9.8 C
Skopje
E shtunë, 30 Maj, 2026
Home Blog Page 2842

Shkup Stamboll me tren, ky është projekti ambicioz i drejtorit Majan Veseli

0

Drejtori i Hekurudhave të Maqedonisë së Veriut Majan Veseli sot është takuar me drejtorin gjeneral të hekurudhave të Turqisë, Ufuk Yalçin.

Veseli ka njoftuar për pikat kryesore të biseduara në takim.

“Gjatë takimit biseduam për:

sigurimin e dy lokomotivave (donacione ose me qira);

për riparimin e disa lokomotivave

?dhe për projektin e transportimit të udhëtarëve në relacion Stamboll – Selanik – Shkup dhe anasjelltas.

Z. Ufuk Yalçin bashkë me ekipin e tij janë angazhuar seriozisht për të na ndihmuar në zhvillimin e hekurudhave”, njoftoi drejtori Majan Veseli.
Poashtu shumë shpejt pritet që nga hekurudhat e Republikës së Turqisë, Hekurudhat e Maqedonisë do të furnizohen me garniturë/tren për transportimin e udhëtarëve, i cili do të vendoset në funksion të linjës Shkup – Tetovë – Gostivarë – Kërçovë.

“Punë të mira na presin??????“, premton drejtori i Hekurudhave të Maqedonisë, Majan Veseli.

adv

Apasiev denoncon Xhaferin për publikimin e të dhënave personale

0

Kryetari i partisë “E Majta” dhe njëherit deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Apasiev, në Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, sot ka dorëzuar Kërkesë për konstatimin e shkeljes së të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale.

Zyrtari i denoncuar akuzohet se më 12 tetor 2022, nëpërmjet kabinetit të tij, deri te një grup gazetarësh dhe media ka dërguar një njoftim të nënshkruar të nismës për referendum plotësues të detyrueshëm, ku Apasiev, si person fizik, paraqitet si shtetasi i parë i nënshkruar, me statusin ligjor të “propozuesit të autorizuar”.

“Si bashkëngjitje të fotografisë në njoftim, pa ndonjë miratim apo leje paraprake, ai qarkulloi dhe bëri publike adresën e banimit të shtëpisë private të propozuesit, nga karta e tij e identitetit, e cila më pas – pa asnjë anonimizim apo errësim u transmetua në transmetim për gati në të gjitha mediat e shkruara dhe elektronike në vend (radiot, televizionet, ueb portalet, gazetat etj). Sipas denoncimit me këtë veprim të kundërligjshëm dhe arbitrar, i padituri ka kryer shkelje të qëllimshme dhe keqpërdorim të të dhënave personale të mbrojtura me ligj të propozuesit, duke rrezikuar sigurinë e tij dhe të familjes së tij”, thuhet në komunikatën e partisë “E Majta”.

adv

Ludva: Përpiqemi që të afrojmë dialogun mes Shkupit dhe Sofjes

0

Çekia ka përkrahur procesin integrues të Maqedonisë së Veriut dhe të nëjtën do ta bëjë edhe pasi t’i mbaron presidenca me BE-në, tha ambasadori çek në Shkup, Jarosllav Ludva.

Ai mes tjerash potencoi kontributin e  Pragës   në përafrimin e dialogut Shkup-Sofje në mënyrë që dy vendet  t’i tejkalojnë problemet dypalëshe.

“Çekia ka qenë gjithmonë përkrahëse e fuqishme e Maqedonisë së Veriut  në rrugën e saj europiane dhe ne jemi shumë të lumtur që në presidencën tonë,  Maqedonia filloi negociatat me BE-në. Është rrugë e gjatë dhe e  vështirë dhe,  çka mund të bëjmë gjatë presidencës sonë, mundohemi ta realizojmë. Kemi ca mjete, buxhet  dhe mundohemi të organizojmë një seri  seminaresh dhe konferenca për RMV-në, për raportet fqinjësore dhe me theks të veçantë në  përforcimin e  dilaogut me Bullgarinë” – tha Ambasadori i Çekisë në Shkup, Jarsolav Ludva.

Ambasadori çek në vijë të njëjtë me thirrjet aktuale të diplomatëve evropian. Fton vendin të vazhdojë me reformat si dhe të krijojë unitet të brendshëm politik në procesin integrues.  Raportet me fqiun lindor i  sheh të përmirësueshme  dhe apelon palët  të vazhdojnë tutje me dialog.

“Asgjë në botë nuk është e përkryer dhe gjithçka mund të jetë më mirë. Unë shoh këtu kushte për përmirësim ku ne po përpiqemi të kontribuojmë. Unë jam per bashkëpunim dhe jo për probleme” – u shpreh Ludva.

