23.8 C
Skopje
E diel, 31 Maj, 2026
Home Blog Page 2781

Kalaja e Shkupit, e lënë pas dore

0

E kanë vendosur në listën e prioriteteve gjatë vizitës së tyre në Shkup, janë të impresionuar nga pamja e Kalasë, u pëlqen pozicioni dhe fakti që nga të gjitha anët mund të shohin kryeqytetin. Por turistët e huaj nuk janë aspak të kënaqur me mirëmbajtjen brenda hapësirave të Kalasë së Shkupit. Thonë se ka shumë mbeturina dhe është e mbuluar nga bari, ndërsa kritikojnë përse nuk ka një ciceron apo të paktën broshura prej ku mund të njoftohen me historinë e Kalasë.

“Kjo është vizita ime e parë në Shkup, në përgjithësi në Maqedoni dhe një prej gjërave të para që po i bëj këtu është vizita e kësaj kalaje. Sigurisht jam i impresionuar, duket shumë objekt i vjetër, një prej pamjeve kryesore në Shkup. Ajo që nuk më pëlqen është se përfundimisht nevojitet më shumë kujdes  sepse pash shumë mbeturina, sikur shumë vite me radhë askush nuk është kujdesur për këtë, ndërkohë që është një vend historik për të cilën nevojitet kujdes… Poashtu nevojiten të paktën broshura, pasi unë nuk kam informacione për këtë kala, nuk e di kush e ka ndërtuar në cilin shekull apo cilin vit”, tha një turist.“Isha brenda shikova përreth, nuk është lehtë për ecje”, shtoi një tjetër turist.

“Kalaja është e bukur, por ka mangësi, të kishte broshura dhe ciceronë për të na njoftuar me historinë e kalasë. Edhe mirëmbajtja lë për të dëshiruar”, u shpreh një turist tjetër.

Institucionet e kanë lënë pas dore Kalanë e Shkupit. Nga Ministria e Kulturës thonë se nuk janë përgjegjëse. Na dërguan te Qendra e Konservimit e Shkupit, si institucion përgjegjës për kalanë. Këta të fundit thonë se kalaja nuk është nën kompetencë të tyre dhe se përgjegjëse është Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Кulturore. Kontaktuam drejtorin e këtij institucioni Arian Asllanaj, i cili tha se kalaja tashmë është nën kompetenca të Qytetit të Shkupit, ndërsa kjo drejtori merret vetëm me sigurimin fizik të kalasë, duke nënvizuar se së shpejti edhe këto kompetenca pritet të kalojnë tek Qyteti i Shkupit. Por, nga Qyteti i Shkupit akoma nuk ka përgjigje për këtë çështje.

 

adv

BDI sot do të vlerësojë punën e zyrtarëve në ekzekutiv

0

Bashkimi Demokratik për Integrim do të mbajë sot vazhdimin e seancës konstituive të përbërjes së re të Kryesisë Qendrore të partisë në selinë e partisë në Mala Reçicë.

BDI në seancën konstituive të filluar më 30 tetor, e cila zgjati gati 12 orë, iu kushtua vlerësimit të punës së anëtarëve të partisë që janë zyrtarë në pushtetin ekzekutiv.

Në mbledhjen e Këshillit Qendror të BDI-së të mbajtur më 15 tetor në Tetovë, nënkryetarë të kësaj partie janë zgjedhur Izet Mexhiiti, Arbër Ademi, Bajram Rexhepi dhe Arbana Pasholi. Sekretar organizativ u zgjodh Blerim Bexheti, sekretar i përgjithshëm Faton Ahmeti dhe sekretare për mundësi të barabarta Saranda Imeri.

