29.8 C
Skopje
E diel, 31 Maj, 2026
Home Blog Page 2783

Republikanët po nisin një hetim për Joe Biden dhe familjen e tij

0

Pasi fituan shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet afatmesme, republikanët thanë sot se do të hapin një hetim për të përcaktuar shkallën e përfshirjes së presidentit amerikan, Joseph Biden në punët e djalit të tij, Hunter Biden.

Republikanët thonë se kanë mbledhur tashmë prova inkriminuese të mashtrimit elektronik, shkelje të Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj, pastrim parash dhe evazion fiskal, mes krimeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga Hunter.

Jim Jordan, i cili pritet të bëhet kryetar i Komitetit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve, tha se tani që republikanët kanë siguruar një shumicë të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve, ai planifikon t’i bëjë çështjet e jashtme të Bidenit një fokus qendror në Kongresin e ri.

“Si pjesë e hetimit tonë, ne kemi prova që financat, kartat e kreditit dhe llogaritë bankare të Hunter dhe Joe Biden janë përzier, nëse nuk janë ndarë. Dhe të paktën disa nga llogaritë bankare ngritën flamuj të kuq për pronarin ose pronarët e llogarisë që tregonin aktivitet të dyshimtë ose të paligjshëm”, tha James Comer, i cili gjithashtu vuri në dukje se bashkëpunëtorët e biznesit të Hunter Biden u takuan me babanë e tij në shumë raste ndërsa Biden ishte zëvendëspresident dhe president.

Bidenët “lulëzuan dhe u bënë milionerë thjesht duke shfrytëzuar emrin e familjes”, tha Comer.

Sipas tyre, aktiviteti i biznesit dhe abuzimi me drogën e Hunter Biden ka qenë prej kohësh një përgjegjësi politike për presidentin, i cili qëndroi mënjanë dhe deklaroi se ishte “krenar” për djalin e tij.

Sipas një raporti të Washington Post muajin e kaluar, drejtësia amerikane në Delaware aktualisht po shqyrton akuzat kundër Hunter Biden, të cilit iu prezantuan prova nga hetuesit federalë se Biden kreu evazion fiskal dhe gënjeu për përdorimin e tij të drogës në një formular që ai plotësoi kur bleu një armë zjarri. 

adv

Ligji për shpifje, pajtohen mazhoranca dhe opozita

0

Kuvendi miratoi Ligjin për shpifje dhe fyerje, për të cilin pushteti dhe opozita për një kohë të gjatë nuk mundën të gjejnë gjuhë të përbashkët. Edhe pse e mbështetën ligjin, nga VMRO-DPMNE thonë se Ligji ka një sërë mangësish të cilat nuk e parandalojnë shpifjen dhe fyerjen si fenomen. Deputeti i opozitës Zdravko Trajanov tha se për ligjin nuk kishte debat të gjerë publik dhe akuzoi pushtetin se tentoi ta përpiloj ligjin pa u konsultuar me të gjitha palët.

“Mangësi e ligjit, të cilin është çështje kohe se kur do e hapim përsëri, është se shumë çështje nuk janë definuar, posaçërisht në pjesën e internetit si platformë dhe mediat elektronike, për të cilat patjetër të definojmë shumë punë, që të mund të funksionojë praktika gjyqësore, të mund të funksionojë kjo problematikë, respektivisht të mund të zgjidhen lehtë problemet pasi të ndodhin, ndërsa probleme do të ndodhin pasi shpifja është dukuri serioze e cila cenon lirinë e njeriut”, tha Zdravko Trajanov, VMRO-DPMNE.

Nga pushteti, deputetja e LSDM-së Snezhana Kalevska Vançeva tha se me Ligjin e ri shpifja dhe fyerja do të jenë të ndëshkueshme.

“Asnjë e drejtë nuk mund të jetë  absolute sepse çdo e drejtë realizohet deri në momentin derisa nuk kufizon të drejtën e dikujt tjetër, andaj është shumë me rëndësi që të kemi rregullore që do ti rregullojë qëndrimet e këtilla të cilat, bazën e kanë që të jenë të lirë, por patjetër të jenë të kufizuara kur prekin të drejtën e dikujt tjetër”, u shpreh Snezhana Kalevska Vançeva, LSDM.

