24.8 C
Skopje
E diel, 31 Maj, 2026
Home Blog Page 34

Ministri Muamet Hoxha prezanton planin kundër ndotjes së ajrit

0

Në brifingun e sotëm për media, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, informoi për aktivitetet dhe politikat aktuale të fokusuara në përballimin me ndotjen e ajrit dhe avancimin e mbrojtjes së mjedisit, duke theksuar përkushtimin e institucionit ndaj transparencës dhe dialogut të hapur me publikun.

Ministri theksoi se përgatitjet për Ligjin e ri për kontrollë të emisioneve industriale, i cili pritet të hyjë në fuqi në vitin 2027, po zhvillohen paralelisht me forcimin e kontrolleve dhe kapaciteteve të laboratorit shtetëror. Në këtë drejtim, u paralajmërua një debat publik për lejen e re të USJE-së, ndërsa tashmë po organizohen takime me operatorët që kanë leje të integruar A, për përshtatje më të shpejtë me rregullat e reja.

Theks i veçantë iu kushtua përgatitjeve për krijimin e platformës digjitale – Regjistri i ndotësve, si një mekanizëm kyç për rritjen e transparencës dhe përgjegjësisë. Sipas Hoxhës, përmes mbledhjes sistematike dhe publikimit të të dhënave për emisionet, mbeturinat dhe përdorimin e burimeve, regjistri do të sigurojë informacione të besueshme dhe të krahasueshme, duke krijuar një presion konstruktiv për respektimin e standardeve.

Njëkohësisht, institucionet japin shembull përmes projekteve aktuale për zëvendësimin e sistemeve të ngrohjes në objektet publike. Sa i përket masave qeveritare për amvisëritë, Ministria e Energjetikës aktualisht po shpërndan vauçerë për inverterë, me ç’rast mbi 4000 familje do të përdorin mënyrë më ekologjike të ngrohjes.

Ministri Hoxha informoi se transparenca po forcohet edhe përmes debateve publike për shpalljen e Kënetës së Belçishtës si zonë e mbrojtur, si dhe për Ligjin për natyrën në muajin prill, që tashmë është në proces. Hoxha theksoi se zgjidhjet ligjore për Kënetën e Studençishtës dhe Liqenin e Ohrit së shpejti do të hyjnë në procedurë qeveritare.

Në brifingun me mediat u theksua gjithashtu se aktivitetet për vendosjen e qendrave rajonale për menaxhimin e mbeturinave po vazhdojnë sipas dinamikës së planifikuar. Për më tepër, aktualisht po punohet për një zgjidhje sistematike dhe afatgjatë për deponinë në Jegunovcë, përmes analizës së masave më të përshtatshme dhe sigurimit të mbështetjes financiare.

adv

Spiropali: Heshtja ime është kufi mes asaj që thuhet dhe asaj që duhet kuptuar

0

Ish-ministrja e Jashtme, njëherësh deputetja e PS, Elisa Spiropali ka reaguar për herë të parë pas përplasjes që ndodhi me kryeministrin Edi Rama gjatë mbledhjes së me dyer të mbyllura të Grupit Parlamentar të PS. Gjatë kësaj mbledhje me tone të larta, Rama i është drejtuar Spiropalit që të që të ‘mbyllte gojën’ dhe të mos fliste kur ai ishte prezent. Kjo përplasje rrodhi pas një shkëmbimi  replikash mes Elisa Spiropalit dhe ministres së re Erjona Ismaili.

Spiropali më herët kishte kërkuar debat publik për të dhënë qëndrimin e saj për pozicionimin e PS për rastin e Belinda Ballukut, por rrjedha e debatit në Grupin e PS mori tjetër drejtim.

“Ajo që po ndodh nuk është thjesht një çështje personale, por një shfaqje e një modeli që po zgjerohet me një normalitet të heshtur, ku arroganca dhe abuzimi nuk paraqiten më si devijime, por si forma të pranueshme shoqërore. Ky model nuk imponon vetëm vendime, por ndërton një kulturë ku bindja konsiderohet virtyt dhe përshtatja shpërblehet më shumë se merita, duke e zhvendosur gradualisht politikën nga një hapësirë e konkurrencës së ideve në një strukturë të mbyllur ku rëndësi ka sa përshtatesh, jo sa vlen”, thekson Spiropali.

