29.8 C
Skopje
E diel, 31 Maj, 2026
Home Blog Page 35

Aleksandar Vučić konfirmon marrëveshjen me Rusinë për gazin

0

Serbia ka arritur marrëveshje për zgjatjen e kontratës ekzistuese për furnizim me gaz nga Rusia, njoftoi presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, më 30 mars, duke bërë që Moska të mbetet furnizuesja kryesore e Beogradit me gaz natyror.

Vuçiç njoftoi për këtë çështje pas një bisede telefonike që zhvilloi me presidentin rus, Vladimir Putin.

Marrëveshja e re është për tre muaj dhe, sipas saj, Serbia do të mund të importojë 6 milionë metra kub gaz nga Rusia.

Në një konferencë për media, Vuçiq tha se çmimi i gazit do të jetë ndërmjet 320 dhe 330 dollarë për 1 mijë metra kub. Këto kushte ai i vlerësoi si “shumë të favorshme”, për çka falënderoi Putinin.

Marrëveshja afatshkurtër e arritur në dhjetor skadoi më 31 mars.

Që nga pushtimi rus i Ukrainës, Serbia ka filluar të ulë varësinë nga gazi i Moskës, por ende më shumë se 80 për qind e nevojave për këtë i mbulon nga Rusia.

Kjo varësi nga Rusia, siç vlerëson për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë eksperti hungarez i energjisë Attila Holoda, kushtëzohet si nga faktorë ekonomikë ashtu edhe politikë.

Megjithatë, ai konsideron se në këtë moment faktori ekonomik mbetet më i drejtpërdrejtë.

“Gazi rus për një kohë të gjatë i është furnizuar Serbisë me kushte relativisht të favorshme, ndërsa infrastruktura ekzistuese dhe marrëdhëniet tregtare e bëjnë këtë opsion më të lehtë në afat të shkurtër”, theksoi ai.

Në të njëjtën kohë, sipas Holodas, e rëndësishme është edhe dimensioni politik, në të cilin Beogradi përpiqet të ruajë marrëdhënie stabile me Moskën, duke balancuar qartë në raport me rrugën e tij drejt BE-së.

Bashkimi Evropian po përpiqet të zvogëlojë të ardhurat e Rusisë nga energjia që i përdorpër luftën në Ukrainë dhe planifikon që deri më 1 janar 2028 të ndalojë plotësisht importin e naftës dhe gazit rus.

Ndërprerja graduale e importit të gazit rus në territorin e BE-së ka nisur në fillim të vitit dhe nuk vlen për tranzitin e gazit rus drejt vendeve të treta.

Megjithatë, BE-ja pret nga Serbia, si vend kandidat për anëtarësim, që të harmonizohet gradualisht me të gjitha vendimet.

Serbia është i vetmi vend kandidat për anëtarësim në BE në Ballkanin Perëndimor që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Serbia tashmë blen gaz edhe nga Azerbajxhani, përmes Bullgarisë, ndërsa ndërtimi i gazsjellësit drejt Maqedonisë së Veriut, që do të mundësonte qasje në gaz natyror të lëngshëm nga Greqia, pritet të nisë këtë vit.

/REL

adv

Struga nuk heq dorë nga “Korridori 8”, kërkon zgjidhje me UNESCO-n

0

Komuna e Strugës ka rikonfirmuar përkushtimin për realizimin e Korridorit VIII, duke e cilësuar këtë projekt si domosdoshmëri strategjike për zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor të qytetit, vendit dhe rajonit. Në një njoftim zyrtar, Komuna thekson se Korridori VIII nuk është çështje zgjedhjeje, por një projekt me ndikim të drejtpërdrejtë në ndërlidhjen infrastrukturore dhe perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, raporton gazeta KOHA.

Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, vlerëson se realizimi i segmentit Trebenishtë-Qafë Thanë është i domosdoshëm dhe duhet të vazhdojë pa ndërprerje. Sipas tij, institucionet duhet të veprojnë në mënyrë të koordinuar dhe të përgjegjshme, duke gjetur një zgjidhje që balancon nevojat zhvillimore me rekomandimet e UNESCO.

