9.8 C
Skopje
E martë, 3 Dhjetor, 2024

Dy dekada kulturore e letrare të shkrimtarëve në Amerikë

Sivjet në Amerikë është botuar në dy vellime e tërë veprimtaria kulturore e letrare e “Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë”. Në këto dy vëllime janë përfshirë shkrime kronologjike, kumtesa e referate, njoftime për ose rreth aktivitetit kulturor e letrar që ka bërë në këta 20 Vjet ShShSHA, duke dhënë shembullim intelektual se si është dashur të veprojnë secila shoqatë kulturore a politike që ka vepruar diku në diasporë, e pse jo këta dy libra të mos merren model se si duhet të mblidhet e sistemohet veprimtaria e shoqatave dhe asociacioneve të organizuara kudo në hapësirën shqiptare dhe në mërgim. Vëllimi i parë përfshinë shkrime e kumtesa të periudhës 2001-2011, kurse vëllimi i dytë përfshinë shkrime dhe kumtesa në perudhën kohre 2012-2022. Ky dy vëllimësh ka për autor Adnan Mehmetin, autor librash të shumtë dhe President i Shoqatës.

Po ashtu edhe ky libër i botuar në dy vëllime, me titull “SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË”, është përgatitur nga Presidenti i Shoqatës z. Adnan Mehmeti, i cili në vitet e nëntëdhjeta ka jetuar dhe vepruar në Zvicër, madje ka qenë mësimëdhënës pranë Shkollës Shqipe në Zvicër. Më pas Adnan Mehmeti ka emigruar në Amerikë: Edhe atje ai gjithmonë ka qenë i angazhuar në aktivitete të shumta që i bënte komuniteti shqiptar i atjeshëm. Dy vëllimëshi në fjalë, padyshim është një libër me vlerë kronologjike e dokumentuese për komunitetin e krijuesve shqiptarë në Amerikë dhe më gjerë. Siç thuhet në një shënim se “Ky botim është pjesë e veprimtarive në fushën e botimeve që kjo Shoqatë i bën për të regjistruar e bërë të njohur tërë krijimtarinë letrare e kulturore të anëtarëve të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë”.

Në vëllimin e parë, 2001-2011, janë përfshirë shkrime nga: Beqir Sina, me 14 shkrime, Këze (Kozeta) Zylo, me 6 shkrime, Dr. Gjekë Marinaj, me 5 shkrime, Dalip Greca, me 4 shkrime, Mëhill Velaj dhe Raimonda Moisiu, me nga 3 shkrime, kurse me nga dy shkrime janë përfshirë Adnan Mehmeti dhe Vlashi Fili. Ndërsa me nga një shkrim janë përfshirë: Albana Melyshi Lifschin, Ardian Murraj, Dalan Luzaj, Dr. Fatmir Terziu, Eduard M. Dilo, Eleonora K. Gjoka, Fation Pajo, Kostaq Duka, Merita Bajraktari McCormack, Pierre-Pandeli Simsia, Ramiz Gjini, Sotir Pani, Shefqet Dibrani, Shpresa Vranari dhe Vasil Filipi. Kurse në gjuhën angleze janë përfshirë edhe dy shkrime të tjera nga Brent Flynn dhe Justin Stock, e ndonjë tjetër që mund të më jetë përvjedhur pa qëllime.

closevolume_off
Ndërsa në vëllimin e dytë përfshihen shkrime në periudhën, 2012-2021, nga: Adnan Mehmeti, me 15 shkrime, Raimonda Moisiu, me 6 shkrime, Beqir Sina, me 5 shkrime, kurse Dalip Greca, Dr. Arjeta Ferlushkaj, Dr. Yllka Filipi, Fuat Memelli dhe Namik Selmani, me nga 3 shkrime, kurse Dr. Besim Muhadri, me 2 shkrime. Autorët tjerë janë me nga një shkrim: Anton Çefa, Carrie Hooper, Dr. Agron F. Fico, Dr. Gjekë Marinaj, Dr. Sami Repishti, Frank Shkreli, Këze (Kozeta) Zylo, Kozeta Zavalani, Mëhill Velaj, Përparim Hysi, Pierre-Pandeli Simsia, Rozi Theohari, Sokol Paja, Shani Pnishi, Veneta Çallpani dhe Visar Zhiti.

Vlenë të theksohet se në pjesën e dytë janë dhënë edhe shënime për Kryesinë e Shoqatës nëpër mandate udhëheqëse nga viti 2001 kur është themeluar dhe gjerë në mandatin e fundit 2021-2023, si dhe janë dhënë shënimet për çmimet letrare dhe mirënjojet e caktuara të cilat i ka ndarë kjo shoqatë, duke e bërë këtë botim dokument edhe më autentik dhe më historiografik.

Në mbështjellësin e librit, (ana e pasme), do të lexojmë vlerësimet për Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikan nga kandidatët për Çmimin “NOBËL” për letërsi siç janë Ismail Kadare dhe Frederick Turner, si dhe përshtypjet nga emra të njohur të letërsisë botërore siç është Constance Rooke, shkrimtare dhe kritike letrare nga Kanadaja dhe nga dy profesorët shqiptarë në Amerikë: Dr. Peter Prifti dhe Dr. Sami Repishti.

Dy vëllimet kanë nga 336 faqe secili vëllim, dhe janë të shoqëruar me shumë fotografi me ngjyra. Libri është botuar me një cilësi teknike të lartë bashkëkohore, thuhet në një njoftim për këta libra të cilët janë botuar nga Shtëpia Botuese “ADRIATIC PRESS”, New York, 2022.

Të ngjajshme

Të fundit