Në reagimin e saj, ish-ministrja edhe pse me një gjuhë diplomatike ka ngritur si shqetësim faktin se debati brenda Partisë Socialiste po shtypet, dhe sipas saj, “kur shtypet, nuk krijon qetësi, por grumbullim të padukshëm tensioni”

“Këtu fillon edhe heshtja e debatit, jo si mungesë mendimesh, por si mungesë hapësire për t’i vënë në jetë. Sepse debati nuk zhduket, ai shtypet, dhe kur shtypet, nuk krijon qetësi, por grumbullim të padukshëm tensioni. Dhe pikërisht aty ku debati zëvendësohet nga dakordësia e heshtur, meritokracia fillon të përmendet si parim, por nuk funksionon më si praktikë, sepse ajo kërkon një drejtësi që nuk pranon kompromise me rehatinë e pushtetit.

Në këtë klimë, frika nuk ka nevojë të shpallet për të ekzistuar, ajo ndihet, shpërndahet në mënyrë të heshtur dhe bëhet pjesë e një rendi të ri ku njerëzit mësohen të masin fjalët, jo për nga vërtetësia, por për nga pasojat. Dhe kur kjo ndodh, liria humbet karakterin e saj si ushtrim i përditshëm dhe reduktohet në një dëshirë që përmendet më shumë sesa praktikohet. Kjo është ndoshta forma më e rafinuar e kufizimit, kur liria nuk ndalohet, por zbehet”, thekson ish-ministrja.

Me tej, deputetja e PS thekson se: “Europa mbetet referencë e përhershme në diskurs, një fjalë që përdoret për të legjitimuar çdo drejtim. Europa nuk është një narrativë për t’u cituar, por një rend vlerash që kërkon përputhje, dhe çdo distancë mes fjalës dhe praktikës e bën këtë referencë të zbrazët. Në këtë pikë, politika përballet me një pyetje që nuk mund ta shmangë: a jemi duke ndërtuar një sistem që prodhon përgjegjësi apo një sistem që e justifikon dhe riprodhon veten?”

Reagimi i plotë i Elisa Spiropalit

Ka ditë që në emisione dhe forume flasin për mua, me një siguri që shpesh nuk vjen nga njohja, por nga nevoja për ta mbushur boshllëkun me versione. Zërat shtohen, interpretimet shumëfishohen, ndërsa ajo që mungon është qetësia për të kuptuar se jo çdo gjë që ndodh kërkon një rrëfim të menjëhershëm publik.

Heshtja ime nuk është mungesë përgjigjeje, është një kufi i vendosur mes asaj që duhet thënë dhe asaj që duhet kuptuar, sepse në një kohë kur gjithçka kërkon të shpjegohet, rrezikojmë të humbasim kuptimin e vetë përgjegjësisë.

Ajo që po ndodh nuk është thjesht një çështje personale, por një shfaqje e një modeli që po zgjerohet me një normalitet të heshtur, ku arroganca dhe abuzimi nuk paraqiten më si devijime, por si forma të pranueshme shoqërore. Ky model nuk imponon vetëm vendime, por ndërton një kulturë ku bindja konsiderohet virtyt dhe përshtatja shpërblehet më shumë se merita, duke e zhvendosur gradualisht politikën nga një hapësirë e konkurrencës së ideve në një strukturë të mbyllur ku rëndësi ka sa përshtatesh, jo sa vlen.

Në këtë rrjedhë, fitorja fillon të humbasë përmbajtjen e saj morale dhe reduktohet në rezultat, ndërsa besimi që e legjitimon atë dobësohet në mënyrë të padukshme. Dhe kur iluzioni zëvendëson reflektimin, atëherë edhe dinjiteti fillon të trajtohet si një element i negociueshëm, i varur nga momenti dhe nga pozicioni, jo si një vlerë që qëndron përtej pushtetit.

Këtu fillon edhe heshtja e debatit, jo si mungesë mendimesh, por si mungesë hapësire për t’i vënë në jetë. Sepse debati nuk zhduket, ai shtypet, dhe kur shtypet, nuk krijon qetësi, por grumbullim të padukshëm tensioni. Dhe pikërisht aty ku debati zëvendësohet nga dakordësia e heshtur, meritokracia fillon të përmendet si parim, por nuk funksionon më si praktikë, sepse ajo kërkon një drejtësi që nuk pranon kompromise me rehatinë e pushtetit.