Ligji i sapo miratuar për përgjegjësi qytetare për shpifje dhe fyerje, parashikon që, para se të ngrihet padi për dëmshpërblim për shpifjen, fillimisht të kërkohet fjale dhe tërheqje publike të deklaratës nga personi që ka bëtë fyerjen, të drejtën e reagimit dhe demantit. Ndërsa çështja kyçe e ligjit është ulja drastike e gjobave për punonjësit mediatik për dëmin e shkaktuar me fyerjen ose shpifjen.

adv

Sindikata e mjekëve të Qendrës Klinike paralajmëron grevë

0

Vendimi i mantel bardhëve për të protestuar bëri që të shtyhet për disa ditë greva e paralajmëruar për mos pagesën adekuate të punës që bëjnë. Duke ndjekur shembullin e Klinikës së Onkologjisë ku do t’u paguhen kujdestaritë në mënyrë retroaktive, në gjithë Qendrën Klinike Universitare “Nënë Tereza” punonjësit u mobilizuan për grevë. Por, Ministri Shëndetësisë i parapriu grevës. Takoi sindikalistët për të kërkuar kohë në përpjekje të plotësimit të kërkesave të tyre.

“Në bisedë me përfaqësuesit e sindikatës së Qendrës Klinike ramë dakord që kjo grevë e paralajmëruar të shtyhet për dy javë, që ndërkohë do të komunikojmë me drejtorët e Fondit shëndetësor dhe Ministrin e Financave sepse tani jemi në fazë të negociatave për tu siguruar buxhetin për vitin e ardhshëm të gjitha Institucioneve publike shëndetësore”, tha Bekim Sali, Ministër i Shëndetësisë.

Nga Ministria e Shëndetësisë zotohen se kërkesat e doktorëve, infermiereve dhe personelit jo mjekësor do të procedohen edhe në ekzekutiv për të gjetur zgjidhje gjatë konsolidimit të buxhetit të vitit 2023. Nga Sindikata thanë se po bëjnë kompromisin e kohës për hir të pacientëve vetëm që mos të bllokojnë punën në klinika, por sërish mbeten të palëkundur në kërkesat e tyre, që ishin edhe premtimet parazgjedhore të pushtetit.

“Pas takimit me Ministrin e Shëndetësisë do të pasojë takimi edhe me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, nuk zmbrapsemi nga kërkesa jonë, e cila na është premtuar për rritje lineare të pagave për 2850 denarë. Jo vetëm kjo, kemi kërkesa tjera lidhur me kujdestaritë, koeficientin e pagave dhe kushtet e punës”, thonë nga Sindikata e mjekëve të Qendrës Klinike.

Ky reagim i mantel bardhëve erdhi në kohën kur ministri ka iniciuar revizione për të parë produktivitetin në punë të personelit mecidinal, në mënyrë që ku ka lëshime të ndëshkoj dhe ku ka përparime të merr në konsideratë për rritje të pagave. Në kuadër të kursimeve, në shqyrtim është edhe mundësia e heqjes plotësisht të drejtorëve organizativ nëpër 28 klinikat e Qendrës Klinike Universitare “Nënë Tereza” në Shkup. Kreu i shëndetësisë tha se ekziston mundësia e rikthimit të sistemit që klinikat të funksionojnë vetëm me drejtor medicinal, sepse nga pagat e atyre ekonomik do të kurseheshin qindra mijëra euro.

adv

Universiteti i Tetovës inauguroi Laboratorin hulumtues të Psikologjisë

0

Në Universitetin e Tetovës, sot u lëshua në përdorim Laboratori hulumtues i Psikologjisë, i cili do të funksionojë në kuadër të Fakultetit Filozofik dhe është donacion nga agjencia turke për bashkëpunim dhe koordinim “Tika”, si dhe nga fondacioni për shkencë dhe kulturë Dituria.

Inaugurimi i këtij laboratori u bë nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, Dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Ibish Kadriu dhe shefi i Programit studimor të Psikologjisë, Prof. Dr. Lulzim Murtezani, ku morën pjesë edhe shumë profesorë dhe studentë.