Lidhur me mundësinë e integrimit të plotë të vendin në BE deri në vitin 2030, ambasadori çek tha se kjo mund   të jetë  një opsion apo  mundësi,  por shtoi se askush nuk mund të garantojë për ecurinë e tutjeshme midis BE-së dhe RMV-së

adv

Kovaçevski: Qeveria ka luftuar për integrim, opozita për izolim

0

Presidenti Stevo Pendarovski nuk e përjashton mundësinë e kërkesave joparimore dhe joevropiane që prekin identitetin gjatë procesit të negociatave me Brukselin. Por ai tha se Evropa nuk do të ketë partner për dialog të tillë.

Duke folur për Raportin e fundit të Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë, kreu i shtetit përsëriti se tani është e rëndësishme të përkushtohemi në reforma dhe Kuvendi të ketë vend qendror në këtë proces.

 

Prandaj, sipas Pendarovskit, është e nevojshme që të gjithë të përfshihen në proces.

“Integrimi evropian nuk mund të jetë qëllim dhe prioritet i vetëm një grupi politik. Është projekt nacional dhe të gjitha partitë relevante politike e kanë përkrahur që nga fillimi i pavarësisë së Maqedonisë e deri më sot. Prandaj, i bëj thirrje të gjithë faktorëve politikë, si qeverisë ashtu edhe opozitës, që të përfshihen në mënyrë konstruktive në këtë proces dhe të kontribuojnë në mbarëvajtjen e tij”, tha Stevo Pendarovski– president.

Nga ana tjetër, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se në Raportin e Komisionit flitet për dy koncepte. Njëri, që udhëhiqet nga Qeveria dhe i cili ka për qëllim ligjet reformuese, dhe tjetri nga opozitë që parashikon bllokada dhe izolim të Maqedonisë

“Koncepti i dytë bllokon të gjitha ligjet në Parlament. Nëse mund të kuptoj një pjesë të asaj opozite, e cila është në telefonatë me Rusinë gjithë ditën, nuk mund ta kuptoj pjesën e dytë. U bëj thirrje të gjithëve në Kuvend të bashkohemi për hir të së ardhmes së këtij vendi…”, u shpreh Dimitar Kovaçevski– kryetar i Qeverisë.

Mesazh për dialogun e brendshëm dërgoi ambasadori çek, vendi i të cilit aktualisht kryeson Bashkimin.

“Reformat kërkojnë punë të përkushtuar dhe qasje sistematike ndaj detyrave, por mbi të gjitha kërkohet dialog politik konstruktiv. Kërkohet angazhim jo vetëm nga struktura aktuale politike, por edhe nga e gjithë shoqëria”, theksoi Jarosllav Lludva– ambasador i Republikës Çeke.

Këto vlerësime u dhanë në Forumin për rrugën evropiane dhe reformat, ku kryeministri Kovaçevski ritheksoi pritshmërinë për anëtarësim të plotë në Union në vitin 2030.

adv

Drejtori i ansamblit Tolaj priti në takim artistin e njohur Pajazit Murtishi

0

 

Sot drejtori i ansamblit z.Shkodran Tolaj priti ne takim artistin Pajazit Murtishi i cili jeton në Amerikë por vazhdimisht është i lidhur me ngjarjet kulturore tek ne, artin skenike shqiptar dhe aktivitetet e rëndësishme kombëtare! Pajazit Murtishi nga Struga vlerësohet si një nga artistët më të veçantë që spikat në karakteret dramatike e që ka shkëlqyer me rolin e madh për legjendarin Adem Jashari! Ai vizitoi drejtorin e ansamblit z.Shkodran Tolaj dhe e përgëzoi për punën e paloshme duke e cilësuar ansamblin shqiptar si aset kombëtar që mbetet frymëzim posaqërisht për artistët dhe shqiptarët në Diasporë! Hulumtimin e gjurmimin e trevave të RMV- së në aspektin e pasurisë folklorike e kombëtare e vlerësoi si vlerë të jashtëzakonshme të punës së drejtorit Tolaj i cili me konceptin e tij ka arritur që vlerat e së shkuarës të marrin vendin dhe pozitën e merituar e cila ishte e pamundur të ndodhte më parë si pasojë e mungesës së një institucioni të tillë kombëtar e tejet të rëndësishëm- tha Pajaziti! Drejtori Tolaj i dhuroi një plis identifikues të ansamblit dhe CD- të e Trio Zajazit, Musa Piperkut e Lorenc Antonit me ç’rast u shpreh “Me emocion të veçantë pranoj këtë dhuratë që do e vendos në shfaqjen e radhës së Adem Jasharit. Për mua mbetet tejet i rëndësishëm fakti që institucionet kulturore ti udhëheqin artistë që kanë dëshmuar veten me punën dhe karrierën artistike në hapësirën mbarëshqiptare e më gjerë siq është artisti Tolaj” tha Murtishi! Bashkë biseduan rreth projekteve të ardhshme dhe pjesëmarrjeve të mundshme të tij për festat e nëntorit!

