“Një vjedhje ka ndodhur në çerdhen 11 tetori në Butel të Shkupit ku këtë radhë hajnat kanë marrë dy televizorë ndërsa kjo nuk është grabitja e parë që ka ndodhur në këtë çerdhe, vitin e kaluar ka ndodhur edhe një rast i ngjashëm. Sipas informatave tona, ky rast është denoncuar menjëherë në polici pas alarmit që ka ndodhur ndërsa drejtoresha sot nuk deshi të prononcohet para kamerave tona”, raporton Avni Tahiri, gazetar.
Sipas qytetarëve, shumica e portaleve me tendencë kanë shkruar për këtë rast se vjedhja ka ndodhur në një çerdhe të Çairit, ndërsa në fakt kjo çerdhe është në komunën e Butelit. Rastet e tilla i cilësojnë si të turpshëm dhe shtojnë se shteti duhet të ketë më shumë siguri kur behët fjalë për çerdhet.
“Kjo është punë e shtetit, e policisë, që nuk i ruajnë por merren me punë tjera që nuk duhet. Thanë se ky rast është përsëritur. Nuk e di çfarë të them.
Ju si qytetarë si e komentoni këtë rast si fenomen që nuk duhet të ndodhë?
Kjo nuk duhet të ndodhë asnjëherë por ja që ka ndodhur, kjo është për shkak të organizimit të dobët të shtetit dhe kulturës së njerëzve”, tha një qytetar.
Ministria e Punëve të Brendshme thotë se po merren masa për zbardhjen e plotë të këtij rasti. Ky nuk është rasti i parë që hajnat grabisin çerdhet në vendin tonë. Në vitin 2022 nga çerdhja e fëmijëve “Dimçe Mirçev” në Veles, grabitësit morën nga magazina produkte ushqimore si mielli, vaj gatimi, sheqer dhe kripë. Sipas statistikave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, mesatarisht në vit në vendin tonë ndodhin rreth 3,000 vjedhje, ndërsa mesatarisht rreth 10,000 vjedhje të renda. /Alsat.mk