me dije se në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, aktualisht, Trupi Gjykues në këtë çështje gjyqësore është në fazën e kuvendimeve.

Datat e seancave

“Afati për nxjerrjen e aktgjykimit varet nga secila çështje. Rregullorja përcakton se Trupi Gjykues ka 90 ditë për të arritur një verdikt, por mund të shtyjë kuvendimet përtej 90 ditëve në rast se, për shkak të rrethanave, kërkohet më shumë kohë”, tha ajo.

Burimi: botasot.info

adv

OJQ-të jashtë procesit: Kritika ndaj Ministrisë së Drejtësisë për Kodin Zgjedhor

0

Edhe pse Ministria e Drejtësisë pohon se sektori civil ka qenë dhe do të jetë i përfshirë në mënyrë aktive në përgatitjet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, faktet tregojnë se kjo është vetëm pjesërisht e vërtetë, pasi përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile ende nuk janë të përfshirë në mënyrë aktive në grupin e punës që përgatit ndryshimet. Në kontekstin e largimit të përfaqësuesve të LSDM-së nga grupi i punës, nevoja për pjesëmarrje aktive dhe të vazhdueshme të përfaqësuesve të shoqërisë civile në të gjithë procesin e ndryshimeve fiton edhe më shumë rëndësi. Sepse ata do të jenë një lloj kontrolluesi i procesit dhe do të jenë në gjendje të marrin pjesë në mënyrë aktive dhe të vazhdueshme me propozimet e tyre, shkruan Vërtetëmatësi.

Autor: Teofil Bllazhevski

Është e padiskutueshme që organizatat e shoqërisë civile (OJQ-të) nuk janë të përfshira në mënyrë aktive në ndryshimet në legjislacionin zgjedhor, kryesisht në Kodin Zgjedhor (KZ), një proces që është udhëhequr nga Ministria e Drejtësisë (MD) për njëfarë kohe. Edhe pse ministria e lartpërmendur e mohon këtë, dhe megjithëse Ministri Igor Filkov pohoi të kundërtën vetëm dhjetë ditë më parë, të paktën për momentin, nuk ka një vullnet të dukshëm për t’u përfshirë në mënyrë aktive në grupin e punës të përbërë nga parti parlamentare dhe deputetë të pavarur që përgatisin ndryshimet. Kjo është në kundërshtim jo vetëm me rekomandimet e OSCE/ODIHR-it për përfshirjen e OJQ-ve në një proces të tillë, por edhe me qëndrimin e Këshillit për Bashkëpunim me OJQ-të, i cili gjithashtu i bëri rekomandime Ministrisë së Drejtësisë për të përfshirë sektorin e shoqërisë civile në përgatitjen e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

Cili është qëndrimi i Ministrisë së Drejtësisë?
Ministria e Drejtësisë beson se organizatat e shoqërisë civile janë të përfshira. Përgjigja e dhënë për këtë temë, e përgatitur nga Portalb.mk, ndër të tjera, thonë:

“Në takimin me Ministrin e Drejtësisë, përfaqësuesve të nismave të pavarura civile iu dhanë udhëzime të paraqesin propozimet dhe komentet e tyre, të cilat do të shqyrtohen nga grupi i punës. Organizatat e shoqërisë civile gjithashtu do të kenë mundësi të marrin pjesë në atë seancë dhe të shpjegojnë propozimet e tyre. Kjo u pranua nga ana e tyre, që do të thotë se ata dhe institucionet kompetente do të përfshihen në proces… Prandaj, pretendimet se organizatat e shoqërisë civile nuk janë të përfshira në reformat në legjislacionin zgjedhor janë të pabaza. Ata janë të përfshirë, duhet të japin propozime dhe t’i shpjegojnë ato në kuadër të grupit të punës. Edhe kjo u pranua nga ana e tyre”, thuhet në përgjigjen për Portalb.mk.