adv

Lejohet thirrja e parë e ezanit në Xhaminë e Kölnit

0

Thirrja e parë e ezanit në Xhaminë e Madhe të Kölnit, Ditib lejohet pas një marrëveshjeje me bashkinë e qytetit. Për kritikët është tolerancë më shumë se sa duhet.

Për herë të parë në Xhaminë e Madhe të Kölnit, DITIB do të dëgjohet sot (14.10.) thirrja e parë e ezanit në orën 13:24, kjo pas një marrëveshjeje me bashkinë e qytetit. Shumë myslimanë e shohin si një plotësim të integrimit në Gjermani, shumë gjermanë thonë, se nëse lejohet këmbana e kishës, ka vend edhe për thirrjen e ezanit, por jo pak vetë janë kritikë. Sipas kritikëve kjo do të thotë të tregosh më shumë tolerancë se sa duhet. Sipas një sondazhi të gazetës “Bonner Generalanezeiger” rreth 76% e të anketuarve e refuzojnë thirrjen e muezinit dhe nuk e shohin si të barabartë me jehonën e këmbanës së kishës.

Marrëveshja e xhamisë së Kölnit DITIB me bashkinë e qytetit është një projekt model ka kufizime të forta. Kështu thirrja e ezanit nuk duhet të jetë më e lartë se 60 decibel tek banorët. Sipas “Kölner Stadt Anzeiger”, thirrja dëgjohet vetëm 100 metra më larg se xhamia. Thirrja e ezanit nuk do të buçasë nga minaretë, por nga megafonë të vendosur në oborr. Duhet kujtuar, se nuk është thirrja e parë e ezanit në Gjermani. Në Dyren psh ajo ka 30 vjet që dëgjohet dhe nuk shkakton tani më shumë se një ngritje supesh sipas “Deutschland funk”.

Abdurrahman Atasoy, zëvendëspresideni i Shoqatës së Përgjithshme DITIB është shprehur se “ky është një hap i rëndësishëm në perceptimin e komunitetit besimtar mysliman si pjesë të shoqërisë.” Mbështetje për thirrjen e ezanit vjen nga kisha katolike. Kreu i dioqezës së Kölnit, Robert Kleine tha për agjencinë katolike të lajmeve, kna, se e drejta bazë e ushtrimit të lirisë së fesë vlen edhe për komunitetet myslimane në formën e thirrjes së muezinit. “Këtu bëhet fjalë për një të drejtë kushtetuese, që nuk duhet të relativizohet me referimin tek intoleranca fetare apo instrumentalizimin politik të fesë në pjesë të tjera të botës.”/DW

adv

Makina Turke TOGG bëhet gati për treg, ja si do të bëhet shitja

0

Detaje të reja kanë dalë në lidhje me shitjen e makinës së brendshme turke Togg. Një model është duke u zhvilluar në qendrat e përvojës si ‘Apple’ ku përdoruesit mund të kontaktojnë automjetin dhe të fillojnë procesin e porosisë.

Marka globale e teknologjisë turke Togg po numëron ditët për të shkarkuar makinën e saj të parë në segmentin C-SUV, të cilin e përcakton si një ‘pajisje inteligjente’. Në kuadër të ceremonisë që do të mbahet të shtunën, më 29 tetor me pjesëmarrjen e presidentit Recep Tayyip Erdoğan, do të bëhet hapja e objekteve të prodhimit të Togg në Gemlik. Me hapjen, modeli C-SUV, i cili është prodhuar në punishten e prototipeve dhe ka kryer teste të ndryshme rrugore, do të jetë plotësisht gati për prodhim masiv. Menjëherë pas kësaj, Togg C-SUV do të dërgohet në qendrat e akredituara të testimit për të vërtetuar gatishmërinë e tij për të dalë në rrugë. Modeli C-SUV plotësisht elektrik i Togg, i cili do të marrë dokumentet e miratimit pas testeve të homolagimit që do të zgjasin rreth 5 muaj, do të dalë në shitje në mars 2023.