Në këtë drejtim, nga Komuna rikujtojnë se çështja është trajtuar edhe në një takim të nivelit të lartë të mbajtur në Paris gjatë muajit shkurt, ku janë diskutuar mundësitë për harmonizimin e projektit me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e trashëgimisë. Komuna e Strugës ka dhënë tashmë një mendim të qartë dhe pozitiv për realizimin e projektit, duke e konsideruar atë thelbësor për të ardhmen e rajonit. Ky qëndrim, sipas njoftimit, i është dorëzuar Ministrisë së Mjedisit Jetësor.

Në funksion të rritjes së transparencës dhe përfshirjes së qytetarëve në proces, Komuna ka mirëpritur iniciativën e kompanisë Bechtel Enka për organizimin e një takimi publik konsultativ. Takimi publik do të mbahet nesër (e martë) në ora 12:00, në sallën e Këshillit të Komunës së Strugës, ku qytetarët dhe palët e interesuara do të kenë mundësi të informohen dhe të japin kontributin e tyre.

Autoritetet lokale theksojnë se mbeten të vendosura që projekti i Korridorit VIII të realizohet, duke e konsideruar atë jo vetëm si investim infrastrukturor, por si drejtim kyç për zhvillimin e ardhshëm të Strugës dhe rajonit përreth. (koha.mk)

adv

Pas humbjes së vulave, Sela krijon “Lidhjen Shqiptare” për zgjedhje

0

Ziadin Sela njoftoi se betejën për Aleancën për Shqiptarët do ta vazhdojë në Gjykatën e Apelit. Ai  theksoi se ka themeluar parti rezervë, që sipas tij, do t’i lejojë të garojë në zgjedhje pa u varur nga vulat e partive të tjera, transmeton Portalb.mk.

“Nuk kam dashur të ia lë rastësisë asgjë dhe kam krijuar parti politike, në mënyrë që mos të varem kur të vijnë zgjedhjet, nga vulat e partive të tjera, por të mund të garojë i vetëm në zgjedhje. Ndërsa do të vazhdojmë betejën në Apel”, tha Sela.

Disa ditë më parë, Sela njoftoi formimin e një partie të re politike, e cila quhet Lidhja Shqiptare dhe anëtarët e së cilës, siç tha ai, kanë ideale me të cilat do të ndërtojnë një entitet të fortë politik.

Vendimi për formimin e një partie të re vjen pas vendimit të Gjykatës Themelore në Tetovë më 18 mars, me anë të të cilit vulat e Aleancës për Shqiptarët i përkasin tashmë krahut të Arben Taravarit.

Pas ndarjes me Taravarin, para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në vitin 2024, krahu i Aleancës për Shqiptarët i udhëhequr nga Zijadin Sela ishte pjesë e koalicionit “Fronti Evropian”, të udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), i cili më pas u riemërua “Aleanca Kombëtare për Integrim” (AKIA). Në dhjetor të vitit të kaluar, në një mbledhje të kryesisë së partisë, krahu i Selës vendosi të largohej nga koalicioni AKI, dhe që deputetët e saj në Kuvend të vepronin si grup i pavarur.

Javën e kaluar, siç thotë krahu i Selës, Gjykata Themelore në Tetovë mori vendim politik dhe të cilin e konsiderojnë si një atentat ndaj një partie politike shqiptare që “për vite me radhë ishte një faktor i madh në skenën politike në vend dhe një mbrojtëse e fuqishme e kauzës kombëtare shqiptare”.

adv

KRrE: Ulet çmimi i naftës

0

Komisioni Rregullator për Energjetik (KRRE) njofton se ka marrë vendim për uljen e çmimit të derivateve të naftës për 1.41% krahasuar me vendimin e 23.3.2026, shkruan Telegrafi Maqedoni.

Çmimi me pakicë i benzinës EUROSUPER BS-95 ulet për 2.50 den/litër, ndërsa çmimi me pakicë i benzinës EUROSUPER BS-98 ulet për 3.00 den/litër.Çmimi me pakicë i EURODIZEL (D-E V) nuk ndryshon.

Çmimi me pakicë i vajit ekstra të lehtë shtëpiak (EL-1) rritet me 0.50 den/litër, ndërsa çmimi me pakicë i vajit të karburantit M-1 NS ulet me 0.663 den/kg dhe tani do të arrijë në 50.410 den/kg.

