Kohëve të fundit është rritur ndjeshëm numri i pacientëve të sëmurë me grip sezonal, me simptoma madje që të kujtojnë ato të Covidit.
Mjekja Mevlane Islami thotë se ndryshimet e pazakonta klimatike gjatë këtyre javëve, kanë ndikuar padyshim në shtimin e të sëmurëve.
Apelon të shkohet në mjek e të merren ilaçe vetëm sipas përshkrimit të mjekut, sidomos të bëhet kujdes me përdorimin pa kontroll të antibiotikëve.
“Kjo ndodh për shkak të ndryshimit të kushteve klimtaike, rënia e temperaturave, qëndrimi në ambiente të mbyllura, ajri i papastër. Trajtimi i gripit sezonal është njësoj sikur i ftohjes me terapi simptomatike. Zbatohet një regjim i caktuar i higjienës dhe të ushqyerit, preferohet pushim, konsumim i shtuar i lëngjeve, vitaminave mineraleve, dezinfektimi i ambienteve të mbyllura, shmangia e kontaktit me persona të infektuar. Antibiotikët jepen vetëm në rast të infeksioneve sekondare, ndërsa te fëmijët me sëmundje kronike dhe imunitet të dobësuar preferohet imunoprofilaksa” – tha mjekja, Mevlane Islami.
Vaksinat antigrip, Sali: 60 mijë vaksina janë siguruar në kohë
Ministria e Shëndetësisë ndërkohë ka siguruar në kohë vaksinat për parandalimin e gripit sezonal . Ministri Bekim Sali thotë se në dispozicion janë 60 mijë vaksina të dedikuara për personat që janë target i Ministrisë së Shëndetësisë , që nënkupton grupmoshat e rrezikuara si dhe shtatëzanat.
“Për herë të parë pas disa viteve ne jemi furnizuar në kohë me vaksinat për gripin sezonal. Kemi rreth 40 mijë vaksina të cilat i ka marrë Ministria e Shëndetësisë dhe 20 mijë që janë donacion nga organizata ‘Pivi’. Edhe sivjet vazhdojmë me dinamikën e vitit të kaluar me 60 mijë vaksina do të jenë të mbuluar të gjitha grupmoshat të cilat janë target i Ministrisë së Shëndetësisë çdo vit dhe ato janë pacientët me moshë mbi 65 vite , janë shtatzënat , fëmijët deri në moshën 6 vjeçare dhe pacientët me sëmundje kronike” – tha Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.
Ministri Sali fton pacientët me sëmundje kronike të fillojnë regjistrimin në sistem për caktim të terminit për vaksinim.