9.8 C
Skopje
E shtunë, 30 Maj, 2026
Home Blog Page 2843

Bekteshi: Maqedonia e Veriut është pjesë e Evropës dhe krizën energjetike mund ta përballojmë vetëm me masa të përbashkëta

0

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi sot në Pragë të Çekisë mori pjesë në një takim joformal të ministrave të Energjietikës të Bashkimit Evropian.

Në takim, përveç nikoqirit ministri i Tregtisë dhe Industrisë i Republikës Çeke, Jozef Sikela fjalim ka mbajtur edhe Kadri Simson, Komisioneri Evropian për Energji.

U prezantua udhërrëfyesi për aktivitetet e mëtejshme për përballimin e çmimeve të larta të energjisë, si dhe mundësitë e ofrimit të gazit natyror me çmime të përballueshme për konsumatorët në Evropë.

Në takimin jozyrtar, përveç shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, ishin edhe shtetet anëtare të Komunitetit Evropian të Energjisë.

Në fjalën e tij në takimin joformal, ministri Bekteshi tha se Ballkani Perëndimor duhet të përfshihet në masat e tyre të planifikuara, duke shtuar se presin mbështetje nga BE-ja, sepse Maqedonia e Veriut është pjesë e BE-së dhe vetëm së bashku mund ta kalojmë këtë krizë.

“Sapo kemi përfunduar takimin me ministrat e energjisë të vendeve anëtare të BE-së, ku biseduam për përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në masat e propozuara, të cilat me shumë mundësi duhet të miratohen në periudhën e ardhshme. Ne si Maqedonia e Veriut e shprehëm qëndrimin tonë në atë që presim mbështetje nga BE-ja me masa konkrete që do të synohen vetëm për vendet e Ballkanit Perëndimor pasi, siç u tha në takim, ndjejmë se jemi pjesë e Bashkimit Evropian dhe vetëm bashkërisht do të mund ta përballojmë sa më mirë krizën energjetike”, tha ministri Bekteshi.

Masat që Komisioni Evropian u propozon vendeve anëtare janë që vendet të zgjedhin masat e duhura sipas të cilave do të kenë një ulje të konsumit total të energjisë elektrike me 10% deri në fund të marsit 2023, pra një ulje të detyrueshme të konsumit deri në të paktën 5% gjatë orëve të pikut në periudhën midis 1 dhjetorit 2022 dhe 31 marsit 2023.

Një masë për përballimin e krizës energjetike që u propozua është kufizimi i të ardhurave për prodhuesit e energjisë elektrike dhe shpërndarja e të ardhurave të tepërta. Kjo masë do të zbatohej për prodhuesit e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme, centralet bërthamore, linjitit, torfe dhe naftë. Të ardhurat e tregut janë të kufizuara në 180 EUR/MWh dhe të ardhurat e tepërta të mbledhura do të përdoren për të zbutur ndikimin e çmimeve të larta tek konsumatorët e fundorë.

Si një nga masat e propozuara nga Komisioni Evropian është një kontribut solid nga bizneset e lëndëve djegëse fosile që do të aplikohej për kompanitë që merren me prodhimin ose tregtimin e gazit natyror, naftës bruto dhe produkteve të naftës, duke përfshirë rafineritë dhe qymyrin. Fondet e mbledhura do të përdoren për të mbështetur familjet dhe bizneset për të zbutur efektin e çmimeve të larta të energjisë.

Para fillimit të takimit joformal të ministrave të energjisë të BE-së, u mbajt takimi i shteteve anëtare të Komunitetit të Energjisë me Drejtorin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë Artur Lorkrivski, ku u diskutua për pritjet për furnizim me energji si dhe masat e marra nga anëtarët për përballimin e krizës energjetike.

adv

Do të ketë ushqim dhe rrymë për të gjithë tha Kovaçevski

0

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski siguroi qytetarët e Maqedonisë që të jenë të qetë sepse sipas kryeministrit as kategoritë e rrezikuara nuk do të kenë krize gjatë këtij dimri. Ai siguroi se ushqim, rrymë dhe ngrohje do të ketë për të gjithë dhe sipas tij këtë e siguron masa e re e qeverisë ku janë ndarë 360 milionë euro.

“Askush nuk do te jetë i detyruar që të zgjedhë mes ngrohjes dhe ushqimit. Paketa e re me masat antikrize që e sollëm të hënën me vlerë 360 milionë euro është hapi i parë për të siguruar se të gjithë qytetarët në shtet sidomos kategoritë e rrezikuara do ta mbijetojnë këtë dimër. Rrymë, ushqim dhe ngrohje duhet të ketë për të gjithë. Puna e dytë është të fillojmë të mendojë si do të duket e ardhmja jonë”, deklaroi Dimitar Kovaçevski-kryeministër i RMV-së.

Ndryshe ditë më parë  Qeveria erdhi me pako masa anti krizë ku për 42 mijë qytetarë në katër muajt e ardhshëm do të marrin 3 mijë denarë ndihmë nga Qeveria. Kështu deklaroi kryeministri i vendit Dimitar Kovaçevski gjatë prezentimit të masave anti-krizë. Ai tha se janë ndarë 350 milion euro për masat e krizës energjitike dhe ekonomike.

adv

Hoxha: Me çmime të këtilla, biznesi në Maqedoninë e Veriut është para kolapsit

0

Kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha tha se me me çmime të këtilla, biznesi në Maqedoninë e Veriut është para kolapsit, përcjell TV21. Hoxha bëri thirrje që së paku deri në pranverë të gjithë faktorët të bashkohen në mbrojtje të kompanive, ndërsa theksoi se aktualisht nuk munden të vlerësohen masat e Qeverisë për ballafaqim me krizën energjetike.

