29.8 C
Skopje
E diel, 31 Maj, 2026
Home Blog Page 37

Anketa më e re konfirmon: VLEN forca kryesore në kampin politik shqiptar

0

Hulumtimi i fundit i opinionit publik, i realizuar nga MKD.mk dhe agjencia Market Vision gjatë periudhës 2–18 mars, konfirmon trendet politike në vend, ku VLEN pozicionohet si forca e dytë politike në nivel shtetëror dhe bindshëm e para në bllokun shqiptar.

Sipas rezultateve të publikuara, VLEN gëzon mbështetje më të madhe krahasuar me partitë tjera shqiptare, duke lënë pas subjektet që për vite me radhë kanë dominuar në këtë kamp politik. Ky rezultat reflekton një zhvendosje të qartë të besimit të qytetarëve shqiptarë drejt një alternative të re politike që po ndërton besim mbi ndryshim dhe përfaqësim të denjë.
Në nivel shtetëror, VLEN renditet menjëherë pas VMRO-DPMNE-së, duke u konfirmuar si faktori i dytë politik në vend, përpara partive të tjera si LSDM, BDI dhe Levica. Përkatësisht VMRO-DPMNE gëzon 24 %, VLEN 5.1%, LSDM 4.9% dhe BDI me 4.8%. Ky pozicionim e bën VLEN një aktor kyç në skenën politike dhe një zë të fuqishëm të qytetarëve shqiptarë në institucionet e shtetit.
Rezultatet gjithashtu tregojnë një rënie të ndjeshme të besimit ndaj partive tradicionale, ndërsa rritja e VLEN shihet si reflektim i kërkesës për politikë më të përgjegjshme, më transparente dhe më afër qytetarit.

Ky trend dëshmon se qytetarët janë duke e mbështetur fuqishëm ndryshimin dhe se VLEN po shndërrohet në adresën kryesore të besimit politik te shqiptarët, por edhe në një faktor stabiliteti dhe përfaqësimi në nivel republikan.

adv

Nga NATO te BE, rruga e bllokuar e Maqedonisë së Veriut

0

Maqedonia, para gjashtë vitesh, u shpall zyrtarisht anëtare e re e NATO-s, organizata më e fuqishme ushtarako-politike në botë, pasi pagoi çmimin më të lartë në historinë e marrëdhënieve të saj të jashtme – ndryshimin e emrit në Maqedonia e Veriut sipas parimit “erga omnes”, pra për përdorim të përgjithshëm të brendshëm dhe ndërkombëtar. Edhe pse shteti ishte i bllokuar për dekada, politika e jashtme amerikane e dëshironte fuqishëm që një vend sllav dhe i Evropës Lindore t’i bashkohej aleancës, por a është i mundur një depërtim i tillë edhe për anëtarësimin e bllokuar në BE?

Një nga momentet kyçe për vendosmërinë e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve për ta çuar përpara procesin e NATO-s ishte reagimi ndaj akuzave të demokratëve amerikanë se Rusia ishte përzier në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, në të cilat fitoi Donald Trump në mandatin e tij të parë.

Atëherë u hap një hetim për lidhjet e pretenduara të Trump me Rusinë përmes prokurorit special, tashmë i ndjerë Robert Mueller. Departamenti i Shtetit, fillimisht i udhëhequr nga Rex Tillerson dhe më pas nga Mike Pompeo, e vendosën si prioritet zgjerimin e NATO-s dhe dërguan mesazhin se nëse një vend si Maqedonia, me shumicë sllave dhe ortodokse, anëtarësohet, atëherë presidenca e Trump-it është “qartësisht” e pozicionuar kundër Putinit dhe Rusisë.

Gjithashtu, gjatë fushatës, qendra kryesore e të ashtuquajturave lajme të rreme që promovonin Donald Trump ishte e vendosur në Veles, madje edhe Hillary Clinton i akuzoi të rinjtë maqedonas se kishin ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve, duke theksuar se ishin frymëzuar nga fermat ruse të botëve dhe trollëve që më pas shpërndanin përmbajtje përmes grupeve të targetuara në Facebook, duke krijuar inxhinieri zgjedhore.

Natyrisht, që projekti të ishte i mundur, fillimisht duhej të zgjidhej kontesti për emrin i imponuar nga fqinji jugor, Greqia, dhe pjesa tjetër, siç thuhet, tashmë është histori pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës.