Sipas shefit të Programit studimor të Psikologjisë, Prof. Dr. Lulzim Murtezani, ky laborator është unik në trevat tona, pasi nuk haset një i tillë në vendet e tjera fqinje dhe të gjithë të punësuarve në Universitetin e Tetovës do t’u mundësojë të përdorin instrumentet matëse, të përdorin strategji, dizajnime dhe punë ekipore, të cilat janë pjesë përbërëse të Programit studimor të Psikologjisë. “Unë mund të konstatoj se, me këtë laborator hapet një kapitull i ri i veprimtarisë, i praktikës së re studimore në kuadër të psikologjisë. Ne do të vazhdojmë me këtë përsosje të veprimtarisë shkencore, kuptohet në planin praktik. Jo rastësisht thuhet se laboratori është një mikromjedis i cili fabrikon të vërtetën. Dhe ky është një mesazh shumë i rëndësishëm për të gjithë ne, sepse çdoherë në shkencë na intereson vetëm e vërteta dhe matja e saj. E gjithë kjo u konkretizua falë donacionit të agjencisë turke për bashkëpunim dhe koordinim “Tika” dhe njëkohësisht këtij fondacioni ne i shprehim mirënjohje të jashtëzakonshme dhe njëkohësisht një pjesë e donacionit është edhe nga fondacioni për shkencë dhe kulturë “Dituria”, tha Prof. Dr. Lulzim Murtezani.

Laboratori është një projekt i jashtëzakonshëm, i cili mundëson konkretizimin e teorisë, shndërrimin e saj në praktikë. Ky laborator do t’u shërbejë studentëve tanë ta kultivojnë dhe zhvillojnë sensin e të qenit shkencëtar, por njëkohësisht do t’u ndihmojë edhe vetë mësimdhënësve në avancimin e veprimtarisë të tyre shkencore, ku bën pjesë edhe bashkëpunimi me prindër, me fëmijë, me nxënës dhe kështu me radhë.

adv

Grubi: Qeveria mbështet riorganizimin e institucioneve shtetërore

0

Zëvendëskryetari i parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, z. Artan Grubi sot ishte pjesëmarrës në Konferencën “Hapat e para drejt riorganizimit shtetëror”, i organizuar nga ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë në bashkëpunim me Bashkimin Europian.

Raportet e fundit të Komisionit Europian ju referohen në vazhdimësi prioriteteve për të rritur profesionalizmin dhe për të nxitur efikasitetin e administratës shtetërore, gjë që është e mundshme vetëm përmes vendosjes së linjave të qarta të përgjegjësisë dhe për rritjen e nivelit të transparencës, bashkimit të institucioneve me të njëjtat kompetenca dhe zvogëlimit të numrit të tyre, është shprehur Grubi para të pranishmëve duke shtuar se: “Modernizimi dhe depolitizimi i administratës shtetërore, bazuar në praktikat më të mira, rezulton në rritjen e motivimit dhe kreativitetit të punonjësve, produktivitetit në sektorin publik dhe kënaqësisë së qytetarëve. Pikërisht për këto arsye, në shumë vende anëtare të BE-së, rolet dhe përgjegjësitë e autoriteteve shtetërore rishikohen rregullisht me një qëllim të vetëm – thjeshtësimin e organizimit të administratës shtetërore”

Në vazhdim, fjalimi i plotë:

Kënaqësi të jem sot në mesin tuaj për të shprehur përcaktimin e palëkundur dhe angazhimin e Qeverisë në realizimin e një prej proceseve që determinon avancimin e vendit tonë në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian, atë të reformimit të administratës publike që shënon edhe hapat e para të riorganizimit shtetëror konform standardeve europiane të funksionimit.

Fillimisht, dua të shpreh mirënjohje dhe faleminderit ndaj Delegacionit të Bashkimit Europian që përmes realizimit të këtij projekt kaq kompleks dhe domethënës për vendin tonë po mbështet procesin e domosdoshëm të riorganizimit ligjor dhe institucional të administratës publike, me qëllimin e vetëm zmadhimin e efikasitetit të saj operativ ndaj nevojave të qytetarëve.

Procesi i realizuar i pilotimit në Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës Publike dhe Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave thekson seriozitetin e sfidës me të cilën po përballemi dhe nevojën për një reformë shumë të thellë. Më vjen mirë që përmes këtij projekti, tashmë kemi në dispozicion qasjen objektive të ekspertëve për mënyrën më të mirë të riorganizimit të këtyre institucioneve.

Mirëfunksionimi i institucioneve është mbi të gjitha parakusht për krijimin dhe zbatimin e suksesshëm të politikave që nxisin zhvillimin social-ekonomik në vend.

Raportet e fundit të Komisionit Europian ju referohen në vazhdimësi prioriteteve për të rritur profesionalizmin dhe për të nxitur efikasitetin e administratës shtetërore, gjë që është e mundshme vetëm përmes vendosjes së linjave të qarta të përgjegjësisë dhe për rritjen e nivelit të transparencës, bashkimit të institucioneve me të njëjtat kompetenca dhe zvogëlimit të numrit të tyre.