“Ne shohim se me këto çmime, biznesi është para kolapsit. Për këtë ne kemi intervenuar si oda ekonomike, të gjithë së bashku që të gjindet mënyrë dhe zgjidhje që Qeveria t’u del në ndihmë për shkak se situata me rritjen e çmimeve të energjisë elektrike është në nivel shumë të lartë dhe për këtë kërkuam intervenim urgjent nga Qeveria rreth mbështetjes së kompanive me të gjitha resurset e mundshme. Kemi biseduar në Këshillin nacional që të gjejmë zgjidhje që të mbështeten edhe kompanitë që janë në tregun e hapur edhe në tregun fiks, ka mundësi për zgjidhje të tillë, vetëm duhet të gjenden modalitetet”, tha mes tjerash Hoxha.

adv

Drejtori i Ansamblit Nacional Shqiptar Tolaj priti në takim Ambasadorin e RMV-së në Norvegji, Driton Kuqi

0

Drejtori i Ansamblit Nacional shqiptar  Shkodran Tolaj priti në takim ambasadorin e sapoemëruar të RMV-së në Norvegji Driton Kuqin.

Sot në zyrat e Ansamblit Nacional shqiptar në vizitë ishte ish profesori universitar tashmë ambasador i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Norvegji Driton Kuqi!

Ai vizitoi drejtorin e ansamblit Shkodran Tolaj dhe e përgëzoi për punën e pandalshme, fitoret historike ndërkombëtare dhe shkëlqimin që i fali ansamblit shqiptar, posaqërisht e përgëzoi për triumfin e fundit në Turqi. Drejtori Tolaj shprehu kënaqësi që ambasadori Kuqi- tashmë ambasador do të jetë dhe një promovues i shkëlqyeshëm i kulturës sonë në Norvegji duke marrë parasysh lidhjen e tij të ngushtë me artin dhe folklorin.

Në shenjë mirënjohje për kontributin e tij në folklor dhe në shoqëritë kulturore e artistike në RMV si ish- vallëtar i dalluar ai i dhuroi atij personalisht veshjet kombëtare të Tiranës dhe dy xhamadanë me motivet e trevave tona për fëmijët e tij Donikën, Arvanitin dhe Vatanin.

Me këtë rast vet ambasadorit i dhuroi një plis me llogon identifikuese të ansamblit si shenjë respekti dhe uratë për fillim pune të mbarë dhe shumë suksese në detyrën dhe misionin e ri!

Ata bashkë diskutuan dhe për aktivitetet e mundshme artistike të ansamblit në vendet Skandinave, në një të ardhme të afërt!

 

“>

adv

Deputeti Mexhiti ngushëllon famijen e Xhevair Jakupit-Xhekit

0

Depueteti i BDI-së dhe ish-nënkryetari i komunës së Çairit i ka shprehur ngushëllime familjes së Xhevair Jakupit-Xhekit, për humbjen e të birit.

“Sot Çairi dhe Shkupi humbi një djalë unikat, puntor i paparë, i këndshëm dhe i dashur me të gjithë, e unë humba nje shok!
Ngushëllime familjes dhe gjithë atyre që e njohën!
Zoti e meshiroftë shokun tonë Xhekin, do na mungojë! ”, ka shkruar Mexhiti.

Mëngjesin e sotëm, në moshën 38 vjeçare, në Shkup ka ndërruar jetë njëri nga berberët më të njohur të Shkupit, Xhevair Jakupi – Xheki, pronar i studios “Xheki Young” në QT Zebra.

Lajmi u përhap me shpejtësinë e dritës në rrjetet sociale. Përmes profileve të tyre në Facebook, shkupjanët ndajnë kujtimet e tyre dhe i bëjnë nderimet e fundit njeriut që çdo ditë shpërndante energji pozitive dhe kujdesej për pamjen e tyre.

Berberi i famshëm Xheki, edhe pse i ri, kishte më shumë se 25 vjet përvojë në këtë zanat. Ai ishte një nga berberët e preferuar të Shkupit.

adv

Mickoski bllokon kurse Kovaçevski e çon vendin drejt BE-së thonë nga LSDM

0

Partia maqedonase në pushtet LSDM, thotë se kryeministri Dimitar Kovaçevski me politikat e tij është duke e drejtuar vendin drejt anëtarësimit në BE, ndërsa kryetarin e opozitës e akuzojnë për bllokadë. Nga LSDM thonë se me partinë e tyre në pushtet, vendi ka nisur negociatat me BE-në me identitet të mbrojtur. “Në rrugën evropiane, duhet të merren vendime që do t’i çojnë brezat e tanishëm dhe të ardhshëm drejt anëtarësimit në BE, sepse qytetarët meritojnë punë më të mira dhe një standard më të lartë jetese në shtëpi. Diametralisht e kundërta është sjellja destruktive e VMRO-DPMNE-së në krye me Hristijan Mickoski. Sot si opozitë dhe për 11 vite më parë si qeveri, vetëm deklarativisht mbron anëtarësimin në BE dhe nga ana tjetër bën gjithçka për të bllokuar dhe penguar integrimin evropian. Mickoski u ofron qytetarëve atë që vuajtën për 11 vjet, përçarje në të gjitha bazat, një vend në kundërshtim me të gjithë fqinjët, në izolim ndërkombëtar dhe larg negociatave për anëtarësim në BE. Dallimi është i qartë dhe i dukshëm. Me LSDM-në si parti shtetformuese, Republika e Maqedonisë së Veriut u bë anëtare e plotë e NATO-s, filloi negociatat për anëtarësim në BE, ndërsa OBRM-PDUKM nuk mbështeti asnjë vendim të vetëm për realizimin e interesave strategjike të shtetit”, thonë nga LSDM.

adv

AUTOKinezët prodhojnë Range Roverin elektrik që kushton 2,700 euro

0

Tashmë jemi mësuar me kopje të lira të veturave nga Kina, por modeli më i fundit i ofruar në Alibaba e ka “rritur lojën”. Për vetëm 2710 euro, ju merrni një kopje jo shumë besnike të Range Roverit, në një paketë shumë më të vogël me një distancë prej 200 kilometrash.