Ndërkaq në Këshillin Qendror u zgjodhën Ali Ahmeti, Ramiz Merko, Jeton Shaqiri, Fatmir Dehari, Kreshnik Bekteshi, Talat Xhaferi, Nevzat Bejta, Valdet Xhaferi, Teuta Arifi, Jevat Ademi, Artan Grubi, Bujar Osmani, Visar Ganiu, Nazim Bushi, Eyup Halimi, Arian Daci, Besnik Emshiu, Mirsad Ibrahimi, Ardita Dani, Bilent Sali, Resi Abdurrahmani, Shergil Beqiri, Shaban Memeti, Artin Spahiu dhe Emir Suleimani.

adv

Manipulimet me rrymën, Bytyqi s’i zbulon firmat

0

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, kërkoi nga KRRE dhe EVN-Home, të merren me kompanitë që ilegalisht kaluan nga tregu i lirë në atë të rregulluar të energjisë elektrike. Bëhet fjalë për qindra kompani që e kanë shmangur ligjin dhe kanë blerë energjinë elektrike me çmim më të lirë, duke paguar kështu TVSH më të ulët. Ende askush nuk e ka zbuluar listën e kompanive dhe jozyrtarisht mes këtyre subjekteve ka pasur edhe komuna.

“Ka dikush që do të zbulojë listën e atyre që kaluan gabimisht nga një treg i hapur në një treg të rregulluar të energjisë elektrike dhe gjithçka do të ndodhë në kohën e duhur. U kemi bërë thirrje të gjitha organeve kompetente që të veprojnë ashtu siç duhet sipas ligjit. Nëse dikush ka bërë diçka që nuk është e ligjshme, ju e dini se ku është përgjigja. Fatkeqësisht, shpesh kërkohen përgjigje nga unë personalisht dhe nga pushteti ekzekutiv, por duhet të kuptojmë njëherë e mirë se pushteti ekzekutiv është i ndarë me pushtetet e tjera dhe secili duhet të bëjë atë që e ka obligim dhe kompetencë me ligj”, u shpreh Fatmir Bytyqi – Zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike.

Tani për tani nuk ka zgjidhje për rastin dhe jozyrtarisht këto kompani janë ende në tregun e rregulluar, në vend të tregut të lirë. Sipas kreut të EMV-së, Vasko Kovaçevski, këto kompani në tregun e rregulluar paraqesin barrë për sistemin, por edhe për çmimin për amvisëritë.

Sipas informacioneve në media, mbi dy mijë kompani, përmes themelimit të kompanive vartëse, kanë shfrytëzuar matësit e tyre dhe në këtë mënyrë janë furnizuar me energji elektrike më të lirë. Këtu bëjnë pjesë kompani industriale, tregje zinxhirore, farmaci, kazino, kompani sigurimesh, si dhe komuna.

Rasti është duke u shqyrtuar nga Policia Financiare, nga ku kanë thënë se të gjitha informacionet e grumbulluara do t’i dorëzojnë në Prokurori.

adv

Shkupi, ndër qytetet me ajrin më të ndotur në botë

0

Ulja e temperaturave ka bëre që qytetarët e kryeqytetit, por jo vetëm, të thithin ajër më të ndotur. Ajo për të cilën institucionet alarmuan gjatë verës tashmë po ndodh. Shtrenjtimi i peletave, drurit për ngrohje dhe energjisë elektrike shtyn qytetarët që kërkojnë alternativa më të lira për ngrohje të cilat kanë bërë që kryeqyteti ditët e fundit të qëndrojë shumë lart në listën ku renditen qytetet më të ndotura. Ministri i Ekologjisë, Naser Nuredini, nuk mohon faktin se ndotja është shtuar, mirëpo thotë se qytetarët duhet të kenë kujdes se cilat aplikacione kontrollojnë pasi së fundmi kjo është shndërruar edhe në biznes. Pasqyra më e saktë e cilësisë së ajrit, thotë Nuredini, bëhet tek air.moeep.gov.mk

“Në periudhën e dimrit kemi problem gjithmonë me ndotje, për shkak të transportit të shtuar, ngrohjets dhe të tjera si këto. Kemi bërë edhe studimin bashkë me UNDP-në dhe përkrahjen e shteti suedez dhe kemi bërë hulumtime, andaj jemi të vetëdijshëm se nga ku buron ajo ndotje”, deklaroi Naser Nuredini- Ministër i Mjedisit Jetësorë.