Kjo përgjigje nga Ministria e Drejtësisë bazohet në takimin e vetëm që ata kanë pasur deri më tani me një pjesë të sektorit të shoqërisë civile, të cilat janë iniciativat e pavarura që, përveç aktiviteteve të tyre të tjera, janë të përfshira në mënyrë aktive në procesin zgjedhor me kandidatët e tyre. Megjithatë, duhet theksuar se ai takim i mbajtur më 16 prill të këtij viti nuk u mbajt me iniciativën e Ministrisë së Drejtësisë, por me kërkesë të përfaqësuesve të iniciativave të pavarura, gjë që pranohet edhe në deklaratën e Ministrisë së Drejtësisë pas takimit.

Përveç kësaj, nga përgjigja e dhënë Portalb.mk, dhe e cituar më sipër, mund të kuptohet se qëndrimi i Ministrisë së Drejtësisë është që grupi i punës për përgatitjen e ndryshimeve në legjislacion nuk do të ketë përfshirje të përhershme të OJQ-ve, por përkundrazi, “të paraqesin propozimet dhe komentet e tyre që do të shqyrtohen nga grupi i punës” dhe se “ata do të kenë mundësi të marrin pjesë në atë seancë… dhe të shpjegojnë propozimet“.

Ky qëndrim është i ndryshëm nga rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, të cilat mund të lexohen edhe në tekstin e Portalb.mk, por edhe nga rekomandimet e Qeverisë, sepse Këshilli për Bashkëpunim të Qeverisë me Shoqërinë Civile më 26.03.2026 “vlerësoi se përfshirja aktive e organizatave të shoqërisë civile është e nevojshme në ndryshimin e legjislacionit zgjedhor”. Dhe se për këto arsye Këshilli… “rekomandon që kur të hapet procesi për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor, grupi punues i koordinuar nga Ministria e Drejtësisë duhet të përfshijë edhe anëtarë nga organizatat e shoqërisë civile, të cilët do të nominohen nga Këshilli, pas thirrjes publike të publikuar më parë”.

Një rekomandim i tillë i është drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, dhe sipas informacionit të fundit të “Vërtetmatësit” nga 29.03.2026, Këshilli ende nuk ka marrë përgjigje nga Ministria e Drejtësisë.

Pa pjesëmarrjen e LSDM-së, pjesëmarrja e OJQ-ve në ndryshime merr peshë
Më datë 29.03.2026 përfaqësuesit e LSDM-së në grupin punues për ndryshimin e Kodit Zgjedhor nuk u paraqitën në takimin e katërt të këtij organi që udhëheq procesin e përgatitjes së ndryshimeve në kuadër të MD-së. Kështu, LSDM-ja në një farë mënyre shprehu dhe realizoi protestën sepse shumica e qeverisë votoi në Kuvend ndryshimet e Ligjit për Qeverinë teknike, me të cilat e ashtuquajtura “Qeveri e Przhinës” e prezantuar për zgjedhjet e vitit 2016 nuk do të ekzistojë më pas zgjedhjeve të ardhshme, si një lloj zgjidhjeje kalimtare për të dalë nga kriza e atëhershme politike.

Edhe pse ky veprim i LSDM-së u njoftua nga kryetari i partisë Venko Filipçe më 28.04.2026 dhe megjithëse reagimet fillestare nga përfaqësuesit e partive të tjera ishin se trupi punues duhet të vazhdojë me ndryshimet e Kodit Zgjedhor, ende nuk është e qartë nëse ky vendim i LSDM-së është i një natyre të përhershme dhe afatgjatë. Por sidoqoftë, fakt është se grupi i punës në Ministrinë e Drejtësisë aktualisht funksionon dhe mund të vazhdojë të funksionojë pa përfaqësuesit e LSDM-së.

Në një kontekst të tillë, pjesëmarrja e përfaqësuesve të OJQ-ve në grupin e punës në të gjitha takimet e tyre dhe njohja me të gjitha ndryshimet e konceptuara dhe të propozuara të Kodit Zgjedhor brenda grupit punues, fiton edhe më shumë rëndësi. Sepse në këtë mënyrë sektori civil do të jetë një lloj kontrolluesi i të gjithë procesit dhe do të jetë në gjendje të marrë pjesë aktive dhe vazhdimisht me propozimet e tyre.

 

Burimi: lajmpress.org

adv

Ali Ahmeti: Deklaratat e Albin Kurti po dëmtojnë gjuhën shqipe në RMV

0

Kryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka folur lidhur me statusin e gjuhës shqipe në Maqedonia e Veriut.