Kopjet e veturave të famshme që vijnë prej shtetit kinez nuk janë të rralla. Një numër i mirë kompanish nga vendi më i populluar në botë i kanë bazuar produktet e tyre në vjedhjen e dizajneve të markave të njohura.

Viktima e fundit e plagjiaturës është Range Rover. Kompania kineze, Sea Biscuit ka ofruar një model në Aliexpress që do të tërheqë shumë vëmendje, kryesisht nga avokatët e kompanisë britanike sepse është një vjedhje e dukshme dizajni. Kjo veturë ka një çmim fillestar prej 2,710 eurove, që është më pak se shumica e gjërave në listën e aksesorëve të një Range Rover të vërtetë, tranemston Telegrafi.

Për këto para, që nuk përfshijnë shpenzimet e transportit, klientëve iu ofrohet një mikroveturë tërësisht elektrike me një motor elektrik që zhvillon 68 kuaj/fuqi, ndërsa shpejtësia maksimale është 50 km/h. Fuqia transmetohet në rrotat e pasme dhe pas 10 orësh karikimi në një prizë klasike shtëpiake, kjo kopje e Range Rover mund të përshkojë maksimumi 200 kilometra.

Sigurisht, ata nuk kopjuan cilësinë e brendshme nga prodhuesi britanik.

Siç raportojnë mediat, plastikë të lira ka kudo, ndërsa ulëset janë prej lëkure false. Megjithatë, ka dy ekrane në miniaturë dhe një prizë për karikimin e celularit, të cilat i shtojnë pak luks interierit.

Duhet theksuar se zbritje ka edhe për sasi më të mëdha, ndaj në rast se klienti porosit më shumë se 100 kopje, çmimi bie vetëm në 2000 euro.

 

adv

Pas 80 vitesh punë, mbyllet këpucëtaria në Tetovë

0

Megjithatë, për këtë njeri nuk e lehtë që t`i vendos çelësin punëtorisë ku kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij. Kur e pyesim se a i vjen keq që ndahet nga profesioni i tij i jetës, emocionohet sepse ishte mësuar me njerëz, me të cilët edhe ndante hallet e jetës

Urim HASIPI

Tetovë, 11 tetor – Për herë të fundit ka mbyllur derën ku për shumë vite kishte punuar si këpucëtar. Pas 40 vitesh të ushtrimit të këtij zanati, Abdylqerim Qazimi, mbyll punëtorinë e tij në Tetovë. E kjo punëtori që ndodhej afër gjykatës së Tetovës, për 80 vite kishte qenë adresë e shumë qytetarëve të cilët kishin rregulluar këpucët e tyre të dëmtuara. “Prindërit tonë në vitin 1943 kanë filluar me punë në këtë punëtori. Kanë qenë tre vëllezër, kurse më pas ne si fëmijë, u kemi ndihmuar atyre, derisa më pas i zëvendësuam ata. Dhe, unë që nga viti 1980 kam qenë rregullisht në punëtori. Djali i axhës filloi dy vite para meje dhe kemi punuar bashkë për gjatë tërë katër dekadave”, thotë Abdylqerim Qazimi, këpucëtar. Pas një pune të gjatë dhe të lodhshme, tashmë të dy të moshuarit shpresojnë që të kalojnë në qetësi ditët e pensionimit. Mosha e thyer dhe problemet shëndetësore e kanë bërë të veten. Të dy këpucëtarët e njohur në Tetovë, vendosën të mbyllën punëtorinë e tyre.

“Të dy jemi plakur, kemi probleme me shëndetin, djali i axhës që pesë muaj nuk vjen, nuk mund të punojë, e tash dhe unë shkaku i shëndetit nuk do të mund të punojë. Tash 64 vite po i mbush dhe nuk mund të vazhdojë më tutje”, pohon Qazimi.

Megjithatë, për këtë njeri nuk e lehtë që t`i vendos çelësin punëtorisë ku kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij. Kur e pyesim se a i vjen keq që ndahet nga profesioni i tij i jetës, emocionohet sepse ishte mësuar me njerëz, me të cilët edhe ndante hallet e jetës. Dëshira për të vazhduar nuk mungon, por shëndeti nuk e lejon që të ushtrojë edhe më tej këtë profesion. “Shumë keq, sepse ishim mësuar me njerëz, komunikimi i përditshëm me njerëz të cilët vinin dhe na kanë respektuar shumë, por dhe ne i kemi respektuar njerëzit. Ndoshta ndonjëherë kemi gabuar, apo nuk kemi arritur në kohë që të kryejmë rregullimin e këpucëve, por ata na kanë toleruar dhe kanë qenë të sjellshëm. Kanë patur shumë respekt edhe ndaj të parëve tanë, sepse edhe në këtë kohë kur vjen ndonjë plak pyet për prindërit tanë dhe na thonë se kanë qenë të kënaqur me shërbimet tona”, thotë këpucëtari tetovar.