Aplikacionet që nuk janë në kompetenca të Ministrisë së Ekologjisë ditët e fundit e kanë renditur Shkupin në grupin e pesë qyteteve më të ndotura në botë. Por, ajri në vend monitorohet nga disa stacione matëse të vendosura nga shteti, vlera e secilit prej tyre shkon mbi 100 mijë euro. Sot përsëri faqja e ministrisë për monitorimin e ajrit nuk funksiononte. Pak kohë më parë u investua një shumë e madhe parash për të blerë server të ri, sepse i vjetri herë pas here nuk funksiononte. Sipas ministrit here pas here e njëjta del jashtë përdorimit, sepse bëhet zëvendësimi i serverit. Shtrenjtimi I gazit dhe lëndëve të tjera për ngrohje, ka bërë që edhe institucionet të gjejnë zgjidhjen tek përdorimi I mazutit. Ditët e fundit në qytetet si Shkup, Tetovë, Gostivar, qytetarët janë ankuar se ndiejnë aromë të djegie lëndësh plastike.

adv

Ishte kamarier në Zhelinë të Tetovës e tash është refer profesionist në Itali

0

Ju prezantojmë Isalin, të riun nga Zhelina e Tetovës që tashmë është i angazhuar me një profesion të ri, refer futbolli në kategorinë e dytë në Itali.

Telegrafi Maqedoni ka folur me Isal Ramadanin për të treguar rrugëtimin e tij prej kamarieri në Zhelinë, e deri në referimin e kategorisë së dytë në futbollin italian.

Isali thotë se rrugëtimin e referimit e ka nisur shumë vonë. “Të kisha nisur më herët, sot do të referoja ekipe të mëdha në Seria A”.

Isal Ramadani është 33 vjeçar nga Zhelina e Tetovës. Para se të emigronte në Itali, ai në fshatin e tij ka punuar nëpër restorante dhe kafeteri si kamarier. “Dhe, erdhi një moment që duhej të shkoja në Itali, për një jetë më të mirë” tha ai.

“Edhe në Zhelinë jam marrë me sport dhe kam luajtur në ekipin e atëhershëm të fshatit. Erdha në Itali dhe këtu vazhdova të punoj si kamarier por nisa edhe rrugëtimin e referimit” tha për Telegrafi Maqedoni, Isal Ramadani.

Ai thotë se ndjehet krenar për punën që e bënë. “Italia dhe referimi më herët ishin një botë e panjohur për mua. Por, me edukimin e duhur dhe me ambientimin në këtë shtet kam arritur të jem i përgatitur dhe i saktë për punën që bëj” ka vazhduar Ramadani.

Ai thotë se i pëlqen kjo punë pasi gjatë fundjavave duhet të udhëtojë për të referuar nëpër stadiume të ndryshme. “Çdo javë më vjen të shkoj në qytet tjetër për të referuar një ndeshje tjetër. Dhe kjo për mua është kënaqësi” ka shtuar ai.

Në pyetjen rreth planeve të tij, ai ka thënë se do të vazhdojë të merret me referim dhe në të ardhmen do të fillojë edhe edukimin për të vazhduar edhe si vëzhgues i referëve të rinj.

Ai të rinjëve ju thotë se duhet të ndjekin rrugëtimin që e kanë pasion dhe e duan. Sipas tij, çdo profesion ka pasionin brenda dhe duhet të gjendet pasioni për të ushtruar profesionin. “Ata që nuk kanë pasur sukses si futbollistë apo kanë pasur ndonjë lëndim që ju ka penguar zhvillimin, është mirë që të vazhdojnë me referim pasi je afër me futbollin” tha Ramadani për Telegrafi Maqedoni.