Sipas lajmit të Taylan Özgür Dil nga gazeta Hürriyet; Pas C-SUV, Sedani plotësisht elektrik në segmentin C do të ofrohet në shitje në vitin 2025. Ky model do të pasohet nga modelet C-Hatchback, B-SUV dhe C-MPV përkatësisht, duke kompletuar kështu gamën e produkteve të Togg. Duke synuar të prodhojë këto 5 modele të ndryshme 100 për qind elektrike, të cilat i kemi renditur në një platformë të vetme, deri në vitin 2030, Togg synon të arrijë një kapacitet prodhimi prej 175,000 njësi në vit në fund të 7 viteve dhe të shkarkojë gjithsej 1 milion automjete. nga grupet. Ndërkohë, është ndër detajet e përbashkëta se objekti Gemlik, i cili është ndërtuar në një sipërfaqe të hapur prej 1.2 milionë metrash katrorë, do të punësojë 4 mijë e 300 persona me kapacitet vjetor prej 175 mijë njësi.Objekti në Gemlik nuk do të jetë vetëm një objekt prodhimi. Një shërbim i qendrës së përvojës së përdoruesit do të ofrohet gjithashtu në objektet e quajtura ‘Gemlik Campus’. Konsumatorët do të jenë në gjendje të përjetojnë teknologjitë dhe produktet e Togg për ekosistemin e lëvizshmërisë në këtë fushë. Nga ana tjetër, CEO i Togg, M. Gürcan Karakaş tha, “Një markë që nuk është e suksesshme në vendin e saj nuk mund të jetë e suksesshme as jashtë vendit. Për këtë arsye jemi në vendin tonë në 18 muajt e parë.” Siç theksoi ai, C-SUV-të e prodhuara do të takohen fillimisht me konsumatorët në Turqi. Kjo periudhë mund të reduktohet edhe me 3 muaj në varësi të kërkesës, pra eksportet mund të realizohen pas 15 muajsh. Në eksport do të synohen në radhë të parë vende si Gjermania dhe Franca.

Metoda e shitjes së Togg në tregun vendas do të jetë e ndryshme nga sistemi klasik i shitjeve dhe vetëm nga shitjet online. Në këtë pikë, pozicionimi i Togg si një kompani teknologjike jep të dhëna të rëndësishme. Nuk është ende e qartë, por një model mund të jetë duke u zhvilluar në qendrat e përvojës si ‘Apple’ ku përdoruesit mund të kontaktojnë automjetin dhe të fillojnë procesin e porosisë. CEO Karakaş gjithashtu përcolli këshillat e tij të shitjeve me fjalët e mëposhtme:

“Aktualisht po shqyrtojmë një strukturim si një qendër eksperience që nuk ekziston në botë. Ne nuk po mendojmë vetëm për një tregtar tradicional ose thjesht për shitje online, por për një qendër eksperience ku të dyja janë të përfshira dhe të përziera. Çdo qytet mund të ketë një nga këto. Përsëri, planet mund të ndryshojnë në varësi të densitetit.”

adv

Dëshmitë e burgut

0

Dënimi më i qartë dhe i plotë i komunizmit gjendet te dëshmitë e viktimave të tij, kryesisht te kujtimet që kanë shkruar ish të burgosurit e familjarë të tyre. Mirëpo, a mjafton vetëm dëshmia për të dënuar komunizmin, kur ajo nuk është shoqëruar nga gjykimi dhe dënimi i fajtorëve, nga dëmshpërblimi i viktimave dhe nga një qëndrim i prerë institucional për moslavdërimin publik të figurave dhe simboleve të tij, ngjashëm me mënyrën se si trajtohet nazizmi në Gjermani dhe në shtete të tjera europiane?

Shkruan: Enis SULSTAROVA, Tiranë

“Nuk mund t’ia tregosh kujt” – Primo Levi përshkruan një ëndërr, më mirë të themi një makth, që ai shihte herë pas here në kampin e Aushvicit. Në ëndërr ai ikën prej kampit, kthehet në shtëpi dhe u tregon të tjerëve hollësi prej tmerreve që kishte përjetuar gjatë kohës kur kishte qenë burgosur. Ndërsa ai tregon, kupton se asnjë prej të pranishmëve nuk po e dëgjon më. Ata flasin me njëri-tjetrin dhe atij i duket sikur askush nuk e dallon që ai është ende aty. Në fund, të tjerët ikin pa e përshëndetur, sikur ai të mos kishte qenë asnjëherë midis tyre.

