27.8 C
Skopje
E shtunë, 30 Maj, 2026
Home Blog Page 18

Artistët në revoltë për Ansamblin e Tetovës, mos lejoni mbylljen!

0

Ministria e Kulturës nuk ka ende përgjigje të qartë për Ansamblin Muzikor të Tetovës i cili përmendet si një nga institucionet që mund të racionalizohen sipas Draft-strategjisë për kulturën 2026–2030. Nga Ministria e Kulturës për Portalb.mk thonë se Ansambli nuk do të mbyllet, megjithatë thonë se do të vendoset në periudhën në vijim për institucionet që funksionojnë me kapacitete të kufizuara.

Draft-strategjia për kulturën 2026–2030 në Maqedoninë e Veriut ka nxitur reagime të shumta në opinion dhe nga artistët të cilët thonë se nuk duhet të lejohet mbyllja e Ansamblit të Tetovës.

Analiza e gjendjes tregoi se një pjesë e institucioneve nuk janë të kompletuara me staf dhe nuk kanë hapësirë të përshtatshme për punë, prandaj, një nga fushat prioritare në Strategjinë Kombëtare i referohet institucioneve kombëtare dhe riformësimit të tyre në drejtim të autonomisë më të madhe në funksionim dhe përmirësimit të sistemit të veprimit, me masa dhe aktivitete konkrete të përcaktuara në Planin e Veprimit për zbatim.

“Në Strategjinë Kombëtare askund nuk është theksuar se Institucioni Kombëtar “Ansambli Muzikor në Republikën e Maqedonisë së Veriut” – Tetovë, apo ndonjë institucion tjetër, do të mbyllet”, thonë nga Ministria e Kulturës.

Ministria thotë se në periudhën në vijim do të realizojë një analizë të thellë dhe gjithëpërfshirëse të rrjetit ekzistues prej 72 institucionesh kombëtare, nga e cila pritet të dalin tregues të qartë për veprimet e ardhshme.

“Qëllimi i kësaj fushe prioritare është krijimi i një sistemi institucional kulturor funksional dhe efikas”, thonë nga Ministria e Kulturës.

Sa i përket kapaciteteve kadrovike, Ministria thotë se pas disa vitesh nga themelimi, disa institucione ende nuk janë të kompletuara me staf.

“Një nga parakushtet kryesore për krijimin e institucioneve të reja duhet të jetë analiza e thelluar e potencialit njerëzor në dispozicion, që do të mundësonte funksionimin e suksesshëm të një institucioni, parakusht që në vitin 2023, kur ky institucion është themeluar, nuk është marrë parasysh, përkatësisht nuk është përmbushur. Për më tepër, punësimi në institucionet kulturore nuk varet vetëm nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit por kushtëzohet edhe nga miratimi i mjeteve financiare nga Ministria e Financave”, thanë nga Ministria e Kulturës.

Në këtë drejtim, ata thonë se ky segment i strategjisë kombëtare pritet të japë një pasqyrë të qartë të gjendjeve dhe nevojave të institucioneve, kapaciteteve dhe mundësive, si dhe të ofrojë zgjidhje për tejkalimin e këtyre sfidave të evidentuara në disa institucione kulturore, duke krijuar mekanizma për institucione kulturore të forta, autonome dhe moderne që do ta zhvillojnë kulturën në shtet në të gjitha veprimtaritë dhe fushat.

Pse rrezikohet Ansambli i Tetovës?
Në përputhje me Ligjin për kulturën, Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka hartuar draft-tekstin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Kulturës për periudhën 2026–2030, së bashku me Planin e Veprimit.

Në dokumentin strategjik përfshihen analiza të gjendjes në fushën e kulturës për periudhën 2019–2024.

Ansambli i Tetovës përmendet në seksionin 2.1.6. “Veprimtaria muzikore dhe muzikore-skenike’.

Në dokument thuhet se në vitin 2023 u themelua Ansambli Muzikor – Tetovë i cili ka kapacitete të kufizuara hapësinore për veprim, me dy të punësuar.

“Për këtë arsye, në periudhën e ardhshme pesëvjeçare do të racionalizohet rrjeti i institucioneve kombëtare, përmes një analize të qartë të rolit dhe shtrirjes së tyre programore”, thuhet mes tjerash në strategji.