Përndryshe, Isali është në Itali që nëntë vite dhe ndërkohë gjatë javës kur nuk është i angazhuar si refer, punon edhe në një fabrikë në vendin ku jeton. Ai referon edhe nëpër ndeshje të grupmoshave të reja por edhe në futboll për femra.
adv

SHBA-ja njofton se princi saudit ka imunitet nga ndjekja penale për vrasjen e gazetarit Khashoggi

0

Administrata amerikane ka përcaktuar se princi i kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, ka imunitet ligjor nga padia e ngritur kundër tij për vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi në vitin 2018.

Departamenti Amerikan i Drejtësisë, në një dokument të dorëzuar në Gjykatën e Qarkut të Kolumbisë, shkruante se doktrina e imunitetit të krerëve të shtetit bazohet në të drejtën zakonore ndërkombëtare, në mënyrë që i akuzuari Bin Salman, si kreu i një shteti të huaj, të gëzojë imunitet nga juridiksioni i gjykatave amerikane.

Khashoggi u vra dhe u copëtua nga agjentët sauditë në konsullatën saudite në Stamboll në një operacion për të cilin inteligjenca amerikane besonte se ishte urdhëruar nga Princi Mohammed, i cili ka qenë sundimtari “de fakto” i mbretërisë për disa vite, shkruan cnn.

Princi mohoi të kishte urdhëruar vrasjen e Khashoggit, por më vonë tha se ai mori përgjegjësinë sepse “ndodhi nën mbikëqyrjen e tij”. Gjatë vizitës së tij në Arabinë Saudite në muajin korrik, presidenti amerikan Joe Biden i tha princit se ai e konsideronte atë përgjegjës për vrasjen e Khashoggi.

Khashoggi kritikoi politikat e princit të kurorës në rubrikat e Washington Post. Ai udhëtoi në konsullatën saudite në Stamboll për të marrë letrat që i nevojiteshin për t’u martuar me Hatice Cengiz, një shtetase turke.

Në Twitter, Cengiz e dënoi një deklaratë të tillë, duke thënë se “Jamal vdiq sërish sot”. “Ne menduam se ndoshta drita e drejtësisë mund të vinte nga SHBA-ja, por sërish paratë ishin të parat”, shtoi ajo.

adv

Netflix bëri të mundur heqjen e pajisjeve të padëshiruara nga profilet e përdoruesve

0

Platforma e transmetimit Netflix ka lejuar përdoruesit e saj të heqin pajisjet e padëshiruara nga profilet e tyre.

Opsioni i ri aktualisht është i disponueshëm kryesisht në pajisjet iOS dhe Android, dhe përdoruesit tani mund të shohin se cilat pajisje përdorin Netflix përmes profileve të tyre dhe të shohin nëse ka ndonjë parregullsi.

Nëse dëshirojnë, përdoruesit mund të heqin një pajisje specifike duke zgjedhur thjesht opsionin “Dalje”.

Opsioni ndodhet në menynë “Cilësimet e llogarisë”, d.m.th. në seksionet “Siguria dhe privatësia” dhe “Menaxho qasjen dhe pajisjet”.

Kjo është një mënyrë tjetër se si Netflix po përpiqet të luftojë ndarjen e kodit përpara se t’i marrë gjërat në duart e veta.

Opsioni është i disponueshëm vetëm në pajisjet celulare dhe nuk dihet se kur do ta marrin përdoruesit e aplikacioneve për desktop dhe TV.

adv

Man United planifikon prishjen e kontratës me Ronaldon, avokatët ligjorë kanë nisur punën

0

Manchester United po shqyrton mundësinë e ndërprerjes së kontratës me Cristiano Ronaldon pas intervistës së tij me Piers Morgan.

“The Athletic” ka raportuar se klubi po shqyrton marrjen e masave ligjore kundër portugezit për shkelje të kontratës, e cila mund të rezultojë në prishjen e marrëveshjes, transmeton Express.

Në intervistën në fjalë Ronaldo kritikoi ashpër klubin, trajnerin dhe jo vetëm, teksa akuzoi ata edhe për tradhti.