Sot, edhe me Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, Maqedonia ende nuk mund të anëtarësohet në BE, edhe pse diplomacia e atëhershme pretendonte se të gjitha mosmarrëveshjet ishin tejkaluar, përpara se të vinte vetoja fillimisht nga Franca, e më pas nga fqinji lindor.

Verbëri burokratike evropiane dhe “diplomaci me pinxhur”

Komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, e cila është sllovene dhe dikur ka jetuar në të njëjtin shtet me ne maqedonasit, me paraqitjen e saj kontroverse gjatë vizitës në Shkup, tregoi se sa pak burokratët evropianë e kuptojnë problemin thelbësor të anëtarësimit të Maqedonisë në BE.

Fjalimi për “pinxhurin dhe groshën” tregoi se edhe një sllovene që duhet t’i njohë më mirë rrethanat maqedonase, është plotësisht e verbër ndaj perspektivave të vendit dhe se Brukseli nuk mendon të hapë dyert për anëtarësim të plotë në një të ardhme të afërt.

Qeveria maqedonase përpiqet të bëjë përparim diplomatik duke kërkuar garanci shtesë që përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e RMV-së do të jetë kushti i fundit dhe hapi i fundit madhor i “kompromisit” maqedonas ndaj kërkesave joparimore të fqinjëve. Por, deri tani nuk ka asnjë sinjal zyrtar nga Brukseli se kjo vërtet do të jetë “ndryshimi i fundit kushtetues”.

Konflikte të ngrira dhe reforma: Si do të duket BE-ja e re?

Lufta në Lindjen e Mesme do të shtyjë zgjidhjen e krizës ukrainase, e cila aktualisht më shumë i ngjan një konflikti të ngrirë, pa përpjekje të qarta për t’i dhënë fund luftës që Rusia e nisi në vitin 2022.

Ndërkohë, fuqitë e mëdha evropiane nuk mund të bien dakord se si të reformojnë Bashkimin Evropian, e aq më pak janë të gatshme të pranojnë anëtarë të rinj nga i ashtuquajturi Ballkani Perëndimor apo nga skajet më lindore – Moldavia, Gjeorgjia, Ukraina.

Përveç reformave dhe përmbushjes së kritereve të Kopenhagës, vendimi për zgjerimin do të jetë politik dhe me shumë gjasë vendet do të pranohen në paketë, njëherësh. Përndryshe, fragmentimi i procesit të integrimit evropian për vendet e Ballkanit mund të përkeqësojë stabilitetin e rajonit dhe të aktivizojë mosmarrëveshje të reja ndërfqinjësore, e me këtë edhe kërkesa të reja, veçanërisht ndaj Maqedonisë.

Goditje e re në horizont apo durim strategjik

Testimi i pretendimeve të Brukselit për “kushtin e fundit maqedonas” mund të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve, por me një dispozitë për shfuqizimin e këtij ndryshimi nëse nuk ndodh zhbllokimi i anëtarësimit në BE dhe heqja e vetos.

Nga ana tjetër, duhet ndjekur me kujdes sinjalet gjeopolitike, të cilat tani janë shumë të paparashikueshme dhe të papritura, sepse gjëja e fundit që i duhet shtetit maqedonas është një vetëposhtërim i ri pa marrë integrim të plotë në institucionet ndërkombëtare, ku nuk do të ketë më kërcënime me veto dhe bllokada nga fqinjët me kërkesa të reja që cenojnë identitetin kombëtar.

adv

Donald Trump propozon plan për Gazën, kritikët: Favorizon çar’matimin ndaj rindërtimit

0

Kritikët paralajmërojnë se plani i “Bordit të Paqes” të Donald Trump-it i jep përparësi çarmatimit ndaj rindërtimit dhe tërheqjes së Izraelit

Hamasi duhet të pranojë shkatërrimin e rrjetit të tij të gjerë të tuneleve në Gaza dhe të dorëzojë armët në mënyrë të fazuar gjatë tetë muajve, sipas një plani çarmatimi të paraqitur nga “Bordi i Paqes” i presidentit amerikan Donald Trump.

Plani përcakton një afat kohor që nis me marrjen e kontrollit të sigurisë në Gaza nga një komitet palestinez teknokratësh, me mbështetjen e SHBA-së, dhe përfundon me tërheqjen e plotë të forcave izraelite pasi të “konfirmohet se Gaza është pa armë”.