Drejtori i Ansamblit ngre dilema se mund të mbyllet
Drejtori i Ansamblit Muzikor të Tetovës, Blerim Qamili për Portalb.mk tha se formulimi për racionalizim të rrjetit të institucioneve kombëtare, në praktikën administrative, nënkupton ristrukturim të mundshëm, bashkim (fuzionim) apo edhe ndërprerje të funksionimit të institucioneve që konsiderohen të pakonsoliduara.

“Pra, problemi real nuk është një vendim i drejtpërdrejtë për mbyllje, por fakti që Ansambli është vendosur në një kategori institucionesh që mund të preken nga këto masa, si pasojë e mungesës së mbështetjes institucionale dhe mosplotësimit të kapaciteteve të tij”, tha Qamili.

Pse nuk janë realizuar punësime në Ansamblin e Tetovës për tre vite?
Ansambli Muzikor në Tetovë momentalisht ka vetëm dy të punësuar, çka nuk përputhet me strukturën dhe funksionin real të institucionit.

Sipas statutit, Ansambli është i paraparë të përfshijë kor, orkestër dhe bend, dhe në këtë kuptim, gjendja aktuale nuk reflekton kapacitetin e tij të vërtetë, por vetëm një fazë të përkohshme të zhvillimit të papërfunduar.

Drejtori i Ansamblit të Tetovës, Blerim Qamili thotë se punësimet nuk janë realizuar për shkak të mungesës së miratimeve institucionale dhe procedurave që varen nga nivele më të larta vendimmarrjeje.

“Ansambli ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të hapur vende pune dhe për të funksionalizuar strukturën e plotë sipas statutit, por këto procese nuk janë finalizuar. Nuk bëhet fjalë për dështim të brendshëm të konkursit, por për mosrealizim të tij në nivel administrativ dhe institucional”, tha Qamili.

Artistët në revoltë
Të menjëhershme kanë qenë reagimet e artistëve të cilët kërkojnë që mos të lejohet mbyllja e këtij institucioni të rëndësishëm për kulturën në vend. Ndaj kësaj situate kanë reaguar violinisti Xhafer Xhaferi, dirigjentja Agona Çupi, këngëtari dhe instrumentisti Vullnet Neziri, dirigjenti Premtim Etemi, profesori dhe kompozitori Fatos Lumani etj.

BDI: Kujt po i pengon Ansambli Muzikor në Tetovë?
Për mbylljen e mundshme të Ansamblit Muzikor në Tetovë kanë reaguar nga Bashkimi Demokratik për Integrim opozitar. Bajram Rexhepi nga kjo parti thotë se gjatë kohës së qeverisjes së tyre u themelua ky institucion, ku u morën edhe pëlqimet për punësimin e 24 artistëve.

“Me ardhjen e qeverisë VMRO–VLEN, në mbledhjen e parë të saj, në qershor 2024, u ndërpre dhe u pezullua procedura e punësimit. Ky ishte akti që e goditi drejtpërdrejt Ansamblin Muzikor në Tetovë dhe ia pamundësoi funksionimin normal. Që nga ajo ditë, institucioni ka kërkuar vazhdimisht punësimet e domosdoshme, por është përballur me heshtje të qëllimshme institucionale. Sot, të njëjtët, në dokumentin e ashtuquajtur „Strategjia Nacionale për Zhvillim të Kulturës 2026–2030″, mundohen ta paraqesin atë si institucion me kapacitet të kufizuar dhe si barrë për sistemin të cilit i nevojitet “racionalizim”. Kjo nuk është analizë objektive, por sabotim i qëllimshëm politik që tenton të zhbëjë dhe penalizojë kulturën shqiptare”, tha Rexhepi.

Kasami: Punësimet dhe funksionalizimi prioritet, statusi mbetet çështje organizative
Njëri nga liderët e VLEN-it në pushtet, Bilall Kasami thotë se më me rëndësi është të realizohen punësimet se sa nëse Ansambli do mbetet si institucion i veçantë apo do të shkrihet në ndonjë institucion tjetër.