Man United lëshoi ​​një deklaratë zyrtare këtë të premte, ku thuhej: “Manchester United ka nisur këtë mëngjes hapat e duhur në përgjigje të intervistës së fundit të Cristiano Ronaldos në media. Ne nuk do të bëjmë komente të mëtejshme derisa ky proces të arrijë në përfundimin e tij”.

Të gjithë lojtarët nënshkruajnë një kontratë pune në Premierligë me klubet e tyre.

Sipas kësaj marrëveshjeje, ata janë të detyruar të “përmbahen dhe të veprojnë në përputhje me të gjitha udhëzimet e ligjshme të çdo zyrtari të autorizuar të klubit” dhe nuk lejohen të “shkruajnë ose thonë ndonjë gjë që ka të ngjarë të çojë në disreputacion… ose të shkaktojë dëmtim të klubit”, sipas “The Athletic”.

Tani, klubi do të duhet të përcaktojë shkallën në të cilën Ronaldo është në shkelje të kontratës së tij përmes komenteve të tij për të përcaktuar se cilat rezultate janë të mundshme. Bisedimet me avokatët ligjorë thuhet se kanë nisur.

Nëse 37-vjeçari konsiderohet se ka shkelur kontratën e tij, klubi mund të prishë marrëveshjen.

Kësisoj, pesë herë fituesi i “Topit të Artë” do të mbetej menjëherë lojtar i lirë.

Kontrata aktuale e Cristiano Ronaldos me Manchester Unitedin skadon më 30 qershor 2023.

adv

Lajm i mirë, kur të mos ketë më lajme nga Shqipëria

0

Nga Belina Budini

Cikli i lajmeve nga Shqipëria është rikthyer në mediat angleze dhe ky nuk është një lajm i mirë. Ngjarja është sërish emigracioni i paligjshëm i shqiptarëve.

Edhe pse raportimet jo gjithnjë janë bazuar në fakte të verifikuara, apo pohime të sakta në lidhje me ngjarjen, rritja e numrave të emigracionit të paligjshëm të shqiptarëve drejt Mbretërisë së Bashkuar, është një fakt zyrtar i konfirmuar nga Home Office. Mbi këtë fakt u ngritën deklarata politike të zhurmshme dhe problematike nga ana e anëtarëve të qeverisë dhe të Parlamentit britanik, që u shoqëruan me mbulim të gjerë dhe të vazhdueshëm mediatik të elementit shqiptar si ilustrues i fenomenit të emigracionit të paligjshëm dhe kriminalitetit të importuar nga jashtë dhe specifikisht nga Shqipëria drejt Anglisë.

Lajm i mirë ishte reagimi i shpejtë dhe i drejtë i palës shqiptare ndaj spekulimeve politike dhe përdorimit negativ dhe specifik të kombësisë shqiptare për të emërtuar problematikën e krijuar në tërësi. Edhe pse këto nuk kanë të njëjtën peshë dhe hapësirë në mediat angleze sa lajmet e prodhuara nga autoritetet e vendit, janë të domosdoshme dhe shpesh kanë munguar kur ka qenë rasti. Sidoqoftë, këto reagime nuk kanë mundur ta ndalojnë fluksin e lajmeve të këqija nga Shqipëria dhe si kundërpërgjigje po vijojnë të publikohen në media histori dhe raste të njëpasnjëshme, që sërish kanë në fokus shqiptarët si “gangsterë”, “trafikantë”, “kriminelë”, “mafiozë”, “grabitës”, “mashtrues”… lista e etiketimeve është e gjatë, ashtu si edhe lista e mediave angleze që i përdorin këto etiketime, që nga The TimesThe Independent e deri te The Daily Mail apo The Mirror.

Titujt që përmbajnë etiketime të tilla, të cilat u atribuohen emigrantëve shqiptarë në Angli, janë tanimë të përditshëm dhe nuk mungojnë as në mediat më prestigjioze si BBCThe Guardian apo The Financial Times. Interesi gazetaresk për subjektin e Shqipërisë vijon të mbetet i lartë, edhe pse kemi të bëjmë me një vend të vogël dhe një komunitet edhe më të vogël shqiptarësh përkundrejt vendeve dhe etnive të tjera që përbëjnë popullatën e Mbretërisë së Bashkuar.