Çarmatimi i Hamasit mbetet pengesa kryesore në negociatat për zbatimin e planit të Trump-it për Gazën dhe për forcimin e armëpushimit të tetorit, i cili ndali një luftë dyvjeçare me intensitet të lartë.

Hamasi prej kohësh ka refuzuar thirrjet për të dorëzuar armët, të cilat besohet se janë transportuar dhe ruajtur kryesisht në tunelet nën Gazë. Izraeli, nga ana tjetër, deklaron se nuk do të pranojë të tërhiqet nga Gaza pa u çarmatosur plotësisht më parë Hamasi.

Një zyrtar palestinez i afërt me negociatat e cilësoi planin si “të padrejtë” dhe tha se Hamasi ka të ngjarë të kërkojë “ndryshime dhe përmirësime”.

Zyrtari, që kërkoi të mbetet anonim për shkak të ndjeshmërisë së bisedimeve, u shpreh se plani nuk ofron garanci që Izraeli do të përmbushë detyrimet e tij. Ai shtoi se lidhja e rindërtimit dhe përmirësimit të kushteve të jetesës me çështje politike si çarmatimi mund të çojë në rifillimin e luftës.

Teksti i plotë i planit, për të cilin raportoi i pari Al Jazeera, u nda me Reuters nga dy zyrtarë palestinezë të përfshirë në negociata. Një zyrtar i Hamasit konfirmoi vërtetësinë e dokumentit.

“Bordi i Paqes” ia paraqiti planin Hamasit javën e kaluar.

Hamasi nuk ka bërë deklarata publike për këtë plan, ndërsa një zyrtar i tij tha se grupi po e shqyrton atë. Të enjten, tre fraksione të tjera palestineze, përfshirë Xhihadin Islamik, publikuan deklarata ku e kritikuan planin, duke theksuar se ai i jep përparësi çarmatimit në kurriz të çështjeve si rindërtimi dhe tërheqja e Izraelit.

Plani përbëhet nga dy pjesë: një dokument me 12 pika me titull “Hapat për përfundimin e zbatimit të planit gjithëpërfshirës të paqes të Trump-it për Gazën” dhe një kalendar me pesë faza gjatë të cilave Hamasi do të dorëzojë armët brenda tetë muajve.

 

Pjesa e parë parashikon që të gjitha fraksionet e armatosura në Gaza, përfshirë grupe si Xhihadi Islamik, të marrin pjesë në procesin e çarmatimit që do të mbikëqyret nga teknokratë palestinezë, të njohur si Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG).

“Në Gaza do të zbatohet parimi i një autoriteti, një ligji dhe një arme, ku vetëm individët e autorizuar nga NCAG do të mund të mbajnë armë, ndërsa të gjitha fraksionet e armatosura do të ndalojnë aktivitetet ushtarake”, thuhet në dokument.

Dokumenti thekson se procesi i çarmatimit do të “verifikohet nga Komiteti për Verifikimin e Mbledhjes së Armëve”, një organ që do të krijohet nga Nikolay Mladenov, i dërguari kryesor i “Komitetit të Paqes”.

Ai gjithashtu përcakton se rindërtimi do të lejohet vetëm në zonat e shpallura të demilitarizuara.

Armëpushimi i tetorit bëri që Izraeli të marrë kontrollin e një pjese të madhe të Gazës, ndërsa Hamasi ruajti kontroll të fortë mbi pjesën tjetër të territorit dhe mbi rreth dy milionë banorët e saj, shumica e të cilëve kanë mbetur pa strehë pas dy vitesh bombardimesh të pandërprera izraelite.

Hamasi, që mbështet rezistencën e armatosur dhe është zotuar për shkatërrimin e Izraelit, muajt e fundit ka refuzuar publikisht thirrjet për çarmatim. Megjithatë, sipas raportimit, në bisedime jo publike, zyrtarë të Hamasit kanë shprehur gatishmëri për të diskutuar çarmatimin, me kusht që ai të jetë pjesë e një procesi politik që çon drejt krijimit të një shteti palestinez. Në dokumentin me 12 pika nuk përmendet shtetësia apo pavarësia palestineze.

Sipas kalendarit të planit, në fazën e parë, që zgjat 15 ditë, NCAG do të marrë kontrollin e sigurisë dhe administrimit në Gaza dhe do të nisë hapat përgatitorë për mbledhjen e armëve.