Kasami thotë se ende nuk ka vendim përfundimtar dhe se bëhen analiza, por ai thotë se nëse në rang shtetëror do të vendoset për riorganizimin e gjithë këtyre institucioneve atëherë sigurisht që do përfshihet edhe ansambli, nëse vendoset që të mbeten ashtu siç janë, do të mbetet edhe Ansambli.

“Ajo që për ne është me rëndësi që ai institucion të vendoset në funksion dhe në shërbim të qytetarëve duke nisur fillimisht nga punësimi i punëtorëve kulturor të këtij Ansambli dhe po punohet në drejtim të marrjes së pëlqimit për punësimin e të njëjtëve. Pjesa tjetër, edhe pse ne besojmë që duhet të vendoset në funksion ashtu siç është edhe në bazë të vendimit për themelim të Ansamblit, por për ne më me rëndësi është punësimi i kuadrit të Ansamblit dhe i njëjti të vendoset në funksion të plotë të kulturës, pjesa tjetër është çështje organizative, a do jetë në Kuadër të Pallatit të Kulturës a do të jetë institucion në vete”, tha Kasami.

Portalb alarmoi për këtë problem që në 2024
Në tetor 2024 Portalb.mk shkroi për zvarritjen e ri-shpalljes së konkursit për punësime në Ansamblin e Tetovës, institucion i cili koncertin e parë promovues e pati në prag të zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Pak para fazës së fundit të punësimit të 19 artistëve dhe 3 administratorëve në Ansamblin e Tetovës, Qeveria e Maqedonisë së Veriut solli vendim për bllokimin e të gjitha pëlqimeve për punësim që ishin dhënë deri para shpalljes së zgjedhjeve parlamentare. Që atëherë nuk janë realizuar punësime në këtë institucion ndërsa procedurat janë zvarritur.

Si pasojë, ky institucion mbeti pa artistë dhe pa administratorë, vetëm me dy të punësuar. Ndërkaq, aktivitetet vjetore deri më tani i ka realizuar përmes angazhimit të artistëve me kontrata në vepër.

adv

Donald Trump i dërgon letër falënderimi Vjosa Osmani pas përfundimit të mandatit

0

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ia ka dërguar një letër falënderimi ish-presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e përfundimit të mandatit të saj.

Lajmi u bë publik nga vetë Osmani, përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, ku theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të forta mes Kosovës dhe SHBA-së.

Në reagimin e saj, Osmani u shpreh se “lidhjen e fortë të Kosovës me Amerikën do ta ruajmë bashkë, sot e përherë”, duke falënderuar Trumpin për letrën dhe vlerësimin ndaj punës së institucioneve të Kosovës.

Ajo shtoi se mirëpret vazhdimin e bashkëpunimit në vitet në vijim.

“Falënderoj presidentin Trump për letrën e dërguar në përfundim të mandatit tim, të cilën e pranova mbrëmë, si dhe për vlerësimin që i ka bërë punës sonë! Ashtu siç thekson edhe presidenti i SHBA-së këtë letër, mirëpresim vazhdimin e bashkëpunimit në vitet në vijim”, ka shkruar Osmani.

Në letrën e dërguar nga Shtëpia e Bardhë, Trumpi vlerëson lidershipin e Osmanit, duke e cilësuar atë si të guximshëm dhe vendimtar në shërbim të qytetarëve të Kosovës.

Ai e falënderon për bashkëpunimin e ngushtë gjatë periudhës së mandatit dhe thekson se Kosova ka luajtur një rol të rëndësishëm në nismat për paqe dhe stabilitet.

Trumpi përmend veçanërisht bashkëpunimin në kuadër të nismave për paqe, duke nënvizuar se përfshirja e Kosovës është premtuese për përfundimin e konflikteve dhe promovimin e lirisë dhe mirëqenies.

Në vijim të letrës ai shpreh bindjen se trashëgimia e Osmanit do të ndikojë në të ardhmen e Kosovës, rajonit të Ballkanit dhe më gjerë në Evropë.

Presidenti amerikan shton se Kosova ka qenë një partnere e besueshme e SHBA-së dhe shpreh dëshirën për vazhdimin e bashkëpunimit në vitet në vijim.

adv

Kuvendi i Kosovës në seancë të jashtëzakonshme për çmimin e rrymës

0

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në një seancë të jashtëzakonshme.