Në Debat Plus, Ahmeti tha se qëndrimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit kanë ndikuar në “delegjitimimin” e kërkesave të shqiptarëve dhe i kanë dhënë argumente politike kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Kurti: S’po rrezikohet gjuha shqipe në Maqedoni të Veriut, pasi s’ka qenë kurrë gjuhë zyrtare

Sipas tij, edhe deklarimet se gjuha shqipe nuk ka qenë gjuhë zyrtare kanë krijuar një situatë shqetësuese, duke u përdorur nga qarqe antishqiptare.

Ahmeti u shpreh se kjo ka ndikuar negativisht në të drejtat dhe përfaqësimin e shqiptarëve, duke theksuar se “gjuha po kontestohet dhe nuk përdoret më si më parë në institucione”.

“Që ne na delegjitimoi dhe që u dha argument Kristian Mickoskit dhe fuqi politike, që kryeministri po i mbështesë ata forca politike. Kryeministri i Kosovës po del dhe thotë se gjuha shqipe kurrë s’ka qenë zyrtare. Dhe javë të tëra antishqiptarët më të mëdhenj, e vendosnin në ekran kryeministrin e Kosovës, që mua më gërryente në shpirt, ja kryeministri i Kosovës thotë që gjuha shqipe s’ka qenë zyrtare dhe nuk është.

Ishte kryeministri i Kosovës që shqiptarëve këtu ua hoqi të drejtën legjitime, legjitimitetin… kjo me ka brengosur nga kryeministrit. Sepse i tërë devalvimi i situatës këtu, asnjë hap prapa nuk ka shkuar. Që dy vjet këtu nga një hap shkohet. Kontestohet gjuha, dhe nuk përdoret më, siç është përdorur nëpër institucione. Përfaqësimi i drejtë është heq”, ka thënë Ahmeti.

Këto komente vijnë në një kohë kur debati për gjuhën shqipe është intensifikuar në Maqedoninë e Veriut, pas protestave të studentëve shqiptarë në Shkup, të cilët kërkojnë që provimet profesionale të mund të mbahen edhe në gjuhën shqipe, në përputhje me legjislacionin ekzistues.

adv

VLEN do ta merr drejtimin e deponisë Drislla

0

Deponia Drislla pritet të kalojë në udhëheqje të re, pasi nga muaji qershor në krye të saj do të emërohet një drejtues shqiptar, shkruan POPULLI.mk. 

Deri më tani, këtë institucion e ka drejtuar një ushtrues detyre nga radhët e palës maqedonase, ndërsa ndryshimi vjen si pjesë e riorganizimeve të fundit në ndërmarrjet publike.

Sipas burimeve, me marrjen e drejtimit nga përfaqësues shqiptarë, përkatësisht nga koalicioni VLEN, synohet një menaxhim më efikas dhe rritje e transparencës në funksionimin e deponisë.

Ky zhvillim konsiderohet si një hap i rëndësishëm në përfaqësimin dhe përfshirjen më të gjerë në institucionet kyçe publike. / © POPULLI.mk

adv

VV: 15 vende më lart, media në Kosovë vlerësohet për lirinë e saj

0
Kosova përparon për 15 vende në lirinë e shtypit sipas indeksit 2026 nga Reporterët pa Kufij.
Në Kosovë gjithmonë ka ekzistuar një nivel i lartë i lirisë së medias dhe hapësirë për shprehje të lirë. Këtë e kanë konfirmuar raporte të ndryshme, vendore dhe ndërkombëtare, vit pas viti.
Një çështje që ky raport e nënvizon, dhe që edhe raporte të tjera vendore dhe ndërkombëtare vazhdojnë ta theksojnë, është ndikimi i grupeve të caktuara të biznesit në mediat private. Kjo gjë mbetet ende shqetësuese.
Raporti e shpreh këtë në mënyrë të qartë: “Nëpërmjet pronarëve të tyre, redaksitë e lajmeve të mediave private janë të ekspozuara ndaj ndërhyrjeve nga grupe të fuqishme politike ose biznesore.”
adv