Në këtë klimë, frika nuk ka nevojë të shpallet për të ekzistuar, ajo ndihet, shpërndahet në mënyrë të heshtur dhe bëhet pjesë e një rendi të ri ku njerëzit mësohen të masin fjalët, jo për nga vërtetësia, por për nga pasojat. Dhe kur kjo ndodh, liria humbet karakterin e saj si ushtrim i përditshëm dhe reduktohet në një dëshirë që përmendet më shumë sesa praktikohet. Kjo është ndoshta forma më e rafinuar e kufizimit, kur liria nuk ndalohet, por zbehet.

Ndërkohë, Europa mbetet referencë e përhershme në diskurs, një fjalë që përdoret për të legjitimuar çdo drejtim. Europa nuk është një narrativë për t’u cituar, por një rend vlerash që kërkon përputhje, dhe çdo distancë mes fjalës dhe praktikës e bën këtë referencë të zbrazët. Në këtë pikë, politika përballet me një pyetje që nuk mund ta shmangë: a jemi duke ndërtuar një sistem që prodhon përgjegjësi apo një sistem që e justifikon dhe riprodhon veten?

Fitorja nuk merret, ajo provohet. Meritohet kur njerëzit nuk të ndjekin nga frika, por të besojnë nga bindja, dhe kur largohesh, mbetet respekti, jo vetëm rezultati. Prandaj, nuk kam folur për veten, sepse kjo nuk është një histori që fillon dhe mbaron me një individ. Është një pasqyrë e një kohe që kërkon më shumë reflektim se reagim. Dhe ndoshta, në një moment kur gjithçka kërkon zë, heshtja bëhet forma më e fortë e fjalës, sepse ajo nuk i nënshtrohet menjëhershmërisë, por i jep kohë të vërtetës të marrë formë.

adv

(VIDEO) Natë pa gjumë për turqit, tifozët e Kosovës ndezën fishekzjarre pranë hotelit!

0

Vetëm pak orë para ndeshjes historike ndaj Turqisë, tifozët e Kombëtares së Kosovës kanë krijuar një atmosferë të pazakontë në Prishtinë, duke mos i lënë të qetë lojtarët kundërshtarë gjatë natës.

Pas mesnatës, pranë hotelit ku është akomoduar përfaqësuesja turke janë dëgjuar shpërthime fishekzjarrësh dhe disa brohoritje nga tifozët vendas i Kosovës.

Qëllimi ishte i qartë: të prishej qetësia e ekipit mysafir dhe të rritej presioni para sfidës vendimtare që zhvillohet sonte (e martë), me fillim nga ora 20:45.

Ngjarja ka krijuar shumë diskutime në rrjetet sociale, ku tashmë videot e fishekzjarrëve kanë filluar të shpërndahen në të gjitha mediat.

adv

Ansambli “Ibe Palikuqi” nderohet me dekoratë nga Presidentja Vjosa Osmani

0

Një ditë e veçantë dhe e mbushur me emocione është shënuar për Ansamblin Ansambli “Ibe Palikuqi”, i cili është nderuar me dekoratë nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm ndër vite në ruajtjen dhe promovimin e kulturës kombëtare, informon POPULLI.mk

Drejtori i ansamblit, Vebi Amza, ka shprehur krenarinë dhe mirënjohjen e tij për këtë vlerësim, duke theksuar se dekorata është rezultat i punës së palodhshme të shumë brezave që kanë kontribuar në zhvillimin e ansamblit – që nga periudha e ish-Jugosllavisë e deri në ditët e sotme.

Ai nënvizoi se ky çmim nuk i përket vetëm drejtuesve apo anëtarëve aktualë, por çdo artisti dhe kontribuuesi që me përkushtim, dashuri dhe sakrificë ka ndihmuar në kultivimin e trashëgimisë kulturore shqiptare.

Sipas Amzës, ky vlerësim është dëshmi e gjallë se arti, tradita dhe identiteti kombëtar vazhdojnë të jetojnë dhe të shkëlqejnë, ndërsa për ansamblin përbën një shtysë të re për të vazhduar misionin me përulësi dhe përgjegjësi.

Ai gjithashtu u shpreh personalisht i privilegjuar dhe i emocionuar për mundësinë që të përfaqësojë një vlerë kaq të madhe kulturore, duke e cilësuar këtë moment si të paharrueshëm.