Seanca ka vetëm një pikë e rendit të ditës, çmimin dhe faturimin e energjisë elektrike për konsumatorët.

Sipas njoftimit, seanca pritet të nisë me fillim nga ora 11:00.

adv

Automjetet të bllokuara prej 5 ditësh, Doganat premtojnë zgjidhje deri në fundjavë

0

Prej pesë ditësh automjetet mbeten të bllokuara nëpër parkingje të shpedicioneve private në gjithë vendin. Kjo për arsye se nuk funksionon sistemi i operatorit gjerman “Schëacke” për Maqedoninë e Veriut. Qytetarët, të cilët kanë blerë automjete nga jashtë dhe presin procesin e zhdoganimit, shprehin shqetësimin se nuk po marrin dot makinat e tyre, madje po detyrohen të paguajnë edhe tarifa shtesë.

“Tani e disa ditë automjetet mbeten të bllokuara në gjithë vendin në procedurë të zhdoganimit pasi që sistemi operativ i vlerësimit të automjeteve të Doganës nuk po funksionon dhe qytetarët ankohen se makinat e tyre kanë mbetur të bllokuara dhe paguajnë parking për këto ditë pa fajin e tyre”, raporton gazetari i TV21, Adnan Qaili.

Nga Drejtoria e Doganave thonë se pas këtyre vonesave sistemi pritet që të kthehet në funksion deri në fund të javës. Zëvendësdrejtori Mustafa Dauti tha se që nga 2019 RMV ka marrëveshje me operatorin gjerman “Schëacke” për vlerësimin e kostos së automjeteve për t’i elaboruar pastaj edhe çmimin e doganës përmes platformës online sipas vitit të prodhimit, vëllimit të motorit dhe numrit të shasisë. Ai tha se hakërët e kanë sulmuar platformën duke paralizuar të gjithë procesin e zhdoganimit të veturave.

Mustafa Dauti: “Ne siç i kemi informacionet tona rezulton që është hakuar sistemi në Gjermani dhe kjo është arsyeja që kemi mbetur mbrapa me procedura. Nuk funksionon e gjitha apo si? Mund të flas vetëm për vendin tonë pasi që ne e kemi marrëveshjen me atë platformën online. Se vendet tjera mund të kenë marrëveshje me ndonjë tjetër platformë online.

TV21: Si do ja bëni me këtë, sepse faji nuk është i pronarëve të makinave por i vet sistemit dhe ata po dëmtohen në një mënyrë duke paguar çdo ditë parking për vonesa?

Mustafa Dauti: Po, kjo është një çështje që ne e kemi biseduar dhe analizuar, nga informacionet që vijnë nga terreni prandaj edhe kemi marr hapa me doemos të gjejmë zgjidhje sa më shpejtë! Është diçka që ka ndodhur për herë të parë kaq gjatë dhe do të ulemi të shohim edhe këtë çështje që ju përmendët!”

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Doganave të RMV-së në tre muajt e parë të këtij viti janë zhdoganuar rreth 16 mijë automjete, prej të cilave rreth 70% e tyre kanë qenë të përdorura të ardhura nga Evropa. Ndërsa në vitin 2025 në vendin tonë për herë të parë janë regjistruar 69,400 automjete, ku dominojnë veturat e ardhura nga Gjermani, Zvicra, Italia, Franca dhe Austria. Autoritet thonë se përveç veturave në këtë shifër janë të përllogaritur edhe autobusët, minibusët, kamionët dhe mjetet të tjera motorike. Këto shifrat marramendëse tregojnë se industria e automobilistikes në vendin tonë është e prirë të blejë automjete të vjetra nga Evropa Perëndimore dhe të tej mbushë rrugët tona me vetura të përdorura.

adv

Moti për ditën e sotme

0

Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë me vranësira dhe reshje të shiut.

Në vend do të fryjë një erë e lehtë nga drejtimi jugperëndimor.

Temperaturat minimale do të lëvizin nga 3 deri 9, ndërsa temperaturat maksimale do të lëvizin nga 14 deri 21 gradë celsius.