Rishpërndarja e roleve dhe përgjegjësive, ulja e numrit të posteve të larta drejtuese, përcaktimi i roleve të reja dhe parandalimi i burokratizimit të tepruar janë synime të Strategjisë së Reformës së Administratës Publike (2018-2022), të cilën Qeveria e miratoi në shkurt të vitit 2018.

Modernizimi dhe depolitizimi i administratës shtetërore, bazuar në praktikat më të mira, rezulton në rritjen e motivimit dhe kreativitetit të punonjësve, produktivitetit në sektorin publik dhe kënaqësisë së qytetarëve. Pikërisht për këto arsye, në shumë vende anëtare të BE-së, rolet dhe përgjegjësitë e autoriteteve shtetërore rishikohen rregullisht me një qëllim të vetëm – thjeshtësimin e organizimit të administratës shtetërore.

Të njëjtat praktika janë shembulli që ndoqëm gjatë planifikimit të procesit të riorganizimit në vendin tonë. Reformat në administratën shtetërore nënkuptojnë edhe krijimin e një kulture profesionale në vetë institucionet, e cila do të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve nëpërmjet ofrimit të shërbimeve publike cilësore dhe orientimit më të madh drejt rezultateve.

Riorganizimi i organeve shtetërore është mbi të gjitha obligim ndaj qytetarëve të kësaj shoqërie. Kuptohet se ata presin dhe meritojnë shërbime publike cilësore me kosto më të ulëta. Kjo është arsyeja pse çdo administratë shtetërore efikase nënkupton një përgjigje të plotë dhe efikase pikërisht ndaj pritshmërive të tilla.

Fitimi dhe ruajtja e besimit të qytetarëve nënkupton një administratë shtetërore që u përmbahet parimeve bazë – sundimit të ligjit, integritetit dhe paanshmërisë, çiltërsisë, efikasitetit dhe përgjegjësisë.

Pas përfundimit të procesit të pilotimit, Qeveria angazhohet që nga janari 2024 të nisë efektivisht procesin e riorganizimit. Deri atëherë, bëj thirrje për mbështetje të plotë nga të gjithë aktorët politikë dhe të tjerë, si dhe nga çdo individ në shoqëri.

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj!

adv

Spasovski: Së shpejti do të përfundojnë hetimet për denoncimet e rrejshme për bomba

0

“E-mailet me njoftime për bomba të vendosura dërgohen nga jashtë dhe për hetimet kemi ndihmën juridike ndërkombëtare. Në hetim dhe në dhënien e informacioneve dhe provave janë të përfshira të gjitha kapacitetet e disa dikastereve të MPB-së, si dhe shërbimet partnere, dhe megjithëse deri tani të gjitha kallëzimet janë të rreme, secili duhet trajtuar sipas protokolleve rreptësisht të përcaktuara që nuk mund të përjashtohen”.

Këtë tha ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski për TV24, në lidhje me denoncimet për vendosje të bombave nëpër shkolla, të cilat janë shtuar shumë ditëve të fundit. Ai tha se ajo që është karakteristike është se kërcënimet shfaqen të mërkurën, të enjten dhe të premten dhe vetëm në një turn të caktuar të nxënësve dhe mësimdhënësve dhe këto janë pjesë e aspekteve që analizohen.
“Përmbajtja e emaileve është e ndryshme. Sot kishte një përmbajtje të tillë që dikush gjoja donte të negocionte. Por nuk ka negociata me terroristët”, theksoi Spasovski.

Ministri Spasovski tha se Ministria e Punëve të Brendshme do t’i shpallë të gjitha informatat dhe konkluzionet kur të përfundojë hetimi dhe të ketë një realizim, i cili do të jetë shumë shpejt.

“Sapo t’i vërtetojmë të gjitha faktet dhe të dhënat, në bashkëpunim me prokurorinë publike do të dalim publikisht dhe gjithçka do të publikohet në mënyrë transparente”, theksoi ministri.