Në fund, drejtori falënderoi të gjithë ata që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë pjesë e rrugëtimit të ansamblit, duke theksuar se synimi mbetet ngritja edhe më e lartë e emrit të Ansamblit “Ibe Palikuqi” dhe promovimi i kulturës shqiptare. / © POPULLI.mk

adv

Marco Rubio: Irani në pikën më të dobët, industria ushtarake në shënjestër

0
(AP Photo/Mark Schiefelbein)

Në dy intervista të ndara për ABC News dhe Al Jazeera, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se Shtetet e Bashkuara po bëjnë përparim të shpejtë në degradimin e aftësive ushtarake të Iranit dhe Uashingtoni pret të arrijë objektivat e tij “brenda javësh, jo muajsh”. Ai theksoi se udhëheqësi amerikan, Donald Trump, “parapëlqen diplomacinë”.

“Ne do të shkatërrojmë bazën e tyre të industrisë së mbrojtjes, që do të thotë aftësinë e tyre për të prodhuar raketa të reja dhe dronë të rinj në të ardhmen, sepse këta paraqesin kërcënim të madh për rajonin. Ky Iran që shihni tani, ky është Irani në pikën e tij më të dobët”, tha Rubio për ABC News më 30 mars.

“Ne jemi në një ritëm dhe në fakt para planifikimeve”, tha ai, duke shtuar se SHBA-ja “do t’i arrijë të gjitha këto gjëra brenda javësh, e jo brenda muajsh”.

“Besoj që pika e parë që thekson presidenti është që ai parapëlqen diplomacinë”, tha Rubio. “Siç e kam thënë, këto përpjekje janë ende në fazat fillestare. Po përcillen mesazhe të ndërsjella dhe po zhvillohen disa bisedime, përfshirë përmes ndërmjetësve”.

Duke komentuar kërcënimet e Iranit për të kontrolluar Ngushticën e Hormuzit “në mënyrë të përhershme” dhe për të vendosur një sistem pagese, Rubio tha se Uashingtoni nuk do ta lejojë që kjo të ndodhë.

“Jo vetëm që sovraniteti mbi Ngushticën e Hormuzit nuk është i pranueshëm për ne, por nuk do të jetë i pranueshëm as për botën”, tha ai. “Presidenti ka një sërë opsionesh në dispozicion, nëse zgjedh, për të parandaluar që kjo të ndodhë”.

Ai theksoi se sovraniteti i Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit është “i papranueshëm” për SHBA-në.

Ndërkaq, duke folur për Mojtaba Khamenein, udhëheqësin e ri suprem të Iranit, Rubio tha: “Së pari, ne nuk e dimë nëse ai është në pushtet”.

“E di që thonë se ai është në pushtet. Askush nuk e ka parë, askush nuk ka dëgjuar prej tij. Tani është shumë e paqartë. Nuk është fare e qartë se si po merren vendimet brenda Iranit”, i tha Rubio Al Jazeeras më 30 mars.

Duke u përgjigjur për një pyetje nëse beson se vendet e Bashkimit Evropian dhe NATO-s e tradhtuan Shtetet e Bashkuara në këtë moment kritik, për shkak se disa vende evropiane refuzuan të mbështesin konfliktin me Iranin, Rubio tha se “ishte shumë zhgënjyese”.

“Pa SHBA-në nuk ka NATO”, paralajmëroi ai aleatët evropianë, duke shtuar se “nëse ne vendosim nesër që do të tërheqim trupat nga Evropa, ky do të ishte fundi i NATO-s. Ata e dinë këtë”, tha Rubio.

Teksa lufta e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, që ka nisur më 28 shkurt, po vazhdon, Teherani një ditë më parë tha se ka pranuar, e ka shqyrtuar dhe e ka refuzuar planin amerikan për paqe prej 15 pikash, që iu dërgua Republikës Islamike përmes ndërmjetësve pakistanezë.

Irani e ka quajtur planin “jorealist, të palogjikshëm dhe të tepruar”, teksa ka kryer sulme të reja me dronë dhe raketa kundër Izraelit.

Trump ka vendosur afat deri më 6 prill që Irani të hapë Ngushticën e Hormuzit dhe të pranojë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës ose do të përballet me sulme amerikane ndaj centraleve energjetike.

Më 29 mars, Trump lavdëroi përparimet në bisedimet me Iranin, duke thënë se ato po zhvilloheshin drejtpërdrejt dhe tërthorazi me udhëheqës “të arsyeshëm” dhe theksoi se Teherani po hapte pjesërisht Ngushticën e Hormuzit, rrugën ujore përmes së cilës kalon rreth 20 për qind e furnizimeve botërore të naftës dhe gazit natyror.