Një frikë të ngjashme, që askush nuk do t’i kuptojë, ose, më keq, që askush nuk do t’u besojë, e shprehin edhe shumë prej ish të burgosurve politikë në Shqipëri, gjatë rrëfimeve të torturave e vuajtjeve që kanë pësuar e tmerreve të tjera që kanë parë më sy gjatë kohës kur kanë qenë të dënuar apo internuar. Gjatë leximit të kujtimeve të mbledhura në serinë “Zërat e kujtesës”, të botuar nga Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, kam ndeshur disa herë pauza gjatë rrëfimit, kur i intervistuari duket sikur del nga vetja, kthehet në dëgjues i vetes dhe reflekton nëse çfarë po thotë a tingëllon e besueshme apo jo. Bedri Çoku, duke treguar torturat dhe mundimet që kishin pësuar ai dhe të burgosur të tjerë në burgjet e Burrelit dhe të Spaçit, thotë: “Ishin vuajtje të atilla që unë kam drojë t’i tregoj, se kam frikë se nuk më beson njeri” (“Zërat e kujtesës, vëll. 3, Tiranë, 2016, f. 72). Ndrek Bazhdari, ish i burgosur në burgun e Burrelit, thotë se “kanë qenë shumë periudha të tilla sprovash të vështira, që, kur ua tregoj fëmijëve të mi, nuk i besojnë… ata nuk arrijnë të besojnë se një trup njerëzor, e për më tepër një gjysmë trupi që isha unë, mund të rezistojë deri në 23 gradë nën zero, në një birucë, vetëm me një batanije të hollë… Janë të pabesueshme historitë e vuajtjeve tona” (“Zërat e kujtesës”, vëll. 1, Tiranë, 2015, f. 36).

Një tregim i ngjashëm na vjen edhe nga Aziz Ndreu, i internuar në kampet e Beratit, Kuçovës, Turanit e Tepelenës në vitet e para pas çlirimit, kur ai ishte adoleshent. Gjatë bisedës me një bashkëvuajtës italian, major Mario Verdin, Ndreu i thotë se shteti i tij do të interesohet për të dhe me siguri që një ditë do të lirohet dhe do të atdhesohet. Pastaj e pyet Verdin se a do të tregojë në Itali ato që ka hequr dhe parë në kampet e Shqipërisë. “Jo. Kurrë!”, i përgjigjet italiani, i cili kur sheh se Ndreu mërrudhet dhe pezmatohet, nis të shpjegohet: “Po kush do të më besojë mua për këto që kanë ndodhur? Do të më marrin për një njeri aventurier dhe, kur të kem ikur, as unë vetë s’do t’i besoj këto”. Më pas Ndreu shton: “Edhe sot e kësaj dite më kujtohet ajo bisedë. Dua të them që ishin gjëra që nuk besoheshin dhe nuk mund t’ia tregosh kujt; zakonisht kur më pyesin, nuk u them asgjë, se do të thonë qenke gënjeshtar, aq të pamundura duken” (“Zërat e kujtesës”, vëll. 2, Tiranë, 2015, f. 263-264).

Primo Levin e mundonte ankthi nëse do të ishte në gjendje t’u tregonte njerëzve dëshminë e tij tronditëse dhe nëse ata do të tregonin interes për tregimin e tij apo do ta shpërfillin. Nëse ndodhte kjo e dyta, do të ishte njëlloj sikur Levi të mos kishte ekzistuar kurrë, sepse ai, në mes të mizorisë së kampit të shfarosjes, e kuptoi se qenia e tij ishte përcaktuar një herë e mirë si dëshmitar i asaj të keqeje të madhe. Ai shpresonte të dilte gjallë prej kampit, sepse donte të tregonte se çfarë ishte kampi. (Sikurse urdhri “Rrno vetëm për me tregue!” që prifti epror Marin Sirdari i dha të riut Zef Pllumit për të treguar persekutimet e klerit katolik prej regjimit komunist dhe që Pllumi e përbrendësoi si misionin e jetës së vet dhe na dha rrëfimin monumental me të njëjtin titull.) Nëse Levi do të arrinte të dilte i gjallë nga kampi, gjithçka që ai kishte qenë më parë se të arrestohej dhe gjithçka që ai kishte bërë jashtë kampit nuk do të kishte aq vlerë për të sa kishte përvoja e kampit. Problemi që ai ndjente ishte se për të qenë dëshmitar i nevojitej një publik i interesuar për të dëgjuar, mundësisht edhe një gjykatë ku dëshmia e viktimës të ndihmonte për të çuar në vend drejtësinë dhe për të dënuar fajtorët. Fatmirësisht për Levin, bota, sidomos ajo pjesë e botës që e njohim si Perëndimi, u tregua e gatshme ta dëgjonte dëshminë e tij, edhe për arsyen sepse mposhtja e fashizmit u arrit me një luftë botërore që kërkoi flijime të stërmëdha njerëzore dhe për këtë partitë dhe regjimet fashiste u konsideruan fajtore dhe një pjesë e mirë e krerëve dhe anëtarëve të tyre u gjykuan. Një arsye tjetër ishte se kampet naziste të shfarosjes ishin me të vërtetë një ngjarje unike në historinë e vonë të njerëzimit dhe kujtimet e të burgosurve në kampet dhe burgjet fashiste u trajtuan si dëshmi të vlefshme për dënimin historik të fashizmit dhe për mospërsëritjen e tij. Vendosja e të drejtave të njeriut si vlera madhore dhe norma juridike për të gjithë njerëzimin është rezultat i përpjekjes për mposhtjen e fashizmit.