Spasovski theksoi se këto sulme hibride nuk janë rast i izoluar vetëm në Maqedoninë e Veriut, se sulme të tilla ka edhe në SHBA, Serbi, Kroaci, vende të tjera anëtare të NATO-s dhe BE-së. Ai ka kërkuar që të mos politizohet ky rast në mënyrë që institucionet të punojnë me efikasitet.

adv

Kovaçevski sot në Beograd, do të merr pjesë në Konferencën për investime në energjetikë në Ballkanin Perëndimor

0

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski dhe zëvendëskryeministri përgjegjës për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi, do të marrin pjesë sot në Beograd në Konferencën Rajonale për Investimet në Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë në vendet e Ballaknit Perëndimor, organizuar nga Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë.

Kryeministri Kovaçevski së bashku me kryeministrat e Shqipërisë Edi Rama, të Malit të Zi Dritan Abazoviq dhe kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës Zoran Tegeltija, do të mirëpresin presidentët e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe Andreas B. Eriksen, zv.ministër i Energjisë dhe i Dërguar Special i kryeministrit të Mbretërisë së Norvegjisë, në Pallatin e Serbisë ku do të zhvillohet manifestimi.

Të gjithë liderët nga Ballkani Perëndimor janë planifikuar të marrin pjesë në hapjen zyrtare të konferencës dhe në një panel diskutimi kushtuar mundësive të investimit në vendet e Ballkanit Perëndimor nga investitorët norvegjezë.

Është planifikuar konferencë e përbashkët për media ku do të flasin Kovaçevski, Vuçiq, Rama, Abazoviç dhe Tegeltija.

adv

Mickoski: Borxhi publik është rritur për 2.5 miliardë euro, 800 milionë euro janë vjedhur

0

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në një intervistë për “Republika” ka theksuar se në pushtet janë mashtruesit politikë, të cilët derisa ishin në opozitë gënjenin për borxhin publik, por pasi erdhën në pushtet e rritën borxhin publik prej 2.5 miliardë eurosh, ndërsa thotë se i kanë vjedhur 800 milionë euro.

“Mashtruesit politikë, kanë gënjyer, shpikur, shpifur, nënçmuar sa kanë qenë opozitë vetëm për të marrë privilegje. Mundësia që kjo të përgjigjet dhe të zgjidhet janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Përgjegjësia do të ketë për të gjithë. Nëse mendojnë se ndonjëri nga ata 61 që e përkrahin qeverinë do të amnistohet, gabohen”, tha Mickoski.

Ai ka theksuar se vetëm për tremujorin e fundit, borxhi publik është rritur mbi 400 milionë euro.

“Kjo është 700 euro për familje. Dhe kjo nga 1 korriku deri më 30 shtator, vetëm për ata tre muaj. Këto janë para të vjedhura dhe nuk do të ishte aq problematike nëse produkti i brendshëm bruto do të rritej me 3 ose 4 miliardë, problemi është se borxhi është rritur për 2,5 miliardë, kurse bruto-produkti i brendshëm për 1,7 miliardë, që do të thotë se janë vjedhur 800 milionë euro”, theksoi Mickoski.

adv

Koha sot

0

Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe me reshje të kohëpaskohshme të shiut, posaçërisht në orët e pasdites. Ndërkohë në mbrëmje do të fryjë erë e matur nga drejtimi jug-perëndimorë. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 3 deri në 10, ndërsa ajo maksimale do të arrij prej 14 deri në 18 gradë.

Në Shkup dhe rrethinë moti do të jetë i ngjashëm, me vranësira të ndryshueshme dhe me reshje të përkohshme të shiut. Temperatura minimale do të ulet në 9, ndërsa ajo maksimale do të arrij në 16 gradë Celsiusë.

adv

Ganiu:Rruga “LEKË DUKAGJINI” (ISH-PERO TOSHEV) në Seravë u asfaltua

0

🏘️🚧PO E ASFALTOJMË RRUGËN “LEKË DUKAGJINI” (ISH-PERO TOSHEV) NË LAGJEN SERAVË

Ekipet e punës të Komunës së Çairit po e asfaltojnë Rrugën “Lekë Dukagjini” (Ish-Pero Toshev) në Lagjen Seravë.

Sot edhe personalisht inspektova punimet që po realizohen për asfaltimin e kësaj rruge, ku siç më informuan ekipet e punës, paraprakisht është bërë instalimi i rrjetit të ri të ujësjellësit dhe kanalizimit përmes mjeteve të TAV.

🔜Me këtë rast paralajmërova se do të vazhdojmë me modernizimin e infrastrukturës, posaçërisht asaj rrugore gjithandej territorit të Komunës së Çairit.

 

 

 

adv