Por ,ai ende nuk ka dhënë detaje për atë që e quajti bisedime të drejtpërdrejta me Iranin, udhëheqësit e të cilit mohojnë se po zhvillohen negociata.

adv

Kasami: Korridori 8 do të kalojë edhe përmes Strugës

0

Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, në një intervistë në Alsat, ka folur për Korridorin 8, ku tha se ky projekt i madh infrastrukturor do të kalojë edhe kah qyteti i Strugës.

“Nuk di ndonjë korridor tjetër ku do të kalojë Korridori 8. Duhet të bëjmë distinkcion të qartë në mes zgjidhjes teknike, dhe projektit si interes strategjik i vendit që lidh disa vende të NATO-së dhe BE-së. Është ndër korridoret më të rëndësishme të vendeve pan-evropiane, pjesë e të cilit do të jetë edhe Maqedonia e Veriut. Të thuhet se Korridori 8 nuk do të kalojë kah Struga nuk është informacion i saktë”.

“Është çështje të cilën na e ka lënë si problem qeveria paraprake. Se Korridori 8 nuk do të kalojë kah Struga nuk e ka thënë as kryeministri. Ky korridor lidh shqiptarët e Maqedonisë me ata të Shqipërisë, por përskaj kësaj ky është projekt i rëndësishëm edhe për Maqedoninë e Veriut. Sa është i rëndësishëm për shqiptarët dhe Shqipërinë, aq i rëndësishëm është edhe për Maqedoninë”, tha mes tjerash Kasami.

Kasami tha se nuk do të ndryshohet trajektorja e Korridorit 8 dhe se po punohet me intensitet të lartë./INA/

adv

Kosova synon Botërorin, Turqia pengesa e fundit në “Fadil Vokrri”

0

Kosova dhe Turqia do të përballen në një nga ndeshjet më të rëndësishme të viteve të fundit, në finalen e “play-offit” për kualifikim në Kupën e Botës 2026.

Takimi zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe pritet të sjellë një atmosferë të zjarrtë, me përkrahjen e madhe të tifozëve vendas për “Dardanët”. Për Kosovën, kjo është një mundësi historike për të siguruar pjesëmarrjen e parë në një Botëror.

Kombëtarja e Kosovës vjen me moral të lartë pas fitores dramatike ndaj Sllovakisë, duke dëshmuar formë të mirë dhe karakter të fortë në ndeshje vendimtare. Për më tepër, skuadra e drejtuar nga Franco Foda ka qenë shumë e fortë në shtëpi, çka rrit optimizmin për një rezultat pozitiv.

Në anën tjetër, Turqia paraqitet me një ekip cilësor dhe me përvojë ndërkombëtare, me shumë lojtarë që aktivizohen në ligat elitare evropiane.

adv

Moti për ditën e sotme

0

Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë me vranësira dhe reshje të shiut.

Në vend do të fryjë një erë e lehtë nga drejtimi verilindor.

Temperaturat minimale do të lëvizin nga -1 deri 5, ndërsa temperaturat maksimale do të lëvizin nga 10 deri 15 gradë celsius.

Deri ditën e premte moti pritet të jetë me vranësira dhe reshje të shiut, ndërsa në vendet malore do të ketë kushte për reshje të borës.

adv

Gjykata Kushtetuese e Kosovës rrëzon kërkesën e Vjosa Osmanit për KQZ-në

0

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka konsideruar të papranueshme kërkesën e presidentes Vjosa Osmani, e cila ka kërkuar sqarime lidhur me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pasi partia në pushtet e kryeministrit Albin Kurti ka kërkuar tre anëtarë.

Kushteteusjea thotë se kërkesa e Osmanit nuk i plotëson “kriteret e pranueshmërisë, sikurse që janë përcaktuar me Kushtetutë dhe saktësuar më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës”.

“Duke marrë parasysh që konflikti i kompetencave, në rrethanat e rastit konkret, është ngritur përkitazi me një kompetencë të Presidentes dhe e cila nuk është përcaktuar me Kushtetutë, por me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, Gjykata, bazuar në pikën 1 të paragrafit 3 të nenit 113 të Kushtetutës dhe praktikës së saj gjyqësore thekson se konflikti i kompetencave nuk është ngritur përkitazi me “kompetenca kushtetuese” të Presidentes dhe për pasojë, nuk është plotësuar kriteri i dytë kushtetues në kontekst të ngritjes së “konfliktit të kompetencave kushtetuese” për Presidentin, Kuvendin dhe/ose Qeverinë. (shih, rastin KO88/21, cituar më lart, paragrafi 72)”, thuhet ndër tjerash në vendim.