Deri të mërkurën moti do të jetë i paqëndrueshëm, me vranësira dhe reshje lokale të shiut

adv

Blerim Bexheti nën kallëzim penal për 42.8 milionë denarë

0

Para disa ditëve MPB ngriti kallëzim penal ndaj Blerim Bexhetit  për dyshime se si si kryetar i Komunës së i ka mundësuar një subjekt përfitim të paligjshëm prej 42,8 milionë denarësh, duke miratuar dy herë vendim për regjimin e qarkullimit pa kryer mbikëqyrjen e nevojshme, dhe pa verifikuar nëse kërkesat ishin në përputhje me Planin Urbanistik të fshatit Gllumovë.

Në një konferencë për media Bexheti mohoi akuzat duke thënë se sipas ligjit për këtë çështje kompetente është Komuna e Sarajit, dhe se ekziston dokument zyrtar i nënshkruar nga ministri i atëhershëm Blagoja Boçvarski, që e vërteton këtë. Ai tha se fillimisht kërkesa ka shkuar te Qyteti i Shkupit, por ky institucion e ka dërguar te Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

“Më pas edhe ministria me shkresë zyrtare ka konstatuar se organ kompetent është komuna  e Sarajit dhe për këtë siç ua tregova ka edhe dokument. Pas kësaj lënda është përcjellë në komunën e Sarajit. Komuna e sarajit në përputhje me procedurën projektin në SPB shkup, nga SPB shkup është dhënë pëlqim pozitiv nga MPB”, tha Blerim Bexheti, deputet i BDI-së.

Bexheti e konsideron presion kallëzimin penal, duke komentuar deklaratën e Kryeministrit Mickoski ku tha se ka ndjenjën se së shpejti funksionarë të lartë të qeverisë së mëparshme do të përfshihen në ndjekje penale.

“Kur një kallëzim paralajmërohet me ndjenja, sepse kryeministrin e kemi me ndjenja paraprakisht nga politika dhe më pas realizohet nga institucionet atëherë nuk kemi të bëjmë me drejtësi kemi të bëjmë me presione. Për këtë do të bëj padi penale të pastër për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga ana e Pançe Toshkovskit”, u shpreh Blerim Bexheti, deputet i BDI-së.  

Nga VLEN reaguan duke thënë se Bashkimi Demokratik për Integrim nuk po mbron më popullin, por ekskluzivisht po mbron kriminelët që i pëlqejnë Ali Ahmetit.

“Reçica e Vogël është në gjendje paniku klinik, sepse Bashkimi Demokratik për Integrim nuk mbron më popullin, por ekskluzivisht mbron kriminelët që i pëlqejnë Ali Ahmetit. Derisa institucionet më në fund po e zbërthejnë nyjën kriminale shumëvjeçare, kjo parti po i kthehet konfigurimit të saj të vetëm të fabrikuar, përhapjes së lajmeve të rreme dhe shtirjes si viktimë politike”, thonë nga VLEN.

Më herët ka pasur edhe një kallëzim penal ndaj Blerim Bexhetit dhe shtatë të tjerëve për keqpërdorim detyre në Komunën e Sarajit nga Drejtoria e Policisë Financiare.

adv

Çmime të reja të derivateve të naftës

0

Çmimi i benzinës dhe naftës pas mesnate do të lirohet për 1,5 denarë për litër.
Komisioni Rregullator për Energjetikë vendosni që çmimi i vajit ekstra të lehtë të shtrenjtohet për gjysmë denari. Përveç lirimit në fjalë, vlen ende lirimi i që jep OKTA prej 3 denarëve për naftën dhe 2 denarëve për benzinën.

Sipas vendimit të fundit të KRRE-së, duke ia shtuar edhe lirimin nga OKTA, çmimet e karburanteve janë:

Benzina BS-98 – 80,5 den/l

Benzina BS-95 – 78,5 den/l
Dizeli – 91 den/l

Vaji ekstra i lehtë – 97,0 den/l

adv

Kurti: LDK refuzoi ofertën për bashkëqeverisje, vendi drejt zgjedhjeve

0

Kryeministri Albin Kurti pas takimit më kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se bisedimet kanë rezultuar të pasuksesshme.

Ai ka thënë se asnjëra prej ofertave që kanë bërë nuk u është pranuar nga Abdixhiku.