Arsyeja? Shqiptarët dhe Shqipëria me sa duket prodhojnë lajm. Sidomos lajme të këqija, nga ato që për gazetarët konsiderohen lajme të mira. Lajmet apo historitë pozitive, edhe pse nuk kanë munguar krejtësisht, nuk kanë shërbyer për të ndryshuar perspektivën dhe stereotipat. Ndaj, duket se ka vetëm një mënyrë për të dalë nga qerthulli i lajmeve të këqija dhe interesi gazetaresk. Por kjo është edhe rruga më e vështirë. Të bëhemi të mërzitshëm, pra, të bëhemi vend normal!

adv

Maqedoni, nga 1 dhjetori çmimi i bukës, qumështit dhe mishit do të ulet për 13%

0

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, pret ulje të çmimit të produkteve ushqimore bazë nga pesë në 12-13 për qind në fillim të dhjetorit. Nëse nuk ka një ulje të tillë, siç tha ai sot pas takimit me prodhuesit dhe përfaqësuesit e tregjeve më të mëdha zinxhirore, do të miratohen masat e reja që dalin nga Ligji i Tregtisë.

“Ajo që ishte barra më e madhe për kompanitë është zgjidhur. Për këtë arsye ne në vazhdimësi mbajmë takime me prodhuesit e produkteve ushqimore bazë. Ata mund të paraqesin propozimet e tyre dhe kjo, me kërkesën time, duhet të ndodhë javën e ardhshme. Aty ku ka mundësi do të ndërhyjnë institucionet kompetente. Megjithatë, sipas të gjitha projeksioneve dhe analizave, pres një ulje të tillë pothuajse në çdo produkt të shënuar në Vendimin e Drejtorisë doganore. Po, mund të ndodhë që të ketë rritje të çmimit të lëndëve të para të importuara, por sigurisht që ka mekanizma të caktuar për ta stabilizuar atë dhe nëse ky është problemi për ulje shtesë të çmimeve, ne jemi gati që edhe kjo të bëhet, por së pari duam të shohim se ka një vullnet që kriza të mos jetë barrë e qytetarëve, pra konsumatorëve, por që ta shpërndajmë të gjithë”, theksoi ministri.

Ai po ashtu përmendi se qytetarët mund të lajmërohen në baza ditore në Inspektoratin Shtetëror të Tregut nëse vërejnë se diku nuk ka ulje të çmimeve të produkteve ushqimore bazë.

“Tashmë ka filluar trendi i uljes së çmimeve të disa produkteve, veçanërisht bukës, qumështit, produkteve të qumështit dhe disa produkteve të mishit. Një prodhues i caktuar qumështi para 4-5 ditësh kishte çmim mbi 80 denarë, ndërsa sot çmimi është 76 dhe me shumë mundësi nga 1 dhjetori do të ketë ulje të mëtejshme. Disa prodhues të bukës kanë çmime mbi 40 denarë, ndërsa sot variojnë nga 36 deri në 38 denarë. Dhe atje presim një ulje të mëtejshme. E njëjta gjë vlen edhe për produktet e mishit. Sipas të gjitha përllogaritjeve, në ditët në vijim do të ketë ulje të mëtejshme, duke pasur parasysh se të gjitha procedurat në shitjet e EMV për lidhjen e kontratave me kompanitë prodhuese të produkteve bazë ushqimore po përfundojnë”, nënvizoi ministri.

Në takim, prodhuesit, siç tha Bekteshi, janë njoftuar edhe se janë duke u bërë analiza për masat shtesë që duhet të merren deri në fund të vitit.

Në takimin e sotëm me përfaqësuesit e prodhuesve dhe tregjeve më të mëdha zinxhirore, siç bën me dije Bekteshi, është diskutuar për ligjin e ri për mbrojtjen e konsumatorëve, i cili tashmë është publikuar në Gazetën Zyrtare.

adv