Kur Bedri Çoku, Ndrek Bazhdari apo Aziz Ndreu thonë se “nuk mund t’ia tregosh kujt”  se çfarë kanë hequr ata dhe të tjerë, me këtë duan që, në radhë të parë, të tregojnë shkallën  se deri ku mund të arrijë mizoria dhe njëkohësisht qëndresa njerëzore, shkallë për të cilën ata vetë janë dëshmitarë. Mirëpo, ata me këto fjalë shprehin edhe frikën se sa më shumë kalon koha dhe sa më shumë që jeta e përditshme e shqiptarëve ndryshon nga ajo e komunizmit, aq më e vështirë bëhet për dëshmitë e ish të burgosurve të çajnë harresën dhe indiferencën kolektive. Kjo e fundit është e pavetëdijshme, sepse njerëzit e thjeshtë janë të merakosur me përballimin dhe zgjidhjen e problemeve të përditshmërisë dhe nuk duan të dëgjojnë më për periudhën e komunizmit, aq më pak për vuajtjet e të përndjekurve. Kështu, pa kuptuar, mund të vijë një ditë kur ne do të pyesim nëse ka qenë ndonjëherë Shqipëria komuniste! Nëse kjo ndodh, atëherë është e mundur që edhe disa prej dëshmive të mizorisë së burgjeve dhe kampeve do të trajtohen si trillime.

Për çfarë vlen dëshmia? – Në Bashkimin Sovjetik dhe në Evropën Lindore regjimet komuniste u dorëzuan pa luftë dhe Perëndimi i përkrahu tranzicionet drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut pa ushtruar trysni të njëmendtë për dënimin e përgjegjësve kryesorë të krimeve dhe vuajtjeve të shkaktuara. Për dallim nga tranzicionet në Afrikën e Jugut dhe në disa shtete të Amerikës Latine, autorëve të krimeve të komunizmit nuk iu kërkua që të vetëshpalleshin fajtorë dhe të dëshmonin për përgjegjësinë personale para të ashtuquajturave “komisione të së vërtetës”. Me përjashtim të Gjermanisë Lindore, dosjet e policisë sekrete nuk u bënë të qasshme për publikun e gjerë. Në Shqipëri mjaftoi shprehja “ashtu ishte koha” që shumë prej pjesëmarrësve në aparatin shtypës partiak e shtetëror të komunizmit të justifikoheshin për përgjegjësinë e vet dhe të vijonin karrierën në administratën shtetërore. Moskërkimi i faljes nga persona që kanë shërbyer si sekretarë partie, kryetar fronti, anëtarë të komisioneve të internimeve, hetues, prokurorë, policë të burgjeve e kampeve, spiunë etj., tregon se relativizimi i moralit, i stimuluar nga regjimi totalitar, vijon në paskomunizëm, i maskuar pas parullës “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”. Me përjashtim të Bashkim Shehut e ndonjë tjetri, në përgjithësi bashkëshortet e fëmijët e “bllokmenëve”, nuk kanë dënuar publikisht përgjegjësinë e familjarit të tyre, por i kanë dalë në mbrojtje me anë të kujtimeve apo apologjive të tjera. Kështu kanë vepruar Nexhmije Hoxha, bijtë dhe nuset e saj.