 

Në fazën e dytë, nga dita e 16-të deri në ditën e 40-të, Izraeli do të tërheqë të gjitha armët e rënda nga zonat që kontrollon, përfshirë artilerinë e rëndë dhe tanket, ndërsa do të vendosen edhe forca ndërkombëtare të sigurisë.

Faza e tretë, nga dita e 31-të deri në ditën e 90-të, do të jetë më intensive: Hamasi do t’ia dorëzojë NCAG-së të gjitha armët e rënda dhe pajisjet ushtarake dhe do të “mundësojë shkatërrimin e të gjitha tuneleve, eksplozivëve dhe infrastrukturës ushtarake”.

Në fazën e katërt, nga dita e 91-të deri në ditën e 250-të, forcat policore të NCAG-së do të mbledhin dhe regjistrojnë armët e mbetura, përfshirë pistoletat dhe pushkët. Forcat izraelite do të fillojnë tërheqjen graduale.

Faza e pestë përshkruhet si “verifikimi përfundimtar” i çarmatimit dhe parashikon që “forcat izraelite të tërhiqen plotësisht nga Gaza, me përjashtim të pranisë në zonën e sigurisë, si dhe të nisë rindërtimi gjithëpërfshirës”. /Përshtati Pamfleti/

adv

Mickoski: Taravari shpik gjëra dhe po i vardiset partnerit të ri, Ali Ahmetit!

0

Kryeministri Hristijan Mickoski sot komentoi deklaratat e djeshme të Arben Taravarit për gjendjen e shqiptarëve në qeverinë aktuale, përcjell TV21. Mickoski tha se Taravari këtë e bën për t’u vardisur sa më shumë te partneri i ri i koalicionit, BDI.

“Shikoni, unë ende nuk mundem të befasohem se pse z.Taravari vuan për biznesin Gjoka ku nuk pati sukses dhe në opinion shpik gjëra që nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me realitetin. Unë shumë herë i kam komentuar marrëdhëniet në qeveri dhe marrëdhëniet me partnerin tonë, ndryshe mund të them se janë parimore, për dallim me marrëdhëniet që kemi pasur me z. Taravarin, që ishin vardisëse nga ana e tij, kështu që supozoj që atë parim të vardisjes që e ka zbatuar te unë, tani po e zbaton te partneri i ri i koalicionit, BDI. Atëherë në komunikim me mua ashpër i kritikonte, tani supozoj në komunikimin për t’u vardisur sa më shumë te Ali Ahmeti, më kritikon mua”,tha Taravari.

Ndryshe, Taravari mbrëmë drejtoi kritika të ashpra ndaj kryeministrit Mickoski, ku e akuzoi për dobësimin e qëllimshëm të faktorit politik shqiptar.

“Mickoski arriti t’i margjinalizojë totalisht shqiptarët dhe tregoi se mund të qeverisë edhe me një grup partitë të vogla, të cilat as nuk duhet të bëjnë diçka, as nuk dinë”, deklaroi Taravari në Telma, duke shtuar se shumica e ministrave nga blloku shqiptar ishin anonimë dhe pa përvojë pune.

Sipas tij, pikat kryesore të marrëveshjes koalicionare kanë mbetur vetëm në letër, ndërsa shtoi se decentralizimi fiskal jo vetëm që nuk ka ndodhur, por ligji i ri për vetëqeverisjen lokale ka zvogëluar edhe më tej kompetencat e komunave.

Taravari theksoi se është më mirë të jesh në opozitë sesa të jesh një kukull në qeveri.

“Unë karakterologjikisht nuk mund të jem kukull në një qeveri… Të jesh pjesë e një sistemi që është jo-funksional është idiotizëm”, tha Taravari.

adv

Albin Kurti në Paris, Aleksandar Vuçiq me akuza për “agjendë kundër serbëve”

0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar të premten për vizitë zyrtare në Francë, ku pritet të takohet me presidentin Emmanuel Macron.

Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë më shumë hollësi rreth këtij takimi.

Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pretenduar të enjten mbrëma në televizionin Prva në Beograd, se kryeministri Kurti mund t’i kërkojë liderit francez plotësimin e ca kushteve “kundër popullit serb”.

Sipas presidentit serb, Kurti ka shkuar në Paris me “dy kërkesa”: që Serbisë t’i vendoset kusht për të mos përdorur kurrë armë kundër shqiptarëve, përkatësisht kundër Kosovës, dhe që NATO-ja të largohet nga zona tokësore e sigurisë, në mënyrë që Forca e Sigurisë së Kosovës të mund të shkojë në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.