“Ne ofruam që LDK-ja në bashkëqeverisje me LVV-në dhe partnerët tjerë ta ketë zëvendëskryeministrin, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri ministri të tjera. Kam preferuar që zëvendëskryeministër i imi të bëhet Abdixhiku dhe të fillojmë një kapitull të ri”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se Kosova po shkon drejt zgjedhjeve, të cilat i ka quajtur të panevojshme.

“Në këtë mënyrë Kosova po shkon drejt zgjedhje të reja, të panevojshme, që i humbin kohë shtetit dhe buxhetit të Kosovës mjete. Së paku 1 milion euro kushtojnë zgjedhjet e reja dhe nuk do të sjellin zgjidhje sepse nuk do ta kemi numrin prej 80 deputetëve për ta bërë kuorumin. Është dashur të përpiqemi më shumë dhe nuk është dashur të refuzohet oferta jonë për qeverisje”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se në shpjegimin që VV-ja nuk duhet t’i ketë tri pozitat e larta institucionale, kanë bërë ofertë që kryekuvendari dhe nënkryetari i Kuvendit të pësojnë një rrokadë.

“Kryetarja e Kuvendit, Haxhiu do të bëhej nënkryetare e Kuvendit, dhe në këtë mënyrë do t’a kishim qeverinë dhe nuk do të kishim nevojë për zgjedhje. Ndërkohë LDK-ja do ta kryesonte Kuvendin. Për Konjufcën ne nuk kemi kërkuar votë për, ata le të votojnë si të duan”, është shprehur Kurti.

Kryetari i Vetëvendosjes ka thënë se as kjo nuk është pranuar, edhe pse sipas tij, ishte një mundësi që të thuhej se tri pozitat e larta shtetërore mbahen nga Vetëvendosja.

“Tash nuk kemi oferta të tjera, ndërkohë që as nuk u kërkua diçka tjetër nga ne. Ju keni dëgjuar Konjufcën që ka thënë se unë tërhiqem nëse ka figurë konsensuale. Ne nuk e kemi pasur me çdo kusht Konjufcën. Ne nuk kemi qenë asnjëherë të interesuar që të jemi total te tri pozitat e larta të shtetit, por meqë nuk kishte asnjë propozim, ishte detyrë e jona të propozojmë. Ne nuk mund të krijojmë bashkëqeverisje në kundërshtim me vullnetin e popullit. Përveç kësaj, ne jemi të vetmit që kemi sjell emra. Vetëm ne po flasim me emra të përveçëm, të tjerët jo”, ka shtuar Kurti.

Ai ka thënë se LDK-ja nuk ka konsideruar që asaj i takon presidenti. “Unë nuk mund të bëhem më LDK se LDK-ja. Nuk ka mundësi të ofroj unë diçka që ata nuk më kanë thënë se e kërkojnë. Ne ua kemi propozuar opozitës dikë që e duan më shumë se mua, Konjufcën. Ai është njeriu i dytë më i votuar në Kosovë”.

Ai ka folur edhe për diskutimet më PDK-në, duke thënë se i ka dërguar një mesazh kryetarit Bedri Hamza dhe se do të shohin si është e mundur të ecin përpara.

“PDK-ja ka kërkuar nga unë që të bëjë marrëveshje politike blanko ku ata i propozojnë dy kandidatët e ne ua votojmë. Unë i dërgova një mesazh kryetarit të PDK-së, Bedri Hamzës dhe të shohim se si është e mundur të ecim përpara, por oferta për bashkëqeverisje që u ofrua për LDK-në ka qenë ekskluzive për LDK-në”, ka theksuar Kurti.

Ai ka theksuar se nëse PDK-ja është serioze do të duhej të takoheshin. “Mua m’u tha që pa pasur vendim të Gjykatës Kushtetuese nuk takohemi, patëm vendim po prapë nuk u takuam. Ju e dini që deputetët dhe kryetarët e partive bëjnë aq shumë takime, por disi përveçse me mua. Nuk është mungesë serioziteti e sinqeriteti nga ana ime. Ka një lloj bojkoti”, ka deklaruar Kurti.

adv

Abdixhiku: S’ka më takime me Kurtin, insistoi që presidenti ti takojë VV-së!

0

Kanë marrë fund përfundimish takimet mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për çështjen e zgjedhjes së presidentit, njoftoi drejtuesi i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas takimit të fundit me Albin Kurtin.