Sigurisht që viktimat e komunizmit u njohën si të tilla, por pa marrë dëmshpërblimin e plotë material dhe moral. Për shumë prej tyre vuajtjet vijuan edhe pasi dolën jashtë mureve dhe telave. Dëmshpërblimi material i tyre u trajtua si lëmoshë, jo si një hua që shteti dhe shoqëria u detyrohet për dënimin e padrejtë dhe për punën skllavërore, e cila ndërtoi shumë nga veprat që mbaheshin si krenaria e socializmit. Edhe sot nuk ka një përllogaritje të djersës dhe gjakut që kanë derdhur të burgosurit politikë, ndërkohë që, sa për krahasim, Gjermania në 2021 ka pranuar të paguajë 1.3 miliardë euro dëmshpërblim për gjenocidin kolonial që ka kryer në Namibi në fillim të shek. XX. Shumë prej të përndjekurve në Shqipëri tashmë kanë ndërruar jetë pa përfituar dëmshpërblimin e duhur për pjesën e jetës e djersën që ua rrëmbeu komunizmi dhe që do t’ua kishte lehtësuar sadopak përballimin e traumave dhe të vështirësive të jetës në “liri”.

As dëmshpërblimi moral nuk është arritur deri tani, përderisa dënimi simbolik i komunizmit është bërë vetëm pjesërisht. Situata paradoksale ku kemi arritur është që figurat dhe simbolet e komunizmit po nderohen në një njëjtën kohë dhe paralelisht me dënimin e komunizmit dhe me përkujtimin e viktimave të tij. Mehmet Shehu, Haxhi Lleshi dhe Feçor Shehu janë shpallur qytetarë nderi në vendlindjet përkatëse; Bardhok Biba, një komunist i vrarë nga kundërshtarët në Mirditë e ka një rrugë me emrin e tij në qendër të Tiranës, ndërkohë që nuk e di a ka ndonjë përkujtimore për 14 burra mirditorë që Mehmet Shehu urdhëroi të vriten pa gjyq për hakmarrje; deri edhe hetues e operativë të Sigurimit të Shtetit, si Nuçi Tira, janë nderuar me emra të rrugëve të Tiranës, sikurse disa rrugë të tjera tashmë mbajnë emrat e viktimave e kundërshtarëve të komunizmit. Krahas dokumentarëve të realizuar për krimet e komunizmit, ekzistojnë edhe dokumentarë që autorët e këtyre krimeve i lavdërojnë si çlirimtarë në luftë apo burra shteti!

30 vjet pas rënies së komunizmit, mungon një përkujtimore qendrore në kryeqytet. U tentua një e tillë me bunkerin dhe trarët e galerive të Spaçit të vendosura pranë ndërtesës ku dikur ka qëndruar Komiteti Qendror i PPSH-së, por edhe kjo simbolikë u neutralizua me bunkerin kiç të Bunk’Artit që u ndërtua pak më tutje, pas Ministrisë së Brendshme. Një muze i krimeve të komunizmit do të mund të ishte instaluar në ndërtesën e ish-muzeut të Enver Hoxhës në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit”, ndërtesë që ndryshe thirrej “Piramida”, përpara se kjo të bëhej disko, kafe-bar, qendër kulture, teatër që asnjëherë nuk i hapi dyert për publikun e para se sa t’i shtoheshin ata kuba të shëmtuar e shkallët butaforike, që po tjetërsojnë krejt arkitekturën origjinale!

Fatkeqësisht, për mendimin tim, shoqatat e ish të përndjekurve politikë nuk arritën që të ngriheshin më lart se barrikada e “së djathtës” që ua imponoi politika partiake dhe nuk gjeneruan një zë moral që do të depërtonte nëpër të gjithë shtresat shoqërore dhe që do të shërbente për vendosjen e një standardi të përgjithshëm shoqëror për dënimin e komunizmit. Për klimën që po mbizotëron tani për sa i përket trashëgimisë së komunizmit në Shqipëri flet fakti se Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, i cili financohet me para publike, i është ndaluar me ligj që të mos botojë dokumente e studime për krimet që Partia Komuniste dhe Fronti Antifashist Nacional-Çlirimtar kanë kryer ndaj civilëve të paarmatosur gjatë viteve të luftës botërore. Ish-drejtori i këtij instituti, Agron Tufa, në vitin 2019 paditi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ish-komandantin e kamp-burgut të Qafë-Barit, Edmond Cajën, për veprën penale të krimeve kundër njerëzimit. Pak kohë pas kësaj, Tufa e familja e tij u detyruan të kërkojnë azil politik në Zvicër, për shkak se u kërcënuan prej ish-funksionarëve komunistë të rikthyer në pushtet.