Vuçiq pretendon se “agjendën e Kurtit në Paris” e ka mësuar përmes “njerëzve tanë në rrethin e Kurtit”.

Mes tjerash, Vuçiq ka thënë se shpreson që NATO-ja “nuk do t’i mbështesë këto kërkesa dhe jam i sigurt që as Macron nuk do t’i mbështesë”.

“Ky do të ishte sulm i drejtpërdrejtë ndaj paqes, sulm i drejtpërdrejtë ndaj popullsisë sonë, ndaj gjithë Serbisë, dhe jam pothuajse i sigurt se kjo nuk do të ndodhë”, tha Vuçiq.

Radio Evropa e Lirë e ka pyetur Qeverinë e Kosovës për qëndrimin e saj lidhur me pretendimet e Vuçiqit, por nuk ka marrë ende përgjigje.

Shqetësimet e Kosovës për armatosjen e Serbisë dhe veriu

Pretendimet e Vuçiqit vijnë në një kohë kur autoritetet kosovare kanë shprehur shqetësim pasi Serbia bleu raketat balistike supersonike CM-400 nga Kina në fillim të muajit.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, i tha Radios Evropa e Lirë më 13 mars se Serbia, përmes këtyre blerjeve, po shfaq “tendenca hegjemoniste” karshi vendeve fqinje.

Rreth një javë më vonë, Kurti e akuzoi Beogradin për shfaqje të “agresionit” pasi ushtria serbe kreu stërvitje më 19 mars në një fshat të banuar me shqiptarë etnikë në jug të Serbisë, në kufi me Kosovën.

Ai tha asokohe se “jemi thellësisht të shqetësuar me demonstrimin e pajustifikueshëm ushtarak të Serbisë, me helikopterë e parashutistë, në zonat e banuara me shqiptarë në Bujanoc, fare pranë kufirit me Kosovën”.

Por, misioni i NATO-s në Kosovë, i tha Radios Evropa e Lirë se ato stërvitjet nuk përbënin rrezik dhe se ishte njoftuar paraprakisht nga Beogradi se Forcat e Armatosura të Serbisë do të zhvillonin stërvitje të planifikuara në fshatin Muhovc, pranë kufirit jugor të Kosovës.

KFOR-i është përgjegjës për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare është Policia e Kosovës.

Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 400 kilometra.

Forca e Sigurisë së Kosovës, FSK, nuk ka të drejtë të shkojë në veriun e banuar me shumicë serbe, pa e marrë pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s.

Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.

Hera e fundit kur FSK-ja ishte në veri, me pëlqimin e KFOR-it, ishte më 29 korrik të vitit 2025, në një operacion kur gjeti trupin e pajetë të një personi që kishte kërcyer nga ura në liqenin e Ujmanit.

FSK-ja është në proces të shndërrimit në ushtri, pas ndryshimeve ligjore të miratuara. Ky proces pritet të përmbyllet më 2028. REL

adv

Skandal në shëndetësi? Aliu zbulon pagë të pazakontë për një mjek

0

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, zbuloi se një mjek nga shëndetësia publike ka marrë një pagë enorme, por pa e bërë publik identitetin e tij.

Rasti do të trajtohet në mënyrë institucionale, ndërsa nuk përjashtohet edhe përgjegjësi penale, raportoi 4news.mk.

“Edhe Ministria e Shëndetësisë edhe Qeveria i njohin institucionet, na lejoni ta zgjidhim këtë në mënyrë institucionale. Nuk guxoj t’i bëj publike detajet në një konferencë për shtyp, sepse mund të rrezikoj një sistem që nuk duhet të rrezikohet. E dimë që puna jonë mund të përfundojë brenda dy javësh, por këto janë procedura dhe do të duhet që institucione të tjera ta trajtojnë rastin”, tha ai.

adv

Latifi merr pjesë në Asamblenë e ENTSO-E në Bruksel

0

Drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi, ka marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të ENTSO-E, e cila u mbajt në Bruksel, ku u diskutuan zhvillimet kyçe për sistemin elektroenergjetik evropian, informon POPULLI.mk

Gjatë këtij takimi, në fokus të diskutimeve ishte paketa “Grids Package”, roli i ENTSO-E në tregun e energjisë elektrike, si dhe prioritetet e ardhshme për zhvillimin e sektorit. Po ashtu, vëmendje e veçantë iu kushtua masave për forcimin e sigurisë së sistemit elektroenergjetik në nivel evropian.