Kushtetuesja thotë se Presidentja nuk e ka ngritur çështjen lidhur me “kompetencat kushtetuese”.

“Rrjedhimisht, në vlerësimin e Gjykatës në rrethanat e rastit konkret, Presidentja e Republikës, ndonëse është palë e autorizuar që të ngritë çështje të konfliktit të kompetencave kushtetuese në mes të saj dhe Kuvendit, nuk ka ngritur para Gjykatës konflikt të “kompetencave kushtetuese”, sipas përcaktimeve të nënparagrafit 1 të paragrafit 3 të nenit 113 të Kushtetutës, dhe për pasojë, Gjykata shpall kërkesën e Presidentes së Republikës së Kosovës të papranueshme”, thuhet në vendim.

 

Top Channel

adv

Nikollovski: Nuk rrezikojmë statusin në UNESCO për autostradën

0

Një rekomandim i UNESCO-s për Maqedoninë e Veriut për segmentin Trebenishtë-Qafë Thanë ka mjaftuar që shteti ta rishikojë këtë projekt.

Ministri i transportit Aleksandar Nikollovski thotë se nuk mund të rrezikohet përjashtimi nga UNESCO për lëshimet që janë bërë nga projektuesit në kohën e pushteti të kaluar.

 “Ndërtohet aksi për momentin, kështu që nëse s’do të kishim qëllim për të punuar nuk do të bëhej! Por, gjithashtu ka rekomandim shumë të qartë nga UNESCO për mbrojtje të mjedisit jetësor dhe të trashëgimisë kulturore, duke pasur parasysh se kjo zonë është e mbrojtur nga UNESCO, shkaku i relikteve të shumta arkeologjike që gjenden në këtë trase. Ne e kemi patjetër t’i përmbahemi rekomandimeve të UNESCO-s që për këtë trase nuk mund të merren vendime të pakthyeshme”, tha Aleksandar Nikollovski, Ministër i Transportit.

Nikollovski për TV21 tha se nuk do të mbetet pa rrugë të rikonstruar segmenti që lidhet me Qafë Thanën dhe aktualisht po përpiqen të gjejnë një modalitet për përshtatshëm duke respektuar rekomandimet e UNESCO-s por duke shtuar edhe lidhjen në akse të qytetit të Strugës dhe Aeroportit të Ohrit. Nikollovski tha se është në interes të shtetit që lidhjet të bëhen të gjithanshme.

 “Kjo zgjidhje e sjellë nga pushteti i kaluar i LSDM-BDI nuk parasheh lidhje me Komunën e Strugës me këtë autostradë. Dikush mund të thotë se mund të bëhet lidhje e re, por në projektin aktual nuk është, unë e kam këtu. Nuk ka lidhshmëri as me aeroportin sepse kalon mbi vendndodhjen aktuale të aeroportit dhe është e pamundur të lidhet me aeroportin që do të thotë nëse jeni nga Struga ose Ohri e keni patjetër të përshkoni përmes rrugës tjetër Ohër-Kërçovë”, u shpreh Aleksandar Nikollovski, Ministër i Transportit.

Përveç për Korridorin 8 ka pasur edhe 7 rekomandime tjera të UNESCO-s për Maqedoninë e Veriut. Sipas raportit të fundit të Komitetit të trashëgimisë botërore të kësaj organizate, shumica e shkeljeve janë të evidentuara në Ohër me ndërtimet dhe mbindërtimet pa leje në perimetrin e zonës së mbrojtur.

Këto rekomandime u diskutuan në një takim të autoriteteve tona me përfaqësuesit e UNESCO-s në Paris për mbrojtjen e statusit të kësaj zone në UNESCO dhe pas kësaj të punohet për një zgjidhje.

Ndryshe nga pjesa e Shqipërisë punimet po vazhdojnë për lidhjen e Korridorit 8 me autostradë drejtë vendkalimit kufitar Qafë Thanë, megjithëse fqinjit tonë UNESCO i ka bërë njësoj rekomandime për punimet në zonën e mbrojtur të Liqenit Ohrit./TV21

adv