Dënimi më i qartë dhe i plotë i komunizmit gjendet te dëshmitë e viktimave të tij, kryesisht te kujtimet që kanë shkruar ish të burgosurit e familjarë të tyre. Mirëpo, a mjafton vetëm dëshmia për të dënuar komunizmin, kur ajo nuk është shoqëruar nga gjykimi dhe dënimi i fajtorëve, nga dëmshpërblimi i viktimave dhe nga një qëndrim i prerë institucional për mos-lavdërimin publik të figurave dhe simboleve të tij, ngjashëm me mënyrën se si trajtohet nazizmi në Gjermani dhe në shtete të tjera evropiane? Për çfarë vlejnë dëshmitë e ish të burgosurve dhe të të persekutuarve të tjerë të regjimit komunist, kur ato nuk janë institucionalizuar në mënyra të ndryshme dhe kur lexohen kryesisht nga të persekutuarit? Si mund të depërtojnë historitë e viktimave në ndërgjegjen kolektive në kohën kur historia zyrtare e asaj kohës ende shkruhet nga këndvështrimi i “fitimtarëve”? Si mund të flasim për dekomunistifikim të shoqërisë kur në vitin 2019 kryetar i Akademisë së Shkencave zgjidhet ish-ministri i fundit i arsimit i regjimit komunist?

Sigurisht që për kampet dhe burgjet e komunizmit nuk duhet të heshtim, sepse kjo do të ishte njëlloj sikur ato të mos kenë ekzistuar. Që e vërteta të rrënjoset, ajo më parë duhet thënë. Dëshmitë i kemi dhe, në mungesë të institucionalizimit të së vërtetës, përgjegjësia jonë si qytetarë është të njohim dhe të gjykojmë saktë mbi përmasën dhe mizorinë e krimeve që regjimi komunist për gjysmë shekulli ka kryer kundër popullit tonë (sikurse duhet të njohim dhe të gjykojmë për krimet e regjimeve të tjera totalitare e diktatoriale). Pas ndërgjegjësimit vetjak, secili të kthehet në përcjellës i dëshmive te të tjerët dhe te brezi i ri. Është e rëndësishme që të mos lejojmë heshtjen dhe relativizimin e dëshmive të krimit (të tipit “krime po, por pati dhe të mira ai sistem”). Individualisht dhe shoqërisht, me mënyra krijuese, të përpiqemi të kapërcejmë pengesën që ndan e gjykimin kolektiv për komunizmin në dy korsi paralele, që të çojnë në drejtime të kundërta: njëri ai i dënimit të periudhës komuniste dhe tjetri ai i lartësimit të “arritjeve” të asaj kohe. Edhe në mesin e barbarisë mund të gjenden shkëndija të qytetërimit, por këto nuk mjaftojnë për ta çarë errësirën e përgjithshme.

adv

Masat antikrizë, Qeveria planifikon që administrata të punojë nga shtëpia

0

Kryetari i Sindikatës së punonjësve të administratës, gjyqësorit dhe shoqatave qytetare (UPOZ), Trpe Deanoski mbrëmë në “Top Tema” në Telma ka shpalosur disa nga masat dhe rekomandimet e Qeverisë për uljen e shpenzimeve të buxhetit për ballafaqim me krizën energjetike.

“Përveç masës për uljen e rrogave me 10 për qind, dokumenti përmban edhe disa pika të tjera, duke përfshirë uljen e punës jashtë orarit me mbi 20 për qind në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Agjencinë e Sigurisë Kombëtare. në Agjencinë për Inteligjencë”, zbuloi Deanoski, përcjell INA.

Sipas tij, Qeveria planifikon që edhe administrata shtetërore të punojë nga shtëpia, edhe ate të punohet me rotacion.

Sindikalistët si nga sektori publik ashtu edhe nga ai privat kanë paralajmëruar se të gjithë së bashku do të kundërshtojnë çdo përpjekje të Qeverisë për të shfuqizuar apo pezulluar marrëveshjet kolektive, që rregullojnë të drejtat e punëtorëve në sektorë të caktuar.

Mbledhja e djeshme e Këshillit Ekonomiko-Social u ndërpre pasi që nuk u arrit marrëveshje mes Qeverisë, sindikalistëve dhe punëdhënësve.

adv

Mot i vranët dhe me reshje shiu

0

Moti sot do të jetë me vranësira dhe reshje të kohëpaskohshme të shiut, fillimisht në pjesët perëndimore dhe më pas edhe në pjesët tjera të vendit. Pasdite dhe natën drejtë së premtes reshjet do të jenë më të rrëmbyeshme. Do të fryjë dhe erë e dobët nga drejtime të ndryshme.

Temperatura minimale do të jetë në interval prej 7 deri në 13, ndërsa ajo maksimale do të arrij prej 15 deri në 20 gradë.

adv