Kjo pasi që, siç tha Abdixhiku, Kurti insistoi që presidenti t’i takojë Vetëvendosjes dhe nuk kishte emër tjetër përveç Glauk Konjufcës.

Në dritën e kësaj, tha ai, u dakorduan që të mos zhvillojnë takime më për këtë çështje.

“Nuk mund të jetë presidenti zgjatim i qeverisë. Nuk mund të ketë një president të një partie dhe t’i ketë 3 institucionet. Heqja e Kryetarit t ëKuvendit nuk është gjë, sepse kuvendi i takon shumicës, po ashtu qeveria i takon shumicës, tash edhe presidenti t’i takojë shumicës është përtej vullentit qytetar. Unë u përpoqa, por tash LDK i kthehet misionit të vet.

Insistonte që pozita e presidenti t’i mbetet VV-së. Unë refuzova të flas për çdo gjë tjetër pa trajtuar presidentit. Nuk mund të propozoj dikë te dikush që insiston që presidenti t’i mbetet partisë së tij. Me LDK-në VV-në nuk ka diskutuar as edhe një emër, përveç Glauk Konjufcës,” tha Abdixhiku.

Abdixhiku tha se sa i përket fuqisë politike të vet dhe partisë së vet ai provuar të bëjë çka ka mundur dhe se me dështimin e një marrëveshje tash LDK “i kthehet strukturave të veta, dhe këtë çështje e konsideron të mbyllur.”

“Unë u përpoqa, për zgjidhje. Unë s’kam hapur diskutime për ndonjë gjë tjetër. Nuk kemi kërkuar asnjë pozicion për LDK-në as për mua.”

LDK më në këto rrethana me 15 deputetë nuk mund të bëjë më shumë. Janë edhe 7 ditë kohë. 53 ditë kanë qenë mjaft. sKemi dëgjuar propozim tjetër përveç që VV ta ketë vet presidentit.

Efektivisht LDK tash i kthehet strukturave të veta dhe këtë çështje e konsideron tashmë të mbyllur nga ky moment,” tha Abdixhiku.

 

Burimi / Nacionale.com

adv

BDI akuzon pushtetin për presion politik ndaj ish-kryetarëve

0

Në Likovë, dje u mbajt seanca e katërt e Këshillit të Përgjithshëm të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI). Sipas njoftimit nga BDI, kryetari Ali Ahmeti e thirri këtë seancë me qëllim diskutimin e zhvillimeve aktuale politike në vend, si dhe organizimit të mëtejshëm të brendshëm partiak në funksion të këtyre zhvillimeve.

“Me shqetësim u analizuan tendencat për grryerjen e Marrëveshjes Paqësore të Ohrit, e cila mund të ketë pasoja serioze për stabilitetin e vendit. Kërkojmë nga iniciatorët dhe zbatuesit e këtyre veprimeve që të tërhiqen nga të njëjtat dhe të vazhdohet me respektimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, si rruga e vetme drejt stabilitetit dhe avancimit të vendit drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimi Evropian”, thuhet në njoftimin e BDI-së.

Tutje, nga BDI thonë se janë të shqetësuar, pasi sipas tyre, pushteti po targeton ish-kryetarë komunash nga radhët e BDI-së,

“Gjithashtu, u konstatua me shqetësim se nga pushteti po vihen në shënjestër ish-kryetarë komunash që vijnë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, si z. Blerim Bexheti dhe z. Fatmir Dehari. Bashkimi Demokratik për Integrim nuk është kundër kontrollit dhe revizionit institucional, por kundërshton fuqishëm presionin politik dhe qasjen politike. Jemi për kontroll dhe transparencë, por jo për drejtësi selektive dhe të motivuar politikisht, siç po ndodh me rastet në Saraj dhe Kërçovë”, reagojnë nga BDI.

Nga BDI thonë se gjithashtu u diskutuan zhvillimet në Evropë dhe Lindjen e Mesme, u theksua ndikimi i ngjarjeve në Hungari dhe shqetësimi për paqen globale, si dhe u shpreh mbështetje për SHBA-në dhe dialogun për stabilitet. Po ashtu u raportua për procesin e organizimit të kuvendeve brenda partisë.

adv