Ai thotë se nuk është penduar asnjëherë që ka zgjedhur këtë profesion dhe kanë mbijetuar me nderë dhe falë punës së palodhshme. “Më shumë se 40 vite kam punuar, me nderë dhe pa i zgjatur dorën askujt kam rritur fëmijët e i kam shkolluar. Pasuri të madhe nuk kemi bërë, por kemi bërë një jetë normale dhe dinjitoze. Jemi të kënaqur. Mendoj se duhet që të vazhdohet edhe më tej që të ketë këpucëtarë sepse njerëzit kanë nevojë”, përfundon bisedën këpucëtari Abdylqerim Qazimi. Ky lokal do të mbyllet përgjithmonë sepse dy fëmijët e Abdyqerimit nuk e kanë trashëguar këtë profesion dhe kanë profesione të ndryshme, krejtësisht tjera nga ai i këpucëtarit.

 

adv

Lufta kundër krizës energjetike dhe të çmimeve: Masat qeveritare, qëndrueshmëria fiskale dhe reformat në financat publike

0

Krizat e ndryshme kërkojnë zgjidhje të ndryshme. Reagimi më i duhur është gjithmonë ai që do të japë rezultate më të mira në periudhë afatgjate, ndërsa politikat e “sotme”, duhet të kenë gjithmonë parasysh “të nesërmen”. Kjo është rruga e duhur për tejkalimin e një krize.

Kështu e filloj këtë kolumnë që do t’ia dedikoj luftës kundër krizës aktuale dhe masave që ndërmerren për luftimin e efekteve të saj. Pakoja e re e masave është vetëm një pjesë e pakos së politikave ekonomike që zbatohen me qëllim të ruajtjes së stabilitetit social dhe ekonomik. Përmes këtij teksti do të përpiqem të jap tablo të përgjithshme të asaj që është bërë dhe asaj që do vijojë më tej.

Gjatë tre viteve të fundit, bota u përball me disa kriza të njëpasnjëshme. Si rezultat i faktorëve joekonomikë – pandemia, ndryshimet klimatike dhe lufta në Ukrainë, bota përballet me krizën më të madhe ekonomike që nga Lufta e Dytë Botërore. Së pari, pandemia shkaktoi rënie të madhe të aktivitetit ekonomik. Më tej, me rimëkëmbjen e aktivitetit ekonomik, u krijuan ngecje  në anën e ofertës, veçanërisht tek energjensat, duke shkaktuar presione globale mbi çmimet. Lufta në Ukrainë nxiti më tej krizën energjetike dhe inflacionin. Çmimi i energjensave, ndikimi i çmimeve të importit mbi çmimet e brendshme dhe pritshmëritë inflacioniste do të jenë sfidat më të mëdha në periudhën e ardhshme.

Pandeminë e tejkaluam, por përballemi me kriza të reja që kërkojnë reagime tjera

Reagimi i politikës fiskale ndaj efekteve të pandemisë në ekonomi ishte i fuqishëm. Ngadalësimi i aktivitetit ekonomik u stimulua nga nxitja e konsumit publik dhe privat. Në koordinim me politikën monetare, u ndërmorën veprime për rritjen e likuiditetit në ekonomi. Nëpërmjet gjashtë pakove të masave antikrizë në vlerë prej 1.2 miliardë eurove, Qeveria i përkrahu kategoritë e ndjeshme të qytetarëve, kompanitë e prekura nga kriza dhe vendet e punës. Prandaj, depërtoi kapital i ri nga jashtë vendit, çmimi i të cilit gjatë pandemisë ishte në nivel historikisht më të ulët, për shkak të politikës së ngadalësuar monetare të bankave qendrore. Por, kjo reflektoi edhe në rritjen e borxhit publik me dhjetë pikë përqindjeje, siç ishte rasti me të gjitha vendet në zhvillim. Por strategjia në tërësi dha rezultate dhe rënia u zbut dukshëm. Një vit më pas, ekonomia vijoi të rimëkëmbet dhe arriti rritje prej 4%.

Tani ballafaqohemi me sfida të ndryshme. Efektet fillestare të pandemisë u tejkaluan, por rikuperimi i pabarabartë i ofertës dhe kërkesës krijoi ngecje në zinxhirët globalë të furnizimit. Si rezultat i kësaj, u shfaqën presione më të theksuara në çmime, para së gjithash tek energjensat dhe produktet e tjera primare. Me fillimin e luftës në Ukrainë, në muajin shkurt të këtij viti si dhe sanksionet nga Rusia dhe kundër saj, këto presione të çmimeve u bënë edhe më të theksuara, duke marrë parasysh rolin e Rusisë dhe Ukrainës në zinxhirët globalë të furnizimit (kryesisht energjensat dhe drithërat).

 Çmime historikisht më të larta të energjensave dhe ushqimeve, inflacioni dhe deficiti tregtar

Çmimet e naftës, gazit dhe energjisë elektrike arritën në nivelet historikisht më të larta. Çmimi i gazit natyror kishte rritje të madhe nga gjysma e dytë e vitit 2021 dhe më tej në vitin 2022. Kështu, në vitin 2021 në Evropë, çmimi mesatar i gazit u rrit për 370% krahasuar me vitin 2020. Në periudhën janar-gusht 2022, çmimi mesatar i gazit natyror në Evropë arriti në 1.389,5$/1000 m3, që është rritje prej 143.7% krahasuar me mesataren e vitit 2021. Në muajin gusht, çmimi i gazit arriti në 2.478.2$/1000 m3. Si pasojë u rrit edhe çmimi i energjisë elektrike. Në periudhën janar – gusht 2022, çmimi mesatar i energjisë elektrike është 272.7 EUR/MWh, që është 139.4% më i lartë se çmimi mesatar i vitit 2021. Gjatë muajit shtator, çmimi mesatar i energjisë elektrike është rreth 390 euro/MWh, që paraqet rënie krahasuar me muajin gusht të vitit 2022, kur çmimi mesatar arriti në 495 euro/MWh.