Nga data 31.3.2026, nga ora 00:01, çmimet maksimale të derivateve të naftës do të jenë:

EUROSUPER BS – 95 do të shitet për 84.00 (denarë/litër)

Benzinë motorike EUROSUPER BS – 98 do të shitet për 85.50 (denarë/litër)

Naftë EURODIESL BS (D-E V) do të shitet për 95.50 (denarë/litër)

Vaj ekstra i lehtë për karburant 1 (EL-1) do të shitet për 92.50 (denarë/litër)

Mazut M-1 NS do të shitet për 50.410 (denarë/kilogram).

adv

Studentët paralajmërojnë protestë më 6 prill, kërkojnë provimin e jurisprudencës në shqip

0

Studentët e tre universiteteve UNT, USHT dhe UEJL kanë paralajmëruar një marsh protestues më 6 prill, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të mundësohet edhe në gjuhën shqipe. Protesta do të nisë në orën 12:30 nga Ura e Gurit në Çarshi dhe do të vazhdojë drejt Ministrisë së Drejtësisë. Përfaqësuesit studentorë theksojnë se kauza është studentore dhe apelojnë që të mos politizohet, ndërsa kërkojnë nga institucionet të reagojnë sa më shpejt ndaj kërkesave të tyre.

“Sot jemi mbledhur këtu me përfaqësues nga parlamentet studentore dhe studentë të ndryshëm për të lajmëruar protestën e cila do të mbahet me datë 6 prill, me fillim nga ora 12:30, me fillim tek ura e gurit në Çarshinë tonë, aty ku fillon edhe kultura jonë dhe tradita jonë kulturore këtu në Maqedoninë e Veriut, do të marshojmë prej aty drejt ministrisë së drejtësisë”, tha Mevlan Ademi, student.

“Dua të shfrytëzoj rastin dhe t’u bëj apel të gjitha partive politike të mos e politizojnë kauzën tonë, kauza jonë është e pastër studentore dhe si e tillë do të mbetet. Gjithashtu u bëjmë apel institucioneve që të marrin masa sa më shpejtë”, pohoi Jon Selimi, student.

adv

Mbyllet ekspozita “Mas’akrat në Kosovë 1998–1999”, Vlora Çitaku kërkon hetim të thellë për pasaktësitë

0

Ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e cila u hap më 24 mars në sheshin e Prishtinës, është mbyllur pasi u evidentuan pasaktësi në përmbajtjen e disa prej masakrave të ndodhura në Kosovë gjatë luftës.

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku deklaroi se një kërkim falje nuk mjafton pas një rasti të tillë.

“Po besoj që nuk ka njeri me mendje të shëndoshë, që nuk është ndjerë i lënduar, që nuk është ndjerë i prekur, nga pasaktësitë që u panë në ekspozitë, një pjesë financiare që ia ka mbuluar edhe Kuvendi. Mirëpo në rastet e tilla, kërkim falja nuk mjafton. Unë vetëm mund ta marr me mend se si janë ndjerë familjarët e viktimave të Masakrës së Dubravës, nëna ime e ka një familjar t humbur aty, shumë prej të mbijetuarve i kam miq, i kam bashkëpunëtorë, ka pasur edhe shumë pasaktësi të tjera, por kjo posaçërisht ndikon në narracionin dhe të vërtetën historike”, tha ajo.

Ajo vlerësoi nisjen e hetimit nga Prokuroria Speciale, por theksoi se ky hetim nuk duhet të përfundojë me kaq.

Ndër të tjera, ajo tregoi edhe kërkesën që i është drejtuar deputetëve për të financuar këtë ekspozitë.

“Këtu ka një manipulim të qëllimshëm, dhe duhet të ketë një hetim të veçantë”, tha ajo.

Deputetja e PDK-së ndër të tjera shtoi se në kërkesën e parashtruar kryesisë, nuk përmendej emri i Shkëlzen Gashit, për çka tha se po të figuronte emri i tij, ajo nuk do ta miratonte një kërkesë të tillë.

adv

Ali Ahmeti mbështet protestën e ish-luftëtarëve të UÇK-së

0

Kryetari i BDI, Ali Ahmeti ka shprehur mbështetje të fuqishme për protestën e thirrur nga kategoritë e dala nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke e cilësuar luftën për liri si të drejtë dhe të pastër, informon POPULLI.mk

Në një reagim publik, Ahmeti theksoi se lufta çlirimtare është ndërtuar mbi sakrificën e dëshmorëve dhe kontributin e brezave të tërë që, sipas tij, nuk kursyen asgjë për dinjitetin kombëtar.