Në kuadër të debatit u theksua qartë nevoja për rritjen e bashkëpunimit rajonal, si dhe përshpejtimi i investimeve në infrastrukturën e transmetimit, si elemente kyçe për një sistem më të qëndrueshëm dhe efikas.

Latifi theksoi se qëllimi i MEPSO-s mbetet i qartë: të kontribuojë në mënyrë aktive në proceset evropiane dhe të harmonizohet në kohë me sfidat dhe zhvillimet e reja në sektorin energjetik. / © POPULLI.mk

adv

Erdogan ka një mesazh për kombëtaren turke para ndeshjes me Kosovën..

0

Pas triumfit ndaj Rumanisë, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan bisedoi me ministrin e Rinisë dhe Sportit Osman Ashkın Bak, presidentin e Federatës Turke të Futbollit, Ibrahim Ethem Haçiosmanoglu, trajnerin e Ekipit Kombëtar Vincenzo Montella dhe lojtarët e kombëtares.

Siç shkruajnë mediat turke, Erdogani fillimisht përgëzoi presidentin e federatës për suksesin e ekipit kombëtar dhe më pas shkëmbeu fjalë edhe me trajnerin Montella e futbollistin Barish Alper Yilmaz.

Ai gjithashtu u uroi atyre suksese në ndeshjen finale të play-off kundër Kosovës të martën, më 31 mars 2026, e cila do të luhet në Prishtinë.

Turqia u kualifikuar në finale të play-off për Kupën e Botës pas fitores 1-0 ndaj Rumanisë në Stamboll të enjten.

adv

Projekti “Safe City” shtrihet edhe në Veles, funksional në korrik

0

Në Veles ka nisur instalimi i kamerave në rrugët kryesore të qytetit në kuadër të projektit “Qyteti i Sigurt”, ku aktualisht në terren po vendosen kabllot, kutitë metalike, shtyllat dhe pajisjet e nevojshme, të cilat do të mundësojnë mbikëqyrjen dhe rritjen e sigurisë publike.

Nga Sektori i Punëve të Brendshme në Veles, sistemi pritet të vihet në funksion në fund të korrikut të këtij viti.

“Prioriteti për vendosjen e kamerave përcaktohet sipas kritereve të sakta të sigurisë. Fokusi do të vendoset në arteriet kryesore të trafikut, ku është regjistruar një frekuencë më e lartë e automjeteve dhe këmbësorëve, si dhe në kryqëzimet kyçe ku shpesh ndodhin shkelje të rregullave të komunikacionit, me qëllim rritjen e sigurisë së përgjithshme”, informuan nga SPB Veles.

Nga atje sqarojnë se numri i lokacioneve do të jetë në përputhje me nevojat, me qëllim që të mbulohen të ashtuquajturat “pika të zeza”, ku sipas statistikave ndodhin më së shumti aksidente trafiku.

Numri i saktë dhe lokacionet specifike do të përcaktohen pas përfundimit të planifikimit teknik, por qëllimi është mbulim i plotë dhe efikas i zonave kritike.

Deri më tani, pas periudhës testuese, sistemi “Qyteti i Sigurt” nga 1 shkurti 2026 ka filluar të funksionojë në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë, si dhe në Korridoret 8 dhe 10, me çka ka nisur edhe sanksionimi i shoferëve që kanë bërë shkelje të kapura nga kamerat.

adv

Vidhet arka e kontributeve në një xhami në Sllatinë

0

Një rast vjedhjeje është denoncuar më 26 mars 2026 rreth orës 15:30 në Departamentin Policor të Tearcës, ku sipas informacioneve, gjatë intervalit kohor nga ora 12:00 deri në 15:00 është kryer një vjedhje në xhaminë e fshatit Sllatinë, në Tetovë.

Sipas njoftimit, persona të panjohur kanë hyrë në objekt dhe, duke përdorur forcë dhe mjete të forta, kanë hapur arkën e kontributeve vullnetare, nga e cila kanë marrë para.

Në vendin e ngjarjes ka intervenuar ekipi i SPB Tetovë, i cili ka kryer këqyrjen dhe po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit.

adv