Gjithashtu, çmimet e ushqimeve, veçanërisht drithërave, janë në nivel historikisht më të lartë në suaza botërore në 22 vitet e fundit, sipas të dhënave të FMN-së dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO). Çmimi mesatar i misrit në vitin 2021 ishte për 56.9% më i lartë se në vitin 2020, ndërsa në muajin gusht të këtij viti, çmimi mesatar ishte 22.6% më i lartë se në vitin 2021. Çmimi i grurit në vitin 2021 shënoi rritje prej 23.7% krahasuar me vitin 2020, dhe çmimi mesatar në periudhën janar-korrik 2022 është për 35.6% më i lartë se mesatarja e vitit 2021. Pas niveleve historike në periudhën mars-maj, çmimi i grurit shënoi rënie në muajin qershor dhe korrik 2022. Çmimi i vajit të lulediellit në vitin 2021 ishte më i lartë për 59.4% krahasuar me vitin 2020, ndërsa në periudhën janar-gusht 2022 çmimi mesatar ishte 1.820.6 dollarë për ton që paraqet rritje shtesë prej 29.7% krahasuar me vitin 2021. Gjatë muajit mars, çmimi arriti në 2.361.1 dollarë, që paraqet nivelin më të lartë të të gjitha kohërave, ndërsa në muajin gusht pati rënie në 1.496.2 dollarë. Çmimet e mishit të viçit dhe të pulës u rritën edhe në bursat botërore.

Si ekonomi e vogël dhe e hapur, ne jemi jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj këtyre zhvillimeve globale. Para së gjithash, këtu vërehet ndikimi i çmimeve të importit në çmimet e brendshme të produkteve dhe shërbimeve, që rezultoi me përshpejtimin e inflacionit nga fillimi i vitit përfshirë muajin gusht për 11.6% në nivel vjetor. Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore, derivateve të naftës dhe energjisë elektrike përfshijnë 73% të rritjes së inflacionit gjatë kësaj periudhe. Inflacioni bazë, respektivisht kur përjashtohen komponentët e paqëndrueshëm – ushqimi dhe energjensat – shënoi rritje prej 5.9% gjatë tetë muajve të parë të vitit 2022.

Gjithashtu, zhvillimet botërore reflektuan në deficitin tregtar dhe gjendjen rrjedhëse, para së gjithash në rritjen e çmimeve në bursat botërore. Pothuajse 70% e nevojave për energji elektrike plotësohen nga kapacitetet e prodhimeve vendase dhe rreth 30% importohen. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, vlera e importit neto të energjisë elektrike në vitin 2021 është më e lartë për 126.5 milionë euro, respektivisht për 114.4% krahasuar me vitin 2020. Rritja e vlerës së importit neto ishte kryesisht nga rritja e çmimit të energjisë elektrike në tregun ndërkombëtar, duke pasur parasysh se sasia e energjisë elektrike të importuar në këtë periudhë u rrit vetëm për 6.5%. Kjo bëhet më e theksuar nëpërmjet të dhënave të vitit 2022, kur në muajin korrik importi arriti në 351 milionë euro, që paraqet rritje prej 220% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021, në rrethanat kur sasia e energjisë së importuar neto shënonte rënie për rreth 22%. Situatë të njëjtë kemi me importin e naftës dhe produkteve të naftës, me rritjen e vlerës së importit për 62.5% në vitin 2021 krahasuar me vitin 2020, në rrethanat e rritjes së sasisë së importit neto për 5.5% ndërsa në shtatë muajt e parë të vitit 2022, vlera e importit neto të naftës u rrit për 119% krahasuar me vitin 2021, ndërsa rritja e sasisë së importit neto ishte vetëm 9.4%. Si rezultat i kësaj, gjatë vitit 2021 dhe 2022, deficiti tregtar u zgjerua dukshëm, duke shënuar norma të larta të rritjes.

Që nga fillimi i vitit, ekonomia jonë vazhdoi të rimëkëmbet, me rritje në gjysmëvjetorin e parë prej 2.6%. Megjithatë, kërcënime shtesë, përveç atyre që u theksuan më sipër, janë: vigjilenca më e madhe e pritshme e konsumatorëve dhe investitorëve, ndikimi i çmimit të energjensave në kapacitetet prodhuese dhe efektet në eksport.

Këtu vijon ekuacioni i politikave të zbatuara nga Qeveria në këtë krizë specifike. Nga njëra anë, duhet të ruhet aktiviteti ekonomik në zonën pozitive, siç është stabiliteti social dhe nga ana tjetër, duhet të ruhet stabiliteti makroekonomik, nga aspekti i borxhit dhe inflacionit, respektivisht, siç thotë thënia popullore, “të mos i hedhim benzinë zjarrit”.