Ai ngriti shqetësimin për, siç u shpreh, përpjekjet për shtrembërimin e së vërtetës së luftës, duke theksuar se ajo nuk duhet dhe nuk mund të vihet në dyshim.

Ahmeti gjithashtu u bëri thirrje bashkëluftëtarëve, familjarëve të të rënëve dhe qytetarëve që t’i bashkohen protestës që do të mbahet para Kuvendi i Kosovës, në mbrojtje të historisë dhe sakrificës së luftës çlirimtare.

“Vetëm të bashkuar mund ta ruajmë të vërtetën dhe ta forcojmë të ardhmen tonë”, thuhet në mesazhin e tij.

Në fund, ai nderoi dëshmorët dhe shprehu mirënjohje për luftën çlirimtare. / © POPULLI.mk

adv

Shasime Osmani nga Kërçova zgjidhet deputete në Parlamentin e Kantonit të Bernit

0

Në zgjedhjet e mbajtura në Kantonin e Bernës, qytetarët kanë zgjedhur 160 deputetë. Mes tyre, edhe Shasime Osmani, e cila u zgjodh deputete në Parlamentin e Kantonit të Bernit. Ajo është shqiptare me prejardhje nga Maqedonia e Veriut, respektivisht nga Kërçova.

Gjyshi i Shasimes kishte shkuar në Zvicër në vitin 1979 nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut, ndërsa babai i saj iu bashkua në vitin 1993. Vetë Shasimja shkoi në Zvicër me nënën në vitin 1999, në moshën 1-vjeçare.

Ajo është studente e drejtësisë në Universitetin e Bernit. Ka përfunduar kualifikimin në biznes dhe ka një diplomë profesionale. Është rritur në lagjen Bümplitz-Bethlehem të Bernës, një zonë ku fëmijët përballen shpesh me vështirësi arsimore dhe sociale.

Në fushatën e saj, Osmani theksoi:

“Unë dua të jem zëri i atyre që mund të mos dëgjohen gjithmonë dhe kanë frikë se mos i nxjerrin jashtë sapo të flasin.”

Zgjedhja e Shasimes në Parlamentin kantonal të Bernës është një hap i madh në karrierën e saj politike dhe një sukses i komunitetit shqiptar në diasporë, duke i dhënë një zë shqiptarëve dhe të rinjve me sfida sociale në Zvicër.

Mediat zvicerane e prezantuan atë si “një zë për ata që nuk kanë zë”, dhe qytetarët e Bernës i dhanë besimin e tyre duke e votuar për të përfaqësuar 9641 qytetarë.

Pas fitores, fotografia e parë që ajo postoi në Instagram ishte një tepsi me fli, shoqëruar me shënimin: “If you know, you know”.

adv

Vedat Muriqi: Krenar që udhëheq Kosovën në finalen historike

0

Kapiteni i Kosovës, Vedat Muriqi, deklaroi gjatë konferencës për media se ndihet krenar për rolin e tij në finalen historike ndaj Turqisë, që do të zhvillohet nesër në stadiumin Fadil Vokrri, dhe shprehu shpresën për sukses të ekipit.

“Jam krenar që jam kapiten i Kosovës në finalen historike, jemi të qetë dhe kemi atmosferë të shkëlqyeshme. Shpresojmë që nesër të kemi sukses”, ka thënë Muriqi.

 

/GazetaSinjali/

adv

Arre’stohet 27 vjeçari i Rosomanit i cili vr’au nënën e tij!

0

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se është arrestuar një banor 27-vjeçar i Rosomanit, i cili dyshohet se këtë mëngjes vrau nënën e tij, përcjell TV21. Sipas njoftimit të Policisë, i njëjti tashmë ka pranuar veprën.

“Më 30.03.2026, punonjës të policisë nga Stacioni Policor i Kavadarit arrestuan I.R. (27) nga Rosomani. Në Departamenti i Policisë në Veles, ai vetë deklaroi se këtë mëngjes rreth orës 07:30, në shtëpinë e familjes, me përdorim të një objekti të mprehtë i shkaktoi plagë prerëse nënës së tij 54-vjeçare, e cila vdiq nga plagët e marra. Vdekjen e konstatoi një mjek nga Ndihma e Shpejtë e Kavadarit. Hetimin në vendngjarje po e kryen prokurori publik nga Prokuroria Themelore e Kavadarit dhe një ekip hetues nga SPB-Kavadar”, thonë nga MPB.

adv