Përderisa Shqipëria gjatë viteve të fundit ka kryer shumim artificial, liqeni i Ohrit me miliona vezë të troftës, gati gjashtë vite nuk ka aktivitet të këtillë, gjë që e ka përkeqësuar edhe më shumë situatën me këtë lloj peshku endemik. Më në fund, liqeni në anën e Maqedonisë do të mbushet me 1 milion e 50 mijë vezë të reja. Për vezët janë përgjegjës institucioni shkencor Instituti hidrobiologjik i Ohrit dhe Instituti i blegtorisë në Shkup, i cili ka stacione shumimi në Strugë.
“Ata e kanë obligim të sigurojnë 1 milion e 50 mijë vezë nga të cilat më vonë liqeni i Ohrit do të pasurohet me troftë Ohri. Ky aktivitet është shumë i rëndësishëm për ne si shtet sepse synon ruajtjen e troftës si një nga pasuritë tona kombëtare. Më vjen keq që kjo nuk ka ndodhur vitet e fundit, e cila ka çuar në shkatërrimin apo zhdukjen e kësaj specie të rëndësishme e cila është shumë e rëndësishme për ne si vend”, deklaroi Cvetan Tripunoski- Ministër i bujqësisë, pylltarisë dhe menaxhimit të ujërave.
“Janë vërejtur ndryshime të caktuara apo çekuilibër të popullatës, ciklin e tyre jetësor, ndryshime në mënyrën e të ushqyerit, çekuilibër në gjeneratë dhe jetëgjatësinë, që i kemi hasur gjatë hulumtimit. Nëse do të vazhdonte ky trend i mospërmbushjes së aktiviteteve tona, vezëve artificiale dhe shumimi i troftës së Ohrit, situata do të ishte shqetësuese”, u shpreh Orhidea Taseska– drejtoreshë e Institutit hidrobiologjik– Ohër.
Shumimi ka nisur më 16 janar dhe po zhvillohet me dinamikën e planifikuar. Deri më tani janë grumbulluar 255 mijë vezë, të cilat janë duke u vendosur në inkubatorët e institutit. /Alsat.mk