Masat e targetuara – reagimi më i duhur

Disa muaj më parë, në kolumnën paraprake, sqarova lidhur me projektimin e masave në rrethana të tilla specifike. Rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, duke analizuar situatën aktuale në botë (meqë ra fjala, në periudhën e potencuar nuk kishim eskalim të situatës në atë masë), rekomandimet janë që të lejohen fuqitë e tregut të veprojnë mbi ofertën dhe kërkesën, me përkrahje të kategorive më të ndjeshme. Sinjalet e çmimeve janë kyçe për të reaguar në mënyrë konkrete ndaj kërkesës dhe me këtë edhe për fillimin e stabilizimit. Si shembull kemi edhe energjinë e cila në periudhë afatshkurtër është joelastike, por në periudhë afatmesme bëhet elastike, përkatësisht me rritjen e çmimeve kërkesa mund të ulet. Me kalimin e kohës, si rezultat i uljes së kërkesës, çmimi do të stabilizohet.

FMN-ja rekomandon masa të targetuara, të cilat i referohen kategorive më të ndjeshme të qytetarëve që kanë nevojë për përkrahje në drejtim të ruajtjes së stabilitetit social gjatë krizës. Rekomandim të ngjashëm për politikën fiskale jep edhe Këshilli i BE-së, i cili në deklaratën e fundit të muajit tetor thekson se politika fiskale duhet të reagojë ndaj krizës energjetike dhe presioneve inflacioniste. Këshilli saktëson se reagimi duhet të orientohet drejt përkrahjes së kategorive të ndjeshme të qytetarëve dhe bizneseve, masat e orientuara drejt të hyrave duhet të jenë përjashtime, të përkohshme dhe të destinohen për ata që kanë më shumë nevojë.

Më tej, ata theksojnë se duhet bërë përpjekje në drejtim të reduktimit të konsumit të energjisë, efikasitetit energjetik, burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe politikave të tjera që nuk do t’i çrtegullojnë lidhjet e tregut në periudhë afatgjate. Ata theksojnë gjithashtu se politika fiskale duhet t’i shmangë masat dhe aktivitetet që do të shtojnë presionet inflacioniste dhe se potenciali për rritje duhet zhvillohet me kujdes, pa penguar objektivat e politikës monetare për stabilizimin e inflacionit në periudhë afatmesme. Gjithashtu, rekomandojnë se se përkrahja e gjerë e kërkesës agregate (siç ishte gjatë pandemisë) përmes politikave fiskale, tashmë nuk justifikohet.

Gjithashtu, rekomandimet e organizatave financiare ndërkombëtare, si FMN-ja dhe Banka Botërore, janë në drejtim të qëndrueshmërisë fiskale. Duke qenë se borxhi publik gjatë pandemisë është rritur dukshëm në shumicën e ekonomive në zhvillim, rekomandimi vijon të jetë konsolidimi gradual fiskal.

Politikat ekonomike të drejtuara nga kjo Qeveri janë vigjilente dhe analitike. Çdo hap që hedhim në luftën kundër kësaj krize ekonomike globale është i mirëmenduar – efektet e saj aktuale, por edhe pasojat e saj afatmesme dhe afatgjata.

Në kohë krize, me një numër të madh të palëve të involvuara, pritet të haset në rezistencë dhe indinjatë për disa hapa të ndërmarrura të parakohshme dhe jo të duhura. Por, duhet të merret parasysh edhe fakti se kjo është situatë jashtëzakonisht komplekse dhe se gjithmonë kërkohet zgjidhja më optimale që do të kontribuojë në zgjidhjen e krizës në përgjithësi.

Tre komponentët e luftës kundër krizës aktuale

Lufta jonë kundër krizës përbëhet nga tre komponentë. Së pari, ballafaqimi i vazhdueshëm i krizës dhe mbrojtja e kategorive më të ndjeshme të qytetarëve dhe kompanive. Së dyti, sigurimi i qëndrueshmërisë fiskale dhe me këtë edhe ruajtja e stabilitetit makroekonomik. Së treti, zbatimi i reformave dhe krijimi i sistemit të ri dhe më të mirë të financave publike, i cili pas rimëkëmbjes së ekonomisë do të kontribuojë në rritjen e përshpejtuar ekonomike.

Që nga fillimi i krizës energjetike dhe të çmimeve, Qeveria jonë reagoi fuqishëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku sipas vlerësimeve të Grupacionit të Bankës Botërore paraqet rreth 5% e PBB-së. Bëhet fjalë për përkrahje në formën e subvencioneve, mbrojtjes sociale, lirimeve tatimore dhe përkrahje të kompanive vendase energjetike. Për krahasim, në Serbi është 2.5% e PBB-së, në Kosovë me rreth 2.1%, në Shqipëri 1.4%, në Bosnjë dhe Hercegovinë 0.5% dhe në Mal të Zi 0.1%.

Përveç kësaj, në fillim të luftës në Ukrainë, reaguam më fuqishëm, sepse ekzistonte rreziku i përshpejtimit të madh të inflacionit. Vlera e pakos së masave të muajit mars për ballafaqimin e krizës energjetike dhe të çmimeve ishte rreth 400 milionë euro për përkrahje direkte të qytetarëve për përmirësimin e standardit të jetesës dhe përkrahjen e ekonomisë dhe kompanive. Masat për uljen e TVSH-së për energjinë elektrike (nga 18% në 5%) dhe për produktet ushqimore bazë (nga 5% në 0%) ndikuan në uljen e inflacionit për rreth 3 pikë përqindjeje, me ç’rast norma e inflacionit për periudhën janar – qershor 2022 është 10% në vend se 13% (aq sa do të ishte po të mos ishin këto masa). Njëkohësisht, një pjesë e masave, të cilat i referohen lirimeve tatimore dhe kredive të lira për kompanitë nga kjo pako, u vazhduan më tej, respektivisht deri në fund të vitit.

Qeveria siguroi edhe transferta në EMV për zbutjen e efekteve të rritjes së çmimit të tregut të energjisë elektrike, respektivisht në tregun e rregulluar tani paguhet vetëm 20% e çmimit real të tregut.

Krahas rishikimit të Buxhetit për vitin 2023, u miratuan edhe masa të reja, që ishin më të targetuara në krahasim me pakon e muajit mars. Respektivisht, me anë të rishikimit u rrit ndihma minimale e garantuar sociale për të drejtat e mbrojtjes sociale, për 36.000 amvisëri. Mandej, siguruam 73 milionë euro shtesë për rritjen e pensioneve të mbi 330.000 pensionistëve. Siguruam mjete shtesë prej 17.5 milionë eurove për subvencione, kontribute, rritjen e pagave në sektorin privat. Siguruam 52 milionë euro mjete shtesë për subvencione dhe transferta për bujqit, në drejtim të ballafaqimit më të lehtë të krizës së furnizimit me ushqime. U siguruan mjete shtesë edhe për transferta tek kompanitë energjetike për ta ruajtur nivelin e çmimit të energjisë elektrike në nivele më të ulëta.

Me pakon e fundit të masave të muajit tetor që Qeveria prezantoi gjatë javës, me vlerë prej rreth 360 milionë eurove, sërish vijojmë me masa të targetuara për kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve, përkrahje të targetuar për institucionet publike dhe shëndetësore, përkrahje për likuiditetin e kompanive dhe investimet në efikasitetin energjetik dhe burimet e ripërtëritshme të energjisë, në mënyrë që të ofrohen rezultate sa më optimale.

Përkrahja financiare parashihet për rreth 42 mijë shfrytëzues së sigurimit social, persona që shfrytëzojnë të drejtën e aftësisë së kufizuar, prindër të fëmijëve me aftësi të kufizuara deri në moshën 26 vjeç që shfrytëzojnë të drejtën e shtesës së veçantë, persona me aftësi të kufizuara që shfrytëzojnë të drejtën për ndihmë dhe kujdes nga një person tjetër, ndërsa nuk e shfrytëzojnë të drejtën për shkak të aftësisë së kufizuar, prindër të vetëm – shfrytëzues së ndihmës minimale të garantuar, persona të papunësuar – shfrytëzues së të drejtës për sigurim material në formën e kompensimit financiar (punëtorë të falimentuar). Ata do të marrin katër herë nga 3000 denarë në muaj, respektivisht gjithsej 200 euro përkrahje financiare ballafaqim më të lehtë të krizës.

Shtesa financiare parashihen edhe për shfrytëzuesit e pensioneve më të ulëta, ata që marrin më pak se 11.500 denarë në muaj do të marrin gjithsej 100 euro dhe ata me 11.500-14.000 denarë do të marrin 50 euro. Bëhet fjalë për 160 mijë shfrytëzues së pensioneve.

Në kuadër të masave për përkrahjen e kompanive, parashihet zgjerimi i fushëveprimit të kompanive që janë shfrytëzues së skemës garantuese nga Fondi Garantues i Bankës Zhvillimore, nëpërmjet lehtësimit të kritereve të aplikimit. Gjithashtu, parashihet linja kreditore direkte për përkrahjen e likuiditetit të shoqërive tregtare mikro, të vogla dhe të mesme, tregtarëve individë dhe zejtarëve të veprimtarisë prodhuese. Do të përshpejtohet dhe rritet kthimi i TVSH-së, i korrigjuar për efektin e inflacionit dhe rritjes reale dhe do të vazhdojë masa nëpërmjet Bankës Zhvillimore dhe bankave komerciale për kreditimin e projekteve të efikasitetit energjetik dhe burimeve të ripërtëritshme të energjisë, si dhe do të ndihmohet në drejtim të shërbimeve konsultative për realizimin e projekteve.

Vazhdon edhe subvencionimi i kompanive energjetike për ruajtjen e nivelit të çmimit të energjisë elektrike më të ulët se çmimi i tregut, gjithashtu edhe shkollat fillore dhe të mesme përfshihen në tregun e rregulluar, ndërsa institucioneve shëndetësore do t’u shitet rryma elektrike me çmim më të ulët se çmimi i tregut.

Vazhdojnë edhe një pjesë e masave të miratuara me pakon e masave antikrizë të muajit mars. Zbatimi i normës preferenciale tatimore të TVSH-së prej 5% për qarkullimin e energjisë elektrike për amvisëritë do të zgjasë deri në fund të vitit. Përkrahja e drejtpërdrejtë financiare për konsumatorët e kategorive më të ndjeshme të energjisë elektrike (Programi lidhur me varfërinë energjetike).

Lirimi nga pagimi i TVSH-së për importin e gazit natyror dhe energjisë elektrike, energjisë termike, energjisë për ngrohje apo ftohje do të vazhdojë deri në fund të vitit. Gjithashtu, vazhdon të jetë në dispozicion edhe linja kreditore e tranzicionit nëpërmjet Bankës Zhvillimore.

Plani i miratuar nga Qeveria: Konsolidimi fiskal për qëndrueshmëri fiskale

Krahas pakos së masave për përkrahjen e kompanive dhe kategorive më të ndjeshme të qytetarëve, Qeveria ndërmori masa edhe në drejtim të ruajtjes së stabilitetit makroekonomik. Këtu dua të përmend Planin e qëndrueshmërisë fiskale, i cili u miratua gjatë kësaj jave nga Qeveria për shfrytëzuesit e buxhetit, krahas pakos së masave.

Plani përfshin konsolidimin e kostove të pagave nëpërmjet racionalizimit dhe optimizimit të të punësuarve në sektorin publik bazuar në analizën funksionale, si dhe riorganizimin e mënyrës së kryerjes së detyrave të punës në varësi të natyrës së tyre dhe punën nga shtëpia deri në 30% të të punësuarve, me rotacion, pa ndërprerë funksionimin e rregullt të institucionit.

Gjithashtu, parashihet konsolidimi i shpenzimeve për mallra dhe shërbime, nëpërmjet kursimit të shpenzimeve të zhdrejta dhe të udhëtimit dhe furnizimeve të zyrës. Parashihen edhe mekanizma për realizimin e shpenzimeve kapitale, përfshirë mekanizmin CAPEF, i cili deri më tani ka treguar rezultate të mira.

Njëkohësisht, do të vijojë puna për përmirësimin e arkëtimit të detyrimeve përmes avancimit të mëtejshëm të rregullativës tatimore në drejtim të optimizimit të sistemit tatimor, si dhe përforcimit të kapaciteteve për mbledhjen e të hyrave publike dhe për përshpejtimin e arkëtimit të të hyrrave nga debitorët tatimorë dhe doganorë.

Do të punohet në drejtim të përmirësimit të efikasitetit dhe efektivitetit të sistemit të arkëtimit të të hyrave nga akciza, përmes zhvillimit të politikave, sistemeve, procedurave dhe instrumenteve për kontroll dhe arkëtim efikas të të hyrave, avancim të mëtejshëm të sistemit pa letër për menaxhimin e dokumenteve të akcizës dhe rritjes së efikasitetit të kontrollit të akcizës nëpërmjet vendosjes së kontrollit të mallrave të akcizës me rrezikshmëri të lartë, si dhe nëpërmjet intensifikimit të bashkëpunimit me agjencitë relevante në vendet e BE-së dhe institucionet ndërkombëtare.

Gjithashtu, përforcohen aktivitetet për parandalimin e evazionit tatimor, si dhe ndërgjegjësimi i opinionit publik për pasojat e dëmshme të ekonomisë gri dhe forcimi i moralit tatimor.

Për reformat në menaxhimin e financave publike, kam shkruar edhe më parë, para së gjithash për Ligjin e ri të Buxheteve dhe do të vazhdoj të shkruaj më gjerësisht edhe më tej në kolumnat vijuese.

“Luftë” në rrafshe të ndryshme

Së fundi, dua të theksoj se duhet të kemi parasysh se këtë betejë e luftojmë në shumë fronte dhe se çdo aksion që ndërmarrim ka ndikim në rrafshe të ndryshme. Tentojmë ta tejkalojmë këtë krizë në mënyrën më optimale, me sa më pak pasoja për të gjithë. Dhe besoj se kështu do t’ia dalim mbanë, ashtu siç e përballuam me sukses krizën ekonomike të shkaktuar nga pandemia, vlerësuar edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Me maturi dhe perspektivë të gjerë, si dhe me përgjegjësi të të gjithë pjesëmarrësve shoqërorë (palët e tanguara), do ta tejkalojmë këtë sfidë. Të gjithë së bashku do ta lëmë pas edhe këtë krizë dhe përfundimi i saj, do të varet sërish nga të gjithë ne.

Fatmir Besmi

adv

Mickoski i bën thirrje shtetit ta pranojë propozim-ligjin për formimin e shoqatave dhe fondacioneve

0

VMRO-DPMNE pret mbështetje nga Qeveria për ligjin e tyre të propozuar për formimin e shoqatave dhe fondacioneve.
“Presim mbështetje, sepse tre muaj e gënjejnë opinionin se do të propozojnë ligj. Por ata nuk e bëjnë këtë, dhe kemi parë që në të gjithë Maqedoninë po hapen klube të vendeve fqinje që mbajnë emrat e fashistëve të dëshmuar. Ne kemi propozuar ligj dhe presim mbështetje nga Qeveria ose, së paku, të thonë se çfarë duhet t’i shtohet atij ligji që nuk i përshtatet për ta pranuar. Këtu, shfrytëzoj rastin që t’i bëj një apel Pendarovskit dhe Qeverisë që ta mbështesin ligjin dhe t’u japin fund këtyre provokimeve”, deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski gjatë shqyrtimit të sotëm të ndërtimit të kanalizimit të ujit në Livadhet e Pashovës në Prilep.

Ai tha se VMRO-DPMNE qëndron në propozimet e veta për zgjidhjen e krizës energjetike dhe beson se teprica e energjisë elektrike duhet t’u ofrohet kompanive dhe jo të vidhet. Mickoski beson se në vend që kompanitë të paguajnë çmimin e energjisë elektrike prej 300 deri në 400 euro për megavat orë, duhet t’i paguajnë EMV-së aq sa kushton realisht, dhe sipas llogaritjeve të tij do të ishte diku nga 80 deri në 90 euro për megavat orë. Ai tha se kjo situatë, e diela duhet të jetë ditë pune për të shfrytëzuar tepricat e natës.

Dhe jo vetëm tepricat e natës, por edhe ato tepricat që ndodhin gjatë fundjavës, sidomos të dielave. Por që kjo të ndodhë, kompanitë duhet të punojnë të dielave. Dhe për të punuar të dielave duhet të ndërhyhet në Ligjin për marrëdhënie të punës dhe Ligjin për tregti që t’u mundësohet kompanive me punëtorë që të zgjedhin vetë se cila ditë do të jetë jopune dhe të dielën mund të punojnë”, tha